
TIRANË- Është zbardhur dëshmia e autorit të vrasjes që ndodhi mesditën e djeshme në zonën e Laknasit në Tiranë. Maliq Marku, autori i vrasjes është shprehur i penduar dhe i keqardhur për krimin e kryer, ndërsa ka deklaruar se ka qëlluar me armë për vetëmbrojtje.
Para uniformave blu, Marku ka konfirmuar debatin që kanë pasur ditën e djeshme sa i përket mosmarrëveshjeve për kanalizimet. Sipas 70-vjeçarit, ai ka kërkuar të sqarohet me fqinjët, por situata doli nga kontrolli dhe në gjaknxehtësi e sipër mori armën në shpi dhe qëlloi ndaj tyre.
"E gjithë ngjarja ndodhi shumë shpejt, Shefqet Hasa dhe Bekim Keça, të dy më ofenduan. Kemi pasur mosmarrëveshje për kanalizimet kërkova që të sqaroja situatën. Në gjaknxehtësi e sipër mora armën dhe qëllova ndaj tyre. Qëllova për vetëmbrojtje, jam penduar për veprimin tim. Shkova të sqarohesha por ata më ofenduan,"- mësohet se ka deklaruar Marku para grupit hetimor.
Por pavarësisht se Marku ka deklaruar se ka qëlluar për vetëmbrojtje, sipas Policisë 70-vjeçari do të akuzohet për vrasje me dashje, dhe krimi dyshohet se është kryer me paramendim.
Sherri mes autorit, dhe viktimës Shefqet Hasa, dhe të plagosurit Besim Keqa, kishte nisur kohë më parë për një kanal të ujërave të zeza.
-
VIDEO/ Shkaku i vrasjes në Laknas është ky kanal...
1 Dhjetor, 11:00
Madje, për konfliktin ishte në dijeni edhe policia por që askush nuk kishte hyrë ta shuante sherrin mes familjeve. Sipas të dhënave të policisë, personi që më pas rezultoi të ishte edhe autori i sulmit me armë ndaj fqinjëve të vet, kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Anglia.
Ai është takuar pasditen e djeshme me dy fqinjët e tij dhe ka nisur debat i ashpër. Më pas, ai ka ikur në shtëpinë e tij ka marrë një armë dhe ka shtirë mbi ta. Për pasojë njërin prej fqinjëve e kanë kapur katër plumba, i cili ka ndërruar jetë në vend, ndërsa një plumb ka kapur edhe fqinjin tjetër. Ai gjendet në Spitalin e Traumës, sipas mjekëve jashtë rrezikut për jetën.
Disa kohë më parë banorët e rrugës kishin mbledhur para për ndërtimin e kanalit të ujërave të zeza, por Marku jo sepse nuk ndodhej në Shqipëri. Por pasi u kthye nga Britania e Madhe, edhe ai kishte bërë kërkesën për kanalin, por fqinjët kishin dalë kundër tij. Rezultati ishte vrasja dhe plagosja e të dyve./ZËRI