
PRISHTINË- Rikthehen në Veri të Kosovës, kësaj here, fatkeqësisht me viktima! Në orët e para të mëngjesit të sotëm, një grup personash të armatosur kanë qëlluar me armë zjarri një njësi të Policisë së Kosovës. Si pasojë, zyrtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku humbi jetën dhe 2 nga kolegët e tij u plagosën. Këtu nisi aksioni në Banjskë të Laposaviqit, i cili vazhdoi deri në pasditen e sotme, duke përfunduar zyrtarisht në orën 19.30.
NISJA
Rreth orës 02:34 në Mitrovicë, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa). Njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me armë zjarri, por ka raportime edhe për përdorje granatash dore. Sulmi është kthyer edhe nga Policia e Kosovës që i është përgjigjur sulmit. Pikërisht në këto momente ka ndodhur vrasja e efektivit Bunjaku dhe plagosja e dy të tjerëve. Me disa efektivë të lënduar, forcat e Policisë janë detyruar që të tërhiqen. Paralelisht janë tërhequr edhe agresorët që kanë hyrë në Manastir të Banjskës me automjet të blinduar, duke thyer portën e mbyllur të objektit fetar. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla doli në një deklaratë për mediat duke u shprehur se manastiri është “burim i sulmeve me armë zjarri” në zonën përreth. Ndërkohë që mediat e Serbisë, nxorrën një foto, ku një prej anëtarëve të grupit i drejtonte armën e zjarrit një prifti. Kjo si justifikim për të mos i lidhur denoncimet për manastiret me zhvillimet në Veri të Kosovës. Edhe pse një fakt i tillë ishte denoncuar më parë nga deputetja e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, e cila kishte paralajëmruar se po kontrabandoheshin armënga Serbia në kishat ortodokse në Kosovë, por askush nuk i mori parasysh pretendimet e saj. Deri sot...
REAGIMET
Pas Sveçlës, i cili aktualisht ndodhet në Veri të Kosovës, në një deklaratë për mediat doli kryeministri Albin Kurti. Disa herë ai u bëri thirrje sulmuesve që të dorëzohen, pasi sipas tij, Policia i kishte të rrethuar, ndërsa gishtin e drejtoi vetëm nga Beogradi pa asnjë dyshim. Po ashtu, autoritetet e Kosovës e kanë dënuar sulmin ndaj Policisë dhe e kanë fajësuar Serbinë për të. Reagime ka pasur edhe nga ndërkombëtarët. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar ashpër vrasjen e zyrtarit policor. Përfaqësuesi i Qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarazin niset sot drejt Kosovës, ndërsa ambasadorët e vendeve të QUINT shkuan me urgjencë në zyrën e Kurtit. Ndërkohë që presidenti Aleksandër Vuçiç rezervoi orën 20.00 për të folur lidhur me ngjarjen.
AKSIONI NË TERREN
Manastiri u blindua! Përveç forcave të Policisë së Kosovës, në zonë shkoi edhe Ushtria, e bashkë me ta edhe EULEX. Për disa orë luftime dhe të shtëna, sipas Sveçlës, ka 3 serbë të vrarë, 2 të plagosur dhe 6 të arrestuar, e bashkë me ta janë gjetur dhe sekuestruar edhe armë zjarri. Sipas Sveçlës, ka armë që janë gjetur edhe më parë në Kosovë, por edhe lloje të reja. Pyetjes nëse ka të arratisur, iu përgjigj: Zona ku po veprojnë është shumë më e gjerë. Me pikëpyetje është edhe 'përkatësia' e tyre. Flitet deri më tani për serbë dhe rusë. Madje një prej të plagosurve, mbante veshur uniformën e forcave "Kobra", por megjithatë nuk do të thotë që është pjesë e forcave speciale të Serbisë. Por sërish kjo mundësi nuk përjashtohet. Aludimet janë edhe për anëtarë të grupit Wanger nga Rusia. Sërish edhe ky informacion nuk është konfirmuar.
REAGIMET POST-AKSION
Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta prej majit, kur banorët e komunave me shumicë serbe në Veri bojkotuan zgjedhjet, duke bërë që të zgjedhurit të ishin shqiptarë. Pas zgjedhjeve nisën përplasjet, ndërsa ndërkombëtarët cilësuan si lëvizje të keqe shpalljen e zgjedhjeve në Veri nga ana e Kurtit. Madje e kërcënuan edhe me sanksione. Teksa asgjë nuk ka përfunduar, pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Jarinje dhe Bërnjak, janë mbyllur për qarkullim, edhe pse dyshohet se grupi i armatosur nga gjetur rrugë të tjera, veç asaj legale për të hyrë në territorin e Kosovës.
Nata ka rënë, por aksioni vazhdon...!/Zëri.ai