
TIRANË- Në redaksinë e ZËRI-t kanë ardhur disa denoncime në lidhje me shoqërinë ‘Micro Credit Risk’, institucionin micro financiar që operon në territorin e Shqiperisë. Dhjetëra qytetarë tregojnë detaje të asaj se çfarë u ka ndodhur nga MCR sot ‘Kredia Juaj’, duke i fundosur familjet shqiptare me kredi vrastare, shumë herë më të larta në përqindje edhe se vetë norma e interesit e Bankës së Shqipërisë, apo vetë bankës së nivelit të dytë që ka shitur tek këto institucione kreditë e këqija.
Një qytetar tregon se para disa kohësh ka marrë një kredi për të blerë një telefon. Këstin që ka pasur, e ka paguar për disa muaj, përveç muajit të fundit, ku do i duhej të paguante 80 lekë të vjetra. Këtë këst, qytetari nuk e ka paguar dhe më vonë është telefonuar nga Micro Credit Risk. Sipas tij, nëpërmjet presionit, do i duhet të paguajë 1 milion e 600 mijë lekë të vjetra. Qytetari shprehet se tashmë, prej një viti paguan për të shlyer pagën që i është venosur.
Një tjetër qytetar shkruan se ka marrë një kredi në vitin 2019 dhe se çdo muaj ka shlyer kredinë e marrë, por dy muaj e fundit nuk ka qenë në marrëdhënie pune, ndaj dhe nuk i ka paguar. Për këtë mospagesë të dy muajve, qytetari thotë se është telefonuar nga një punonjës i Kredia Juaj i cili e ka kërcënuar duke i thënë të paguajë për 1 orë vlerën e 3.7 milion lekëve ose do të përballet me gjyqin për përmbarim.
“Në 2019 morra një kredi prej 2 milon lekësh. Kam qenë i rregullt dhe e kam paguar çdo muaj këstin. Dy muajt e fundit nuk i pagova pasi u largova nga puna dhe nuk kisha mundësi. Më morri në telefon një numër dhe më tha se ishte nga shoqëria ‘Kredia Juaj’. Më bëri presion. Më tha se nëse nuk paguaj brenda orës vlerën e 3.7 milion lekëve do të përballem me gjyqin për përmbarim.”-denoncon ai.
Një tjetër qytetar shkruan se para tre muajsh ka marrë 800 mijë lekë të vjetra kredi dhe ia kanë çuar shumën për të shlyer në 1 milion e 700 mijë lekë të vjetra.
“Pashë këtë investigiimin për institutcionet financiare.Kam pas ndihmuar dikë që kishte probleme dhe bëri një kallëzim për këtë microcredit,”-shkruan një tjetër qytetar.
Një qytetar tjetër denoncon se shoqëria e kursimeve i detyron shqiptarët të marrin borxhe për të shlyer borxhet e vjetra.
“Shoqëria micro financiare blen nga bankat e nivelit II borxhin/kredinë e marrë nga qytetari disa vite më parë dhe pasi e kërkon disfash me shantazh, e vendos atë mes dy zgjedhjeve të detyruara: O të paguajë disafishin e borxhit të vjetër, ose të marrë kredi të re dhe të kthehet në një borxhli modern të viteve të fundit”,-u shpreh qytetari.
Një tjetër shkruan “kredia ime nga 800 mijë lekë të vjetra ka shkuar 3 milion. Një ish-kolegun tim nga 2 milion në 7 milion"./ZËRI