LIVE UPDATES

Zjarret rrethojnë Delvinën/ Qyteti i ngjan një apokalipsi, banorët largohen mes kaosit, flakët i afrohen Pusit të Naftës

➤ Zjarret përfshijnë Shqipërinë, Delvina dhe Gramshi në prag katastrofe. ➤ Situata më e rëndë aktualisht paraqitet në Delvinë, ku qyteti është pothuajse i rrethuar nga flakët. ➤Banorët raportojnë një pamje apokaliptike, tym dhe kaos, ndërsa shumë prej tyre janë larguar me nxitim. ➤ Zjarret i janë afruar rrezikshëm Pusit të Naftës dhe një impianti gazi, duke ngritur frikën për një katastrofë të mundshme industriale. ➤Ndërkohë, në Gramsh është shënuar viktima e parë nga zjarret në vend. ➤ Të gjitha të dhënat tregojnë se situata në Gramsh dhe Delvinë është kritike dhe ndër më të rëndat që ka përjetuar vendi këtë sezon zjarresh. Me temperaturat që vazhdojnë të rriten, shpresa e vetme mbetet ndërhyrja ajrore.

22 artikuj për këtë temë.
9 MUAJ ME PARE

"Nuk shihet më asgjë, vetëm tym, gjithçka u shkatërrua", rrëfimet e banorëve të fundit që kanë mbetur në Delvinë

Zjarret rrethojnë Delvinën/ Qyteti i ngjan një apokalipsi,
Pamje nga Delvina

DELVINË – Një natë ferri për banorët e Delvinës, të cilët panë me sytë e tyre dy lagje të periferisë së qytetit duke u djegur. Zjarri është i fuqishëm, temperaturat janë rekord, dhe sipas dëshmitarëve të fundit që kanë mbetur nëpër tarraca, situata është apokaliptike.

"Çdo gjë mori fund, gjithçka u shkatërrua. Këtu nuk shihet më asgjë, vetëm tym dhe kaos", – tha një banor për ZERI.

"Të gjithë janë larguar". Qyteti është mbuluar nga kaosi. Kam folur në telefon me disa banorë të qytetit që thonë se kanë arritur të evakuohen me nxitim. Sipas tyre, qyteti ndodhet në një gjendje anarkie totale, mes borive të makinave dhe britmave të atyre që po përpiqen të largohen.

Situata është në kufijtë e një katastrofe edhe në periferi të qytetit, atje ku ndodhen një impiant gazi dhe një pus nafte. Depozitat me mijëra tonë gaz përbëjnë rrezik për një shpërthim katastrofik.

Në vendngjarje është nisur ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, dhe helikopterë nga Forcat e Armatosura. "Askush nuk e mendonte që zjarri do përhapej kaq shpejt. Era dhe temperaturat e larta e sollën