FLAKË E TYM/ Breshëri molotovësh, protestuesit i vënë zjarrin vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha (VIDEO)
TIRANË- Protesta e opozitës është tensionuar, teksa gjatë marshimi janë hedhur molotovë drejt vilës së ish-diktatorit Hoxha. Si pasojë, godina përfshirë nga flakët. Breshëri molotivësh janë hedhur në ballkonet e vilës ndërsa brenda ndodhen dhe njerëz, ndërtesë e cila tashmë është kthyer në qendër të artistëve. Pas restaturimit, ajo është hapur për publikun.
/ZËRI
Zhvendosen protestuesit, marshojnë drejt Parlamentit, hidhen sërish molotovë
TIRANË- Protestuesit e PD janë larguar nga rruga që të çon drejt Policisë së Shtetit, aty ku patën dhe përplasje me efektivët e policisë, pasi tentuan që të çajnë kordonin. Tashmë ata janë drejtuar drejt Parlamentit, ndërsa gjatë rrugës kanë hedhur sërish molotovë. Protestuesit nuk kanë ndaluar te Parlamenti, aty ku herët e shkuara ka qenë pika më e nxehtë e tensioneve, por kanë vijuar marshimin.
Pasi kaluan në Kuvend, ata u drejtuan drejt selisë së PS, aty ku u krijua një kordon policie dhe një autobot me ujë. Gjatë rrugës, ata kanë hedhur edhe molotovë në koshat e plehrave dhe herë pas herë janë dëgjuar shpërthime në rrugët e kryeqytetit./ZËRI
Protesta e PD, reagon Edi Rama: Shqipëria kundër mullahëve të Teheranit, ndërkohë opozita kundër Tiranës (FOTO)
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht për protestat e opozitës që po zhvillohet në rrugët e kryeqytetit. Përmes një postimi në platformën "X", Rama ka përdorur një ton kritik dhe ironik ndaj mënyrës si po zhvillohet protesta. Kreu i qeverisë ka ironizuar opozitën, teksa ka ndarë foto nga sulmet në Iran dhe një foto nga protesta dhe një kosh që digjet pas molotovëve.
"Shqipëria me botën e lirë kundër mullahëve të Teheranit, opozita shqiptare me plehrat kundër qytetarëve të Tiranës", shkruan Rama.
Shqipëria me botën e lirë kundër mullahëve të Teheranit, opozita shqiptare me plehrat kundër qytetarëve të Tiranës???? pic.tëitter.com/4IN4p8y84u
— Edi Rama (@ediramaal) February 28, 2026
Opozita po zhvillon protestën e radhës kombëtare. Ndryshe nga herët e tjera, pa fjalime, opozita ka protestuar duke marshuar nëpër kryeqytetet. Marshimi zhvillohet në disa prej institucioneve, ndërsa nuk kanë munguar shpërthimet me molotovë dhe incidentet. /ZËRI
Përplasje mes protestuesve dhe policisë, "thyhet" kordoni, efektivët përgjigjen me ujë dhe gaz lotsjellës (VIDEO)
TIRANË- Protestuesit e opozitës kanë mbërritur pranë Drejtorisë së Policisë në rrugën e Unazës. Gjatë mbërritjes, janë regjistrua përplasje verbale mes protestuesve dhe policisë. Pranë tyre janë afruar deputetët Flamur Noka dhe Gazment Bardhi. Deri më tani nuk raportohet për të lënduar, ndërsa policia ka nisur të shpërndajë turmën me ujë dhe gaz lotsjellës.
/ZËRI
Marshohet drejt drejtorisë së Policisë së Shtetit, nisin molotovët! Berisha: Ky është tubim paqësor (VIDEO)
TIRANË- Opozita ka ndryshuar skenar. Pas Kryeministrisë, ka nisur marshimi drejt disa institucioneve. Pak më parë, u lajmërua se protesta do jetë në formë marshimi në “pikat më të korruptuara”. Sali Berisha, funksionarët e PD dhe protestuesit janë larguar nga Kryeministria drejt Policisë së Shtetit.
Ndërkohë gjatë marshimit, pranë piramidës protestuesit kanë hedhur edhe bomba molotov. Gjatë kalimit në Unazën e Tiranës, disa nga pjesëmarrësit kanë hedhur molotov, në disa kosha mbeturinash, duke shkaktuar zjarr.
Shpërthime janë dëgjuar edhe pranë një biznesi.
Lideri demokrat është ndalur në një prononcim të shkurtër për mediat, duke e cilësuar një protestë paqësore. Ai zbuloi pak nga itenerari i protestës, duke thënë se do të vijojë në institucionet e "korruptuara" nga qeveria.
