Zjarret/ Erion Braçe APEL qytetarëve: Lëreni duhanin këto ditë!
TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm në këto ditë përvëluese, ku një veprim shumë i vogël, mund të shkaktojë një zjarr që të shkrumbojë çdo gjë që i del para. Përmes një video sensibilizuese, socialisti ka listuar një sërë gjërash, të cilave u kërkon qytetarëve që të mos i bëjnë duke marr si shembull të pasojës Gramshin apo Delvinën.
“Drama e Delvinës edhe e Gramshit Finiqit gjithashtu duhet të na bëjë të mendojmë për ato që janë gjëra të vogla dhe të thjeshta që mund të na shpëtojnë. Veçanërisht populli i fshatit që po e vuan më shumë se kushdo jo vetëm të nxehtin e klimës, por të nxehtin e zjarreve. Mos ndiz zjarr për asnjë arsye, mos ndiz zjarr qoftë në oborrin e shtëpisë tënde, qoftë edhe jashtë saj, atje ku është fshati i tërë atje ku është ekonomia e fshatit, atje ku është ambienti, lëri mbetjet e baçes tënde. Lëre duhanin, lëre duhanin këto ditë, mos e hidh cigaren atje ku bari është i tharë, mos thyej një shishe dhe ta lësh atje ku bari i thatë mund të marrë zjarr në këto kushte ku nxehtësia është e tmerrshme. Mos bëj zgarë, mos bëj zgarë në 40 gradë. Mund të hash edhe brenda shtëpisë tënde aty duke gatuar mbi sobën me korrent. E kështu me radhë. Pra janë gjëra të thjeshta, harroje shkrepsen këto ditë. Mos ndiz zjarr!,”- thotë Braçe.
View this post on Instagram
Në vend, situata me zjarret në vend është ende katastrofike. Edhe sot në Delvinë dhe në Gramsh ka situatë kritike. Ndonëse ka pasur ndërhyrje me helikopterë, sërish situta në Gramsh dhe në Delvinë nuk ka pasur përmirësime. Madje ka rrezik që zjarri nga Delvina të kalojë në Lazarat dhe Gjirokastër./ZËRI
Pasojat e zjarreve/ Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë në terren: Inventar dëmeve! Groposini bagëtitë e djegura
TIRANË- Në operacion për situatën kritike të zjarreve në vend jo vetëm zjarrfikësit, por edhe Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë. Institucioni ka nisur punën për evidentimin e dëmeve në bujqësi dhe blegtori tek fermerët dhe bujqit në zonat e prekura. Ndërkohë që po bënhet inventari i dëmeve të shkaktuara, ka edhe një thirrje për të gjithë që të groposin kafshët e djegura. Kështu, mund të shmangin ndonjë epidemi.
“Në të gjithë vendin në terren kanë dalë edhe ekipet e Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe të Agjencisë Rajonale e Ekstensionit Bujqësor, për të vlerësuar dëmet e bëra në bujqësi dhe blegtori. Në të gjitha zonat ku ka rënë zjarri por që tashmë flakët janë shuar, ekipet e ministrisë do të bëjnë një inventar mbi humbjet jo vetëm tek bagëtitë, por edhe tek të mbjellat apo pemëtari të qytetarëve të dëmtuar”, njofton Ministria e Bujqësisë.
Deri më tani nuk ka një bilanc për dëmin që i është shkaktuar banorëve të prekur nga zjarret, por me siguri janë disa qindra hektarë tokë e ullishte që janë shkrumbuar nga flakët./ZËRI
"Luftë" në malin e Sopotit/ Zjarri po përhapet nga Delvina, rrezikohet Lazarati dhe Gjirokastra
GJIROKASTËR- Flakët që nisën nga Bashkia e Delvinës po përhapen edhe në Bashki të tjera. Tashmë, zjarri ka prëfshirë malin e Sopotit duke ngjallur frikën se do të hyjë edhe në territorin e Bashkisë së Gjirokastrës. Duke marrë parasysh këndin e erës, zjarrfikësit në terren thonë se zjarri paraqet një kërcënim serioz për qytetin e Gjirokastrës, por edhe për fshatin Lazarat.
Forcat zjarrfikëse të Gjirokastrës po luftojnë për ta ndalur përhapjen e flakëve, ndërkohë që po ndihmohen në terren edhe nga banorët e Lazaratit. Të gjithë po mundohen që të ndalojnë flakët në majën e Sopotit, ndryshe fshati i tyre është i radhës që do të përfshihet nga flakët. Aktualisht, po punohet për neutralizimin e zjarrit, por situata mund të ndryshojë nga momenti në moment./ZËRI
Zjarret në Gramsh, kryebashkiaku Ajazi: Kemi përdorur edhe forcën për të larguar banorët
GRAMSH- Kryetari i bashkisë së Gramshit, Besion Ajazi i bëri apel sot banorëve të fshatrave Nartë dhe Skënderbegas që të largohen. Kjo për të shpëtuar jetën nga banesat e rrezikuara nga flakët. Në një prononcim për mediet, Ajazi tha se “situata paraqitet alarmante dhe emergjente”, por evidentoi se në disa raste e kanë pasur të vështirë të bindnin qytetarët që të linin shtëpitë e tyre.
"Situata paraqitet shumë alarmante dhe emergjente, zjarri është shtrirë edhe në fshatrat e tjerë. Po i afrohet edhe Nartës. Ka djegur dhe ka shkatërruar gjithçka. Po përpiqemi që të shpëtojmë banesat. Kemi evakuuar njerëzit që në orët e para të mëngjesit kur u shfaq edhe rreziku i parë. Po punohet me kapacitet të plotë në të gjitha drejtimet. Thirrja ime është për banorët: Të ruajnë gjakftohtësinë, pa panik! Të gjithë janë këtu për t'i ndihmuar ata. Çfarë është bërë, është bërë! Çfarë është djegur, është djegur! Të shpëtojmë sa më shumë që të mundemi. Të kenë besim tek këta djem dhe burra që po punojnë me vetëmohim. Janë larguar duke përdorur forcë, keq më vjen ta them. Apeli është që të largohet edhe banori i fundit. Tani shpresojmë t'ja dalim sa më shpejt dhe sa më mirë,"-tha kryebashkiaku Ajazi.
