
SHBA- Shtëpia e Bardhë njoftoi sot se Izraeli ka pranuar propozimin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për një armëpushim në Gaza, ndërsa bisedimet me Hamasin "vazhdojnë". Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt tha se presidenti Donald Trump dhe i dërguari i posaçëm Steve Witkoff ia dorëzuan propozimin edhe Hamasit pasi kishin marrë miratimin nga Izraeli.
"Mund të konfirmoj gjithashtu se bisedimet përkatëse po vazhdojnë dhe shpresojmë që së shpejti të arrihet një armëpushim në Gaza, në mënyrë që të mund t'i kthejmë të gjithë pengjet në shtëpitë e tyre,"- tha Levitt në konferencën për shtyp.
E pyetur nëse Hamasi e ka pranuar propozimin, ajo u përgjigj: Për aq sa di unë, jo.
Më herët sot, Netanyahu u tha familjeve të pengjeve se Izraeli do të pranonte planin. Por nga ana tjetër Hamasi ishte i pakënaqur me propozimin, pasi sipas tyre i lë hapësirë Izraelit të rifillojë armiqësitë pas përfundimit të armëpushimit të përkohshëm.
Çfarë përfshin propozimi?
Propozimi i ri për një armëpushim 60-ditor në Rripin e Gazës përfshin lirimin e 10 pengjeve. Sipas propozimit të ri, pengjet do të lirohen në dy grupe brenda një jave. Gjithashtu, Hamasi duhet të dorëzojë edhe trupat e 18 të rrëmbyerve që ende mbahen në Gaza, në këmbim të lirimit të palestinezëve nga burgjet izraelite. Armëpushimi dy-mujor pritet të lehtësojë negociatat midis Izraelit dhe Hamasit për t'i dhënë fund konfliktit, i cili ka vazhduar për gati 20 muaj dhe u shkaktua nga sulmet terroriste të Hamasit më 7 tetor 2023 kundër Izraelit.
Sipas këtij propozimi, nëse Izraeli dhe Hamasi arrijnë një marrëveshje, pengjet e mbetura në Gaza do të lirohen gjithashtu. Propozimi përcakton gjithashtu që shpërndarja e ndihmës në Rripin e Gazës do të menaxhohet përsëri nga Kombet e Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare të ndihmës. Ndërsa ushtria izraelite do të tërhiqet në pozicionet që mbante para nisjes së ofensivës së fundit në mars.
Sipas burimeve izraelite, të paktën 20 pengje janë ende gjallë në Rripin e Gazës. Fati i tre prej të rrëmbyerve të mbetur është i panjohur, ndërsa trupat e 35 të rrëmbyerve besohet se mbahen në enklavën bregdetare./ZËRI