“Protestë paqësore e opozitës, ka formën e një marshimi revoltë proteste në rrugët e Tiranës për të shprehur zemërimin popullor ndaj kreut të organizatës kriminale dhe anëtarëve të saj”, tha Berisha./ZËRI
Protestë ndryshe pa fjalime, Berisha mbërrin para Kryeministrisë, çfarë pritet (VIDEO)

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka dalë nga selia e PD-së dhe u është bashkuar protestuesve, duke nisur marshimin drejt Kryeministrisë. Berisha u shoqërua nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, ndërsa tashmë ka mbërritur para godinës së Kryeministrisë. Gjithashtu mbështetësit demokratë, të cilët ishin mbledhur më herët në selinë e PD-së, më pas janë nisur drejt bulevardit për t’iu bashkuar protestës. Protestuesit janë mbledhur në shesh, teksa pritet të zbulohet 'skenari' se si do të vijojë.
/ZËRI
Në prag proteste: "Blindohet" Kryeministria dhe selia e PS, 1500 policë të shpërndarë në institucione
TIRANË- Më pak se një orë nga nisja e protestës së opozitës, forcat policore janë vendosur në gatishmëri. Rreth 1500 forca policie janë në gatishmëri, ku janë shpërndarë në godina të rëndësisë së veçantë.
Forca policore janë vendosur pranë Kryeministrisë ku është vendosur edhe gardhi metalik, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe pranë selisë së Partisë Socialiste.
Policia e Shtetit ka refuzuar të marrë përsipër garantimin protestës, pas incidenteve në protestat e mëparshme, ku u shënuan akte dhune dhe përplasje me efektivët. Megjithatë, policia do të jetë e pranishme në terren për të garantuar rendin publik dhe sigurinë në kryeqytet.
Policia e Shtetit në Tiranë ka hartuar një plan masash për protestën që pritet të nisë në orën 18:00. Forcat Shqiponja po pajisen me fikëse zjarri, si masë paraprake ndaj asaj që pritet të ndodhë, duke pasur si pikë referimi protestat e mëparshme. Autobotet me ujë gjithashtu shihen në gatishmëri për t'u kundërpërgjigjur sulmeve të mundshme.
/ZËRI
A do të ketë revoltë në protestën e sotme? Sali Berisha: Po, kryengritja është e pandalshme
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, ka konfirmuar se në protestën e sotme para Kryeministrisë do të ketë revoltë. Berisha tha se protesta dhe kryengritja paqësore e opozitës do të njohë etapa të reja dhe do të vazhdojë deri në largimin përfundimtar të Kryeministrit Edi Rama.
“Sigurisht që do të ketë revoltë. Kryengritja jonë paqësore do të shkojë përtej asaj që kemi parë deri tani dhe është e pandalshme deri në largimin e Ramës. Ju patë se si në fjalimin e tij ai tejkaloi edhe kohëzgjatjen e fjalimeve të Gedafit dhe Fidel Kastros në OKB. Por, nëse e analizojmë më thellë, ai nuk përfaqëson asgjë më shumë se një kufomë politike që duhet të largohet,”- u shpreh Berisha.
Ndërkohë që mëngjesin e sotëm Policia e Shtetit ka konfirmuar se nuk do të marrë përsipër garantimin e zhvillimit e protestës pas përplasjeve të dhunshme dhe mjeteve të rrezikshme që protestuesit kanë përdorur kundër uniformave blu./ZËRI
Protesta e opozitës para Kryeministrisë/ Policia nuk merr përsipër tubimin, efektivët në shesh
TIRANË- Policia e Shtetit në Tiranë ka hartuar një plan masash për protestën e thirrur nga Partia Demokratike e Shqipërisë, ndonëse ka deklaruar se nuk merr përsipër garantimin e zhvillimit të saj.
Vendimi lidhet me incidentet e mëparshme, ku u shënuan akte dhune dhe përplasje me efektivët. Megjithatë, policia do të jetë e pranishme në terren për të garantuar rendin publik dhe sigurinë në kryeqytet.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, më datë 28.02.2026, në orën 18:00, para Kryeministrisë.
Nisur nga incidentet e ndodhura gjatë tubimit të mëparshëm, ku u evidentuan akte dhune dhe përdorim i mjeteve të rrezikshme ndaj punonjësve të Policisë, pjesëmarrja e personave të maskuar dhe përdorimi i të miturve në tubim, si dhe nga informacionet e siguruara mbi mundësinë e përsëritjes së veprimeve të tilla, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje subjektit politik se nuk merr përsipër garantimin e zhvillimit të tubimit.
Pavarësisht përgjigjes së kthyer, Policia e Tiranës, në përmbushje të detyrave funksionale, ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në qytetin e Tiranës, mbrojtjen e institucioneve shtetërore, si dhe për lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve, në rast se tubimi do të zhvillohet. Policia e Tiranës apelon për qytetarët që, nëse ndeshen me veprime të dhunshme, të distancohen dhe të denoncojnë çdo paligjshmëri që konstatojnë./ZËRI