39 shtëpi janë shkrumbuar nga zjarri që ka përfshirë që prej ditës së djeshme njësinë administrative Skënderbegas në Gramsh. Banorët janë evakuuar dhe mbrëmjen e kaluan në konviktin e qytetit, që u përshtat për strehimin e tyre./ZËRI
“Hajde ikim se do digjemi”/ Zjarri në Skënderbegas, dëgjohen edhe shpërthime predhash (VD)
GRAMSH- Përveçse zjarret, zjarrfikësit po hasin edhe në rreziqe të tjera. Në njësinë Skënderbegas të Gramshit po dëgjohen shpërthime predhash, si pasojë e flakëve që përfshinë malin. Siç duket edhe në videon e mëposhtme, të siguruar nga gazetarja e Top Channel, Bruna Kërçyku, banorët e fshatit Skënderbegas përballen me momente tmerri.
Madje flakët dhe zhurmët e predhave kanë alarmuar edhe ekipet e zjarrfikësve.
“Hajde ikim, do digjemi,”-dëgjohet në video një nga zjarrfikësit.
PAMJET NGA VIDEOJA:
Situata në njësinë Skënderbegas të Gramshit vijon të jetë e rënduar si pasojë e zjarrit që kalon nga fshati në fshat. 39 banesa u shkrumbuan, ndërsa disa qytetarë janë në spital për shkak të dëmeve që kanë pësuar nga tymi i zjarrëve që kanë shkumbuar sipërfaqe të mëdha me pyje e shkurre./ZËRI
Flakët/ Rama nxjerr pamjet e autorëve të zjarrvënieve: Arrestohen 10 persona, procedohen 4
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka publikuar disa pamje të kapura nga dronet e Policisë së Shtetit, ku shfaqen autorët e disa prej zjarreve në vend. Në postimin e tij, kreu i qeverisë ka publikuar raportin, ku shkruan se janë identifikuar 14 autorë, nga të cilët 10 janë arrestuar dhe 4 po ndiqen penalisht.
“Gjatë 24 orëve të fundit, strukturat e Policisë kanë identifikuar 14 autorë të zjarrvënieve. 10 prej tyre janë arrestuar, ndërsa 4 janë proceduar penalisht. Forca Kombëtare e Sigurisë, Shqiponjat, Patrullat e Përgjithshme dhe Forcat Operacionale janë në terren, duke ndihmuar në evakuimin e banorëve dhe mbështetur Emergjencat Civile e Zjarrfikësit për shuarjen e flakëve,”- shkruan Rama.
POSTIMI I RAMËS:
Zjarret në Shqipëri, THIRRJA nga Ambasada Amerikane: Kujdes! Evitoni zonat me vatra aktive
TIRANË- Zjarret në Shqipëri kanë shqetësuar dhe Ambasadën Amerikanë me seli në Tiranë. Në postimin e plotë në faqen zyrtare të Ambasadës kërkohet që qytetarët amerikanë të shmangin zonat e prekura nga flakët. Veçanërisht ato që janë nën urdhra evakuimi, dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë. Teksa u kërkojnë që të monitorojnë mediat shqiptare për përditësimet mbi kushtet e zjarreve, vënë në dispozicion edhe numrat dhe mënyra kontakti me Ambasadën.
"Ne i inkurajojmë fuqimisht qytetarët amerikanë në zonat e prekura që janë të sigurt të monitorojnë lajmet lokale dhe të kontaktojnë drejtpërdrejt të dashurit e tyre dhe/ose të përditësojnë statusin e tyre në mediat sociale,"-shkruhet ndër të tjera në postimin e bërë nga Ambasada Amerikane.
POSTIMI I PLOTË:
Alarm: Mesazh Emergjence për Qytetarët Amerikanë – Ambasada Amerikane në Tiranë, Shqipëri (12 Gusht 2025)
Vendndodhja: Në të gjithë vendin
Ngjarja: Ambasada e SHBA-së në Tiranë vazhdon të monitorojë disa zjarre në të gjithë vendin dhe u bën thirrje të gjithë qytetarëve amerikanë të tregojnë kujdes në zonat e kërcënuara nga zjarret. Disa zona në të gjithë vendin janë nën urdhër evakuimi. Qytetarët amerikanë në Shqipëri që kanë nevojë për ndihmë mund të kontaktojnë Ambasadën e SHBA-së me telefon në 4224-7285 (duke telefonuar nga Shqipëria) ose +355-4224-7285 (duke telefonuar nga jashtë Shqipërisë), ose me email në: [email protected] .
Veprimet që duhen ndërmarrë:
– Qytetarët amerikanë duhet të shmangin zonat e prekura, veçanërisht ato që janë nën urdhra evakuimi, dhe të ndjekin udhëzimet e policisë në lidhje me mbylljen e rrugëve ose ndërprerjet e trafikut. Monitoroni lajmet lokale për përditësime mbi kushtet e zjarreve në pyje dhe planifikoni rrugët tuaja në përputhje me rrethanat. Google Maps gjithashtu mund të ofrojë informacion në kohë reale mbi mbylljet e rrugëve dhe aktivitetin e zjarreve në pyje.
– Zjarret në pyje janë të zakonshme në Shqipëri. Thithja e tymit përbën një rrezik serioz për shëndetin, edhe nëse nuk jeni afër flakëve. Nëse një zjarr në pyje është afër vendndodhjes suaj, përfshirë banesën tuaj, evakuohuni menjëherë në një zonë të paprekur.
– Mos u përpiqni të kaloni me makinë nëpër zona të prekura nga zjarret në pyje ose tymi i dendur. Kërkoni një rrugë alternative ose merrni në konsideratë shtyrjen e udhëtimit nëse nuk keni një rrugë alternative. Nëse nuk keni zgjidhje tjetër përveçse të kaloni me makinë nëpër tymin e një zjarri në pyje, ngisni ngadalë me dritaret hapur, kanalet e ajrit të jashtëm të mbyllura dhe dritat e ndezura për shikueshmëri më të mirë.
– Ne i inkurajojmë fuqimisht qytetarët amerikanë në zonat e prekura që janë të sigurt të monitorojnë lajmet lokale dhe të kontaktojnë drejtpërdrejt të dashurit e tyre dhe/ose të përditësojnë statusin e tyre në mediat sociale.
– Nëse keni një urgjencë të menjëhershme ose kërcënuese për jetën, ju lutemi telefononi në 127 për një ambulancë, në 112 për policinë ose në 128 për zjarrfikësit./ZËRI
Delvina nën flakë, 10 persona dërgohen në spital, probleme nga zjarri e tymi
DELVINË- Flakët që pushtuan fshatin Kakodhiqi në Delvinë shkaktuan panik. Kjo për shkak se zjarri po i afrohej puseve të gazit dhe kondensatit. Nga tymi dhe flaka kanë mbetur të lënduar rreth 10 persona, përfshirë katër ushtarë, të cilët u trajtuan në spitalin e përkohshëm të ngritur në Kinoteatrin e qytetit.
Aktualisht në Delvinë, sot ka ndërhyrë për herë të parë avioni ‘Canadair’ nga Italia. Flakët në këtë zonë po përhapen me shpejtësi edhe drejt lagjes Papuçi, drejt fshatit Rusan në periferi në jug të qytetit dhe drejt malit të Sopotit në veri. Edhe pse prej orësh ka ndërhyrje nga ajri, sërish situata ngelet problematike./ZËRI
Zjarret/ Opozita e kërkoi me urgjencë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare nuk mblidhet
TIRANË- Këshilli i Sigurisë Kombëtare nuk ka gjasa që të mblidhet sot. Edhe pse mbledhja u kërkua nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe zëra të tjerë opozitarë, sërish takimi duket i pamundur që të ndodhë. E njëjta kërkesë është bërë edhe nga sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.
Por burime për "Report Tv" kanë mësuar se Këshilli i Sigurisë Kombëtare, që drejtohet nga Presidenti Bajram Begaj, nuk do të mblidhet për shkak se të gjithë janë në terren për të monitoruar situatën e zjarreve. Mbetet që të çështja e takimit të lihet për t'u shqyrtuar në një moment të dytë.
Orët e fundit, situata po përkeqësohet edhe në Delvinë, pasi Ministria e Mbrojtjes njoftoi se tashmë zjarrfikësit janë në luftë edhe me flakët e një vatre të papritur që po shpërndahet me shpejtësi duke u favorizuar nga erërat e forta. Gjendja përshkruhet si kritike, pasi erërat e forta dhe temperaturat e larta e vështirësojnë punën e forcave zjarrfikëse. E vetmja zgjidhje është ndërhyrja nga ajri. Por duket se edhe kjo ndërhyrje nuk është e mjaftueshme për të shuar flakët apokaliptike që kanë pushtuar vendin./ZËRI
Zjarret në Delvinë/ Nënkryetari i Bashkisë përfundon në spital nga asfiksia
DELVINË- Filip Xuxi, nënkryetari i Bashkisë së Delvinës ka përfunduar në spital. Për shkak të përballjes me flakët në terren, Xuxi është ndjerë keq dhe ka nisur të shfaqë vështirësi në frymëmarrje.
Duke parë gjendjen e tij të rënduar shëndetësore, ai është dërguar në spital. Në foton e mësipërme, nënkryetari i Bashkisë shihet i ulur në një karrige në rrota teksa po transportohet në spitalin e qytetit për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor./ZËRI
Drejtori i Mbrojtjes nga zjarri me kritika për kryebashkiakët: Të krijohen kushtet me infrastrukturën për të ndërhyrë
TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, Arben Cara ka kritikuar pushtetin lokal për moskrijimin e lehtësirave infrastrukturore për ekipet zjarrfikëse. Në një prononcim për mediat, ai ka kritikuar edhe mospajisjen siç duhet me uniforma të duhura dhe pajisjet e nevojshme të efektiveve të reparteve te mbrojtjes kundër zjarrit.
“Strukturat e MZSH-së po përballen me probleme përsa i përket infrastrukturës. Po shohim reagim jo shumë të volitshëm nga ana e kryetarëve të bashkisë. Çdo vit dërgojmë shkresa për zbatim të ligjeve të vitit 2015; 139 dhe 152. Lind e drejta që çdo kryetar bashkie të merret me infrastrukturën për krijimin e kushtet që forcat operacionale të ndërhyjnë. Ka mangësi të theksuar në këtë drejtim dhe jo vetëm. Por edhe në kompletimin me pajisje sa i përket zjarrfikësve. Uniforma jo vetëm që është detyrim ligjor dhe duhet bërë me zbatim të një VKM që ne e kemi dërguar kohë më parë, por përtej tjetërsimit ose bërjes së një uniforme që dikush e bën të kuqe e dikush të verdhë dhe asnjë nga zjarrfkësit nuk përfaqësojnë siç duhet shtetin shqiptar dhe nuk është uniforma e duhur që ta mbrojë atë në rast fatkeqësie dhe kjo na bën të reflektojmë,”-tha në fjalën e tij Arben Cara.
Orët e fundit, situata po përkeqësohet edhe në Delvinë, pasi Ministria e Mbrojtjes njoftoi se tashmë zjarrfikësit janë në luftë edhe me flakët e një vatre të papritur që po shpërndahet me shpejtësi duke u favorizuar nga erërat e forta. Gjendja përshkruhet si kritike, pasi erërat e forta dhe temperaturat e larta e vështirësojnë punën e forcave zjarrfikëse. E vetmja zgjidhje është ndërhyrja nga ajri. Por duket se edhe kjo ndërhyrje nuk është e mjaftueshme për të shuar flakët apokaliptike që kanë pushtuar vendin./ZËRI
Përfshihet nga zjarri fusha e grumbullimit të mbetjeve në Lushnjë
LUSHNJE- Një zjarr ka rënë në ish- fushën e grumbullimit të mbetjeve urbane në Lushnje. Zjarri i ka dalë nga kontrolli një fermeri që po digjte mbeturina në tokën bujqësore është përhapur me shpejtësi nga era e fortë. Për shkak të temperaturave dhe të erës, përmasat e zjarrit u rritën frikshëm duke mbuluar të gjithë ish-fushën e mbetjeve urbane të qytetit.
Ekipet e zjarrfikëseve të Bashkisë Lushnje kanë mundur që të mbajnë zjarrin nën kontroll në mënyrë që të mos përfshihen banesat. Por po ashtu, uniformat blu kanë identifikuar autorin e zjarrvënies dhe janë në kërkim të tij./ZËRI
Zjarret në Shqipëri/ Dom Gjergj Meta: Përgjegjësit do japin llogari para Zotit! KMSH: Po lutemi!
TIRANË- Për situatën e zjarreve në vend, kanë bërë nga një reagim edhe presidenti i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Dom Gjergj dhe kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu. Meta, ka bërë një apel të ndjerë duke u shprehur se ata që ndezin qëllimisht zjarret do të japin llogari para Zotit për këtë krim. Ndërsa Spahiu shkruan se lutet që situata me zjarret të marrë fund sa më shpejt.
POSTIMI I BUJAR SPAHIUT:
Gjatë 48 orëve të fundit vendi ynë është përfshirë nga zjarre masive, të cilat në disa qarqe kanë dalë jashtë kontrollit. Fatkeqësisht edhe me një viktimë në Gramsh dhe dëme të shumta për familje të tëra. E lusim Zotin që kjo situatë të kapërcehet sa më shpejt! Gjithashtu ju bëj apel gjithë familjeve që janë në zona kritike të evakuohen, jeta është mbi gjithçka. Krahas kësaj, secili duhet të rrisë përgjegjshmërinë dhe të mos bëhen shkak për zjarrvënie nga pakujdesia' shkruan Spahiu në një postim në rrjetin social facebook.
POSTIMI I DOM GJERGJ METËS:
Zjarret që në këto ditë po rrezikojnë jetën e banorëve, shtëpitë e tyre, florën dhe faunën që gjendet në male dhe në pyje, në pjesën më të madhe janë të qëllimshme. Ky është një krim që kërkon përgjigje para njerëzve e para Zotit. Krijimi na është dhënë në roje dhe jo për ta prishur apo për të abuzuar me të duke e shkatërruar. Zjarret rrezikojnë edhe mundin dhe djersën e shumë njerëzve dhe familjeve të tyre. Kemi përgjegjësi të gjithë për të ruajtur si sytë e ballit çdo pëllëmbë vend tonin nga shkatërrimi.
Edhe në emër të të gjithë ipeshkvinjëve, ju bëj thirrje nga zemra të gjithëve, individë dhe institucione, të përballemi me situatën me veprime konkrete, por sidomos me shqyrtimin e ndërgjegjes tonë, në mënyrê që të dalim nga këto situata e të mos krijojmë të tjera.
Përgjegjêsve ju them se një ditë do të japim llogari para Zotit. Askush nuk ia ka pa hajrin abuzimit me ambientin, shkatërrimit të tij, pasi është njëkohësisht edhe shkatërrimi ynë e i të ardhmes tonë mbi planet. Thirrini zërit të ndërgjegjes, ndaleni dorën tuaj! Dërguesit dhe dorasët kanë përgjegjësi njësoj para njerëzve e para Zotit. Për këtë kanë përgjegjësi edhe organet shtetërore që të mos jenë neglizhentë, por të forcojnë ruajtjen e pyjeve, të përmirësojnë dhe përforcojnë strukturat me mjete ndërhyrëse. Të merret më seriozisht kjo gjë se vjen shpejt edhe viti tjetër e duhet të shkojmë përtej retorikave. Zoti bekoftë çdokend që e ka për zemër ruajtjen e mjedisit, të gjithë ata që në këto ditë po luftojnë me zjarret e qoftë pranë të dëmtuarve nga flakët. Me shpresën se sadopak këto fjalë do të dëgjohen i uroj secilit paqe në zemër e dashuri për këtë vend, për Shqipërinë tonë, që e kemi shumë të shtrenjtë.
Situata po përkeqësohet edhe në Delvinë, pasi Ministria e Mbrojtjes njoftoi se tashmë zjarrfikësit janë në luftë edhe me flakët e një vatre të papritur që po shpërndahet me shpejtësi duke u favorizuar nga erërat e forta. Gjendja përshkruhet si kritike, pasi erërat e forta dhe temperaturat e larta e vështirësojnë punën e forcave zjarrfikëse. E vetmja zgjidhje është ndërhyrja nga ajri. Por duket se edhe kjo ndërhyrje nuk është e mjaftueshme për të shuar flakët apokaliptike që kanë pushtuar vendin./ZËRI
The Guardian: Rekordet e temperaturave po 'thyhen' në të gjithë Evropën
FRANCË- Matjet e hershme sugjerojnë se i nxehti ekstrem po thyen rekordet e temperaturave në të gjithë Evropën dhe po shkakton zjarre gjithmonë e më të mëdha dhe e më të forta. Në Francën jugperëndimore, rekordet u thyen të hënën në Angoulême, Bergerac, Bordeaux, Saint-Émilion dhe Saint-Girons. Météo France tha se temperaturat maksimale shpesh të jashtëzakonshme, madje të pashembullta në rajon ishin 12 gradë Celsius mbi normën për dekadat e fundit.
Në Kroaci, rekordet e temperaturës së ajrit u shënuan në Shibenik, me 39.5°C, dhe në Dubrovnik, me 38.9°C, ndërsa zjarre të mëdha pyjore shpërthyen përgjatë brigjeve të saj dhe përfshiu vendet fqinje në Ballkan. Përtej Evropës, dhjetëra rekorde temperaturash u thyen në të gjithë Kanadanë dhe nxehtësia rekord shkoi mbi 50 gradë Celsius.
Vala e të nxehtit në Evropën Jugore vjen ndërsa vendet nordike po rimëkëmben nga temperaturat e papara mbi 30 gradë Celsius në Rrethin Arktik këtë muaj. Bob ëard, një drejtor politikash në Institutin e Kërkimeve Grantham, tha për "The Guardian": Kjo verë, si çdo verë tjetër, ka qenë e jashtëzakonshme për sa i përket nxehtësisë ekstreme në të gjithë botën.
Në Itali, 16 nga 27 qytete të mëdha u vunë nën alarm për vapë të kuqe. Një djalë 4-vjeçar vdiq nga nxehtësia, dhe në Spanjë, ku një burrë vdiq në një zjarr pasi pësoi djegie në 98% të trupit të tij. Në jugperëndim të Francës, 40% e një mostre stacionesh meteorologjike regjistruan temperatura mbi 40 gradë Celsius.
Moti i nxehtë në të gjithë Evropën ka tharë bimësinë dhe ka lejuar që zjarret të përhapen më tej, në atë që shkencëtarët e kanë përshkruar si një "koktej molotovi" të kushteve klimatike. Shkencëtarët e zjarreve në BE parashikuan "kushte ekstreme deri në shumë ekstreme" në të gjithë kontinentin këtë javë, me rreziqe "veçanërisht të rënda" në pjesën më të madhe të Evropës Jugore. Zjarret në Evropë kanë djegur më shumë se 400,000 hektarë deri më tani këtë vit, shifër që është 87% më shumë se mesatarja.
Nxehtësia e lartë vret dhjetëra mijëra njerëz në Evropë çdo vit. Studiuesit vlerësojnë se temperaturat e rrezikshme në Evropë do të vrasin 8,000 deri në 80,000 njerëz të tjerë në vit deri në fund të shekullit.
Javën e kaluar, Organizata Botërore Meteorologjike tha se zjarret në pyje dhe cilësia e dobët e ajrit po përkeqësonin efektet negative shëndetësore të nxehtësisë ekstreme./ZËRI
Zjarret/ Instituti për bashkitë: Të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore, do kërkojmë kompensim të dëmeve
TIRANË- Instituti për Bashkitë ka reaguar lidhur me situatën e rëndë nga zjarret, duke kërkuar mbledhjen urgjente të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile. Në reagimin e parë zyrtar, Instituti thotë se duhet të bëhet edhe një vlerësim i plotë i dëmeve të shkaktuara. Më pas, kërkon edhe dëmshpërblimin e tyre sipas ligjit.
“Sugjerojmë thirrjen urgjente të mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile dhe marrjen në shqyrtim të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, duke kategorizuar situatën si emergjencë civile sipas ligjit,”- thuhet në reagim.
Njoftimi i plotë:
Instituti për Bashkitë Shqiptare ndjek me shqetësim situatën e krijuar nga zjarret masive që kanë prekur disa zona të vendit dhe shpreh sa vijon: 1. Së pari, shprehim solidaritet të plotë me të gjithë qytetarët dhe komunitetet e prekura nga flakët. Mendimet dhe mbështetja jonë janë me trupat zjarrfikës por jo vetëm që po përballen me rrezik për jetën e tyre.
2. Falënderojmë qytetarët dhe vullnetarët për angazhimin dhe bashkëpunimin e treguar me forcat e specializuara në përpjekjet për përballimin e situatës.
3. U bëjmë thirrje të gjithë banorëve të bashkive të prekura ose që ndodhen në zona me rrezik të lartë, të respektojnë thirrjet dhe udhëzimet e Ministrit të Mbrojtjes, Kryetarëve të Bashkive dhe Drejtorit të Emergjencave Civile, për masat e evakuimit të mundshëm.
4. Sugjerojmë thirrjen urgjente të mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile dhe marrjen në shqyrtim të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, duke kategorizuar situatën si emergjencë civile sipas ligjit.
5. Në këtë moment, të gjitha energjitë dhe burimet duhet të përqendrohen në operacionet për shpëtimin e jetëve dhe mbrojtjen e pronës private dhe publike.
6. Pasi të dilet nga faza emergjente, kërkojmë një vlerësim të plotë e real të dëmeve dhe zbatimin e masave ligjore për kompensimin dhe rikuperimin e tyre. Instituti për Bashkitë Shqiptare mbetet i angazhuar të mbështesë bashkitë në çdo hap të përballimit dhe rikuperimit nga kjo situatë./ZËRI
'Pse nuk blen Shqipëria avionë zjarrfikës?'/ Zjarret në Shqipëri, Rama u përgjigjet kritikëve: Disa llogari duhen bërë
TIRANË- Kryeministri Edi Rama i ka kthyer përgjigje kritikëve për situatën e zjarreve në vendin tonë. Në një postim të bërë në rrjetin "X", Rama i ka kthyer përgjigje atyre që pyesin se përse vendi ynë nuk ka një flotë të posaçme për shuarjen e flakëve. Për kreun e qeverisë në këto momente të vështira, Shqipëria ka ndihmë nga aleatët e Bashkimit Europian apo dhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Si shembull ka marrë fqinjët, Italinë dhe Greqinë që edhe pse me flotë të posaçme nuk i kanë ndaluar dot flakët.
"Pra, e thënë thjeshtë. Sa më shumë aq më mirë padiskutim, por prapëseprapë kurimi i pasojave nuk i eliminon shkaqet, të cilat janë disa, janë njësoj për të gjithë shtetet që po i vuajnë zjarret këtë sezon (disa shumë më keq se ne meqë ra fjala) dhe janë shumë më komplekse se sa duken kur numëron avionët,”-shkruan Rama ndër të tjera.
POSTIMI I PLOTË I RAMËS:
Ka shpërthyer një debat pse nuk blen Shqipëria avionë zjarrfikës, ndërkohë që ka ca llogari që duhen bërë dhe zjarret e ditëve të fundit nuk janë assesi çështje e një apo dy apo edhe tre avionësh! Dakord, mirë do ishte t’i kishim, por… Duke i siguruar të gjithë se kemi këto ditë mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë, falë flotës sonë dhe mbështetjes nga Mekanizmi Europian apo Emiratet e Bashkuara Arabe, i ftoj të gjithë të ngrenë një pyetje: Po fqinjët tanë, Greqia dhe Italia apo Turqia dhe Spanja, që po përcëllohen më keq se ç’do vit tjetër kanë vallë mungesë avionësh?! Ja një informacion bazuar në referencat e vetë shtypit grek për Greqinë për shembull: Greqia ka një flotë ajrore totale prej 77 avionësh zjarrfikës; helikopterë janë pakashumë 20; automjete të tjera afërsisht 3,500 dhe zjarrfikëse të të gjitha llojeve e funksioneve. Pra, e thënë thjeshtë. Sa më shumë aq më mirë padiskutim, por prapëseprapë kurimi i pasojave nuk i eliminon shkaqet, të cilat janë disa, janë njësoj për të gjithë shtetet që po i vuajnë zjarret këtë sezon (disa shumë më keq se ne meqë ra fjala) dhe janë shumë më komplekse se sa duken kur numëron avionët.
Prej ditësh dy vatrat më aktive të zjarrit ku situata paraqitet e rëndë janë Delvina dhe Gramshi. Në Delvinë, zjarri është përhapur në rrethinat e qytetit, teksa nga ajri janë aktivizuar 2 helikopterë. Ndërsa në Gramsh situata vijon të jetë alarmante./ZËRI
FOTOLAJM: Shikoni frontet e zjarrit nga satelitët e NASA-s
TIRANË- Shqipëria po sprovohet nga dhjetëra fronte zjarri , me qindra zjarrfikës që luftojnë me flakët. Një pamje më të qartë se çfarë po ndodh në terren e ofron sateliti i NASA-s. Siç duket edhe nga pamjet e mëposhtme, tymi është qartësisht më i dendur në zonën e Shqipërisë së Mesme, aty ku fshatrat e Gramshit po digjen.
PAMJET NGA SATELITI:


Situata po përkeqësohet edhe në Delvinë, pasi Ministria e Mbrojtjes njoftoi se tashmë zjarrfikësit janë në luftë edhe me flakët e një vatre të papritur që po shpërndahet me shpejtësi duke u favorizuar nga erërat e forta.
Gjendja përshkruhet si kritike, pasi erërat e forta dhe temperaturat e larta e vështirësojnë punën e forcave zjarrfikëse. E vetmja zgjidhje është ndërhyrja nga ajri. Por duket se edhe kjo ndërhyrje nuk është e mjaftueshme për të shuar flakët apokaliptike që kanë pushtuar vendin./ZËRI
“Ç’e dua jetë?!"/ Me lot në sy, banorët lënë shtëpitë t'ua përpijë flaka...shpëtojnë vetëm gjënë e gjallë! (RRËFIME)
TIRANË- Zjarret kanë shkrumbuar fshatrat të tërë në zonën e Gramshit dhe të Delvinës, duke bërë hi mundin dhe djersën e një jete për të gjithë banorët e këtyre zonave. Të paktën 10 fshatra janë prekur masivisht nga flakët, por fatmirësisht nuk ka viktima të tjera veç 80-vjeçarit që ndezi zjarrin dhe shkaktoi tmerrin që prej dy ditësh ka pushtuar disa nga zonat e Shqipërisë. Të "detyruar" që të largohen nga banesat e tyre, me lot në sy, banorët kanë lënë çdo gjë pas...përveç lopëve dhe bagëtive, të vetmet burime jetese. Të vetmet që do u mundësojnë që të ushqehen pasi tmerri të përfundojë.
Një e moshuar në Delvinë, ku situata nga zjarret paraqitet akoma kritike kërkoi ndihmë nga shteti. Me lot në sy ajo tregon se ka mbetur pa shtëpi. Edhe pse në moshë të thyer, u mundua që të shuante flakët, por nuk ia doli dot.
“Të gjitha forcat kanë qenë këtu. U dogj shtëpia e stani. Nuk mund të them se nuk kanë qenë. Me një tubë ujë nuk mundemi dot. Sot ku janë aeroplanët që erdhën, pse u larguan. A e shove zjarrin? A ke ardhur për të ndihmuar, më ndihmo. Më zien zemra, ne e dimë se si jetojmë,"- u shpreh banorja.
Situata nuk është më e mirë në Gramsh. Edhe atje banorët e fshatrave të djegura janë evakuuar dhe para mediave tregojnë orët e tmerrit që kaluan teksa përballeshin me flakët dhe zjarrin. Disa prej tyre nuk kanë mundur që të shpëtonin as gjënë e gjallë. Kështu që, të mbetur në qiell të hapur kërkojnë ndihmë nga instancat shtetërore.
“Jam nga fshati Skënderbegas, mua më janë djegur 6 kasolle, një ndër to është një kasolle e deleve që kisha 10 kokë, kisha lopë me viçin që priste për të pjellë, dy gomarë ngarkese, të cilat janë shkrumbuar të gjitha. Banesa nuk është djegur por ka rënë një pemë në themel dhe ka rrezik për zjarr edhe aty. Sot kërkojmë ndihmë nga shteti, të na ndihmojnë. Jemi dy pleq të sëmurë. Kisha tensionin 20 sot. Unë tërhiqja burrin, burrin mua, hajde të ikim i thosha, mos të rrimë më këtu se na erdhi flaka,”-tha një e moshuar.
Një tjetër zonjë, nënë me fëmijë ka të njëjtin hall me të. Ajo tregon se ka mbetur pa shtëpi dhe e vetmja zgjidhje për të tashmë është që të kërkojë ndihmën e shtetit.
“Ne e përjetuam shumë keq. Të na ndihmojë shteti sepse shtëpinë tonë e kishim me qera dhe nuk e di nëse është djegur apo jo. Në atë moment mendova për jetën e fëmijëve dhe familjen se shtëpia dhe rregullohet. Zjarri ra në moment. Pylli ishte me pisha dhe mori flakë direkt. Më pas era i përcillte flakët në disa anë. Autoritetet kanë ndërhyrë me vonesë. Ishte e nevojshme për shumë ujë se zjarri ishte vende-vende,”- u shpreh banorja e një prej fshatrave të djegura në Gramsh.
Edhe në Nartë situata po bëhet po aq kritike! Banorët po braktisin shtëpitë që nga momenti në moment mund të përpihen nga flakët që po përhapen me shpejtësi. Me lot në sy, të dëshpëruar dhe të kapur nga paniku, edhe këto familje po kërkojnë që të shpëtojnë të vetmet pasuri që kanë: gjënë e gjallë.
“Tërë plaçkat atje i kam lënë. Asgjë nuk shpëtuam. Ku të iki, unë do të digjem atje brenda. Tërë plaçkat kam lënë aty, siç kam punuar 70 vjet, ç’e desha jetën time,”- u shpreh një banore.
Prej ditësh dy vatrat më aktive të zjarrit ku situata paraqitet e rëndë janë Delvina dhe Gramshi. Në Delvinë, zjarri është përhapur në rrethinat e qytetit, teksa nga ajri janë aktivizuar 2 helikopterë. Ndërsa në Gramsh situata vijon të jetë alarmante./ZËRI
Thirrje URGJENTE! Ministria:Të evakuuohen menjëherë banorët e Nartës, Gramshit dhe Delvinës
TIRANË- Situata me zjarret vijon të jetë problematike. Flakët po përpijnë dhjetëra hektarë toke, ndaj në këto kushte, Ministria e Mbrojtjes ka bërë thirrje për evakuuimin e banorëve nga 3 zona të vendit. Për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarreve është kërkuar evakuuimi në Nartë, Skënderbegas (Gramsh) dhe Delvinë.
THIRRJE URGJENTE PËR EVAKUIM
Për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarreve në Nartë, Skënderbegas (Gramsh) dhe Delvinë, u bëjmë thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës dhe të evakuohen menjëherë drejt zonave të sigurta./ZËRI
Situata me zjarret në vend/ Ministria bën "skanerin": Ministria e Mbrojtjes: Gramshi dhe Delvina, problem. Zonat e tjera po stabilizohen
TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka bërë një bilanc të situatës së zjarreve gjatë 24 orëve të fundit. Në të gjithë territorin janë evidentuar 64 vatra zjarri, prej të cilave 24 janë ende aktive. Edhe sot, zonat më të rrezikuara janë Gramshi dhe Delvina, tek të cilat po kryhet ndërhyrja me helikopter nga ajri. Por situata duket se nuk ka gjasa që të përmirësohet. Sipas të dhënave meteorologjike, temperatura të larta dhe erëra të forta priten në orët e mesditës, duke rritur rrezikun për përhapjen e zjarreve. Ndaj edhe autoritetet kërkojnë nga qytetarët të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre dhe të raportojnë çdo vatër të re menjëherë.
Situata më problematike:
Delvinë: Zjarri ka përfshirë fshatrat Pecë, Sirakat dhe Kardhikaq. Në fshatin Vllahat po ndërhyhet nga ajri me helikopterë të huaj.
Finiq: Flakët vijojnë të përhapen nga Syri i Kaltër deri në malet e Gjerës dhe Sopotit.
Gramsh: Zjarri në Kullollas dhe Skënderbegas ka shkaktuar dëme dhe një viktimë. Puna për shuarjen vazhdon, përfshirë ndihmën ajrore.
Tepelenë: Në Turan, zjarri është përhapur drejt Lekelit dhe Koderit, duke djegur stalla dhe kafshë.
Shkodër: Në Xeth, vatra po mbahet nën kontroll nga forcat pyjore dhe zjarrfikësit.
Tiranë: Vatrat në Arbanë dhe Kryevidh të Rrogozhinës janë nën monitorim, me djegie të konsiderueshme të tokës dhe dy shtëpish të pabanuara.
Korçë: Ndërhyrja është e vështirë në Gërmenj për shkak të terrenit të vështirë dhe shpërthimeve municionesh.
Situata e zjarreve në rang vendi
Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 64 vatra zjarri, nga të cilat 24 vatra zjarri janë ende aktive. Mbi 10 mijë forca të emergjencave, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile ndodhen në terren dhe situata po shkon drejt stabilizimit. Operacioni i gjerë kundër zjarreve ka vijuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës, duke synuar kufizimin e perimetrit të flakëve pranë zonave të banuara dhe parqeve kombëtare në të gjithë vendin. Nga ajri po operojnë edhe tre helikopterë në Gramsh dhe dy të tjerë në Delvinë.
Situata në vatrat më problematike:
Qarku Vlorë – Bashkia Delvinë & Finiq
Në Delvinë, zjarri i depërtuar nga Syri i Kaltër ka përfshirë fshatrat Pecë, Sirakat dhe Kardhikaq, duke arritur deri pranë kurorës së bashkisë. Flakët u shtrinë nga Vllahati drejt Kakodhiqit, duke shkaktuar djegien e 5 shtëpive, prej të cilave 4 të pabanuara. Në operacione janë angazhuar 36 efektivë zjarrfikës me 5 mjete, 120 trupa të FA, forca të FNSH, Delta, Shqiponjat, policia vendore dhe bashkiake, si dhe 7 autobote uji. Zjarri është zhvendosur mbi fshatin Vllahat, ku po ndërhyhet nga ajri me helikopterë çek dhe sllovak.
Në Finiq, vazhdon aktive vatra që ka prekur zonën nga Syri i Kaltër deri në pllajën e malit të Gjerë dhe Sopotit. Në Bistricë, vatra po mbahet nën monitorim. Në Parkun e Rëzomës, mbi tunelin e Skërficës, zjarri vijon, por terreni i vështirë nuk lejon ndërhyrje.
Qarku Elbasan – Bashkia Gramsh
Në Kullollas dhe njësinë Skënderbegas, zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke përfshirë disa fshatra dhe shkaktuar një viktimë. Janë raportuar dëme në banesa. Situata mbetet e rëndë dhe po ndërhyhet nga ajri. Në Mukaj e Sojnik, zjarri vijon në sipërfaqe me shkurre dhe ferra, me forcat vendore dhe FA në terren.
Qarku Gjirokastër – Bashkia Tepelenë
Në Hormovë, rreziku për banesat është shmangur, por puna për shuarjen vazhdon. Në Turan, flakët janë përhapur drejt Lekelit dhe Koderit, duke djegur dy stalla dhe kafshë. Në terren kanë operuar forca zjarrfikëse, policore, bashkiake, vullnetare dhe ushtarake, si dhe helikopterë çek e sllovak.
Qarku Shkodër – Bashkia Fushë Arrëz
Në Xeth, vatra po digjet në një zonë me pisha. Janë angazhuar forca të shumta nga FA, MZSH, policia dhe shërbimi pyjor. Situata paraqitet më e qetë, por puna vijon për izolimin e plotë.
Qarku Tiranë
Në malin e Bërzhitës dhe fshatin Durishtë, zjarri është mbajtur nën kontroll me ndërhyrje nga ajri dhe toka. Në zonën Arbanë (Damjan e Isufaj), flakët morën përmasa të mëdha dhe u ndërhy me helikopter kroat. Në Ferraj dhe Zall-Herr, vatrat po mbahen nën monitorim, ndërsa në Kryevidh të Rrogozhinës janë djegur rreth 100 ha dhe dy shtëpi të pabanuara.
Qarku Dibër
Në malin me Gropa, Biz të Martaneshit, zjarri vazhdon në zonë të mbrojtur, larg banesave. Në Ternovë, operacioni vazhdon me forca vendore dhe të FA.
Qarku Korçë – Bashkia Kolonjë
Në Gërmenj, zjarri në pyjet me pisha zhvillohet në terren të vështirë, me shpërthime municionesh në perimetrin e flakëve. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë është e vështirë dhe po mbahet nën mbikëqyrje. Puna po vijon ndërkohë edhe në vatrat, ku nuk ka rrezik për banesa apo gjënë e gjallë.
Parashikimi i motit dhe rrezikshmëria për zjarre
Sipas të dhënave meteorologjike, vendi pritet të përballet me temperatura të larta dhe erëra të forta në orët e mesditës, çka rrit rrezikun për riaktivizimin dhe përhapjen e vatrave ekzistuese, si dhe krijimin e zjarreve të reja. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të re./ZËRI
FOTOLAJM: Delvina pas një nate ferri! Ushtarët e rraskapitur flenë në tokë
DELVINË- Në mëngjesin e kësaj të mërkure, qyteti i Delvinës u zgjua përballë një peizazhi tragjik: pyje, kodra e male të tëra kishin marrë flakë gjatë “një nate ferri”, duke lënë pas shkrumb e hi. Nga nata e gjatë dhe lufta me flakët, në mëngjes, pamjet ishin prekëse: ushtarë dhe zjarrfikës u shtrinë në tokë e ku të mundnin për pak gjumë. Pak pushim para se të rifillojnë betejën me flakët.

Edhe sot Delvina është në situatë kritike, por ende po kryehen ndërhyrje vetëm nga ajri. Zjarrfikësit e ardhur nga bashkitë e jugut por edhe të ardhur nga Tirana, bashkë forca të ushtrisë dhe banorë luftuan gjithë natën me zjarret./ZËRI
Zjarret në vend, Rama: Ata që ndezin zjarre duhet të marrin dënimin më të rëndë
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar për situatën e vështirë të zjarreve me të cilën po përballet vendi ynë. Në një reagim në Facebook, kreu i qeverisë ka falenderuar zjarrfikësit dhe të gjithë ata që po kontribuojnë për të shuar flakët. Por po ashtu, ka një koment edhe për "piromanët". Për ta, Rama kërkoi dënimin më të rëndë që parashikon ligji.
Edi Rama: Falenderim, respekt, mirënjohje me zemër për zjarrfikësit, forcat e ushtrisë, policinë, vullnetarët dhe banorët që po përballen me flakët, duke rrezikuar jetën për të mbrojtur njerëzit, shtëpitë dhe natyrën tonë. Ata që ndezin zjarre qëllimisht, shkatërrojnë pasurinë dhe rrezikojnë jetë, në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut sidomos, duhet të marrin dënimin më të rëndë që parashikon ligji
Prej ditësh dy vatrat më aktive të zjarrit ku situata paraqitet e rëndë janë Delvina dhe Gramshi. Në Delvinë, zjarri është përhapur në rrethinat e qytetit, teksa nga ajri janë aktivizuar 2 helikopterë. Ndërsa në Gramsh situata vijon të jetë alarmante./ZËRI
6 "zona të kuqe"! Vazhdon lufta me flakët, helikopterët të fokusuar në Gramsh dhe Delvinë
TIRANË- Vazhdon edhe sot aksioni për shuarjen e flakëve në vendin tonë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, edhe sot po vijon ndërhyrja nga ajri në Delvinë dhe në Gramsh. Ndërkohë që janë identifikuar edhe disa vatra të tjera zjarri në 6 lokacione të ndryshme nëpër Shqipëri.
NJOFTIMI I MINISTRISË:
Operacioni i gjerë kundër zjarreve ka vijuar pandalim gjatë gjithë orëve të natës për të kufizuar perimetrin e flakëve në afërsi të zonave të banuara dhe parqet kombëtare në mbarë Shqipërinë. Tre helikopterë po operojnë në Gramsh dhe dy të tjerë në Delvinë, ndërsa qindra efektivë të emergjencave lokale dhe të Forcave të Armatosura po punojnë pa u ndalur në zonat më të nxehta: Fushë Arrëz, Gramsh, Tepelenë, Dropull, Delvinë dhe Finiq./ZËRI