PRISHTINË- Lista Serbe ka reaguar lidhur me përplasjen me armë zjarri mes policisë së Kosovës dhe një grupi serbësh në Leposaviç. Përmes një deklarate ata shprehen se do të kërkojnë hetim të thelluar të ngjarjes. Po ashtu ata shtrojnë një sërë pyetjesh për ndërkombëtarët dhe 'shigjetojnë" EULEX-in dhe KFOR. Sipas tyre ata duhet të kishin ndërhyrë dhe mos ta linin situatën në dorë të Policisë së Kosovës.
“Në emër të Listës Serbe dhe të gjithë popullit serb nga Kosova, shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet e serbëve të vrarë dhe policit shqiptar të Kosovës në ngjarjen tragjike të djeshme në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit. Po njoftojmë se do të kërkojmë hetim për vrasjen e së paku dy serbëve të cilët u qëlluan gjakftohtësisht edhe pse u dorëzuan. E pyesim bashkësinë ndërkombëtare pse EULEX-i nuk mori pjesë në operacion, por vetëm policia e Kurtit. Është e nevojshme që paqja të kthehet në rrugët tona sa më shpejt të jetë e mundur sepse ne kemi nevojë urgjente që KFOR-i dhe EULEX-i të vendosen në veri për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës dhe për të parandaluar abuzimin politik të kësaj ngjarje tragjike. Prej më shumë se një viti kemi paralajmëruar se regjimi në Prishtinë po ushtron presion mbi serbët dhe po e përshkallëzon çdo ditë situatën dhe po provokon reagimin e popullit. Kemi kërkuar nga KFOR-i që veprojë dhe po ashtu kemi kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare të frenojnë Kurtin, ne gjithmonë kemi bërë thirrje për paqe... por më kot. Fatkeqësisht, ndodhi ajo që dëshiroi Kurti,"-thanë në deklaratën për shtyp drejtuesit e Listës Serbe.
Çfarë ndodhi dje në Kosovë?
Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm kriminal në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuan fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat.
Kosova e ka shpallur ditën e sotme një ditë zie kombëtare në nderim të efektivit Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës, ndërkohë që situata në veri të paktën mëngjesin e sotëm është paraqitur e qetë, me Manastirin e Banjskës që është nën kontroll nga policia e Kosovës, në të cilin u gjetën sasi të mëdha armësh dhe municioni. Pikëpyetjet mbeten se cili ishte qëllimi i njësisë serbe të armatosur që qëlloi mbi policinë, ndërsa pritet dhe marrja në pyetje e personave të arrestuar brenda në Manastir./Zëri.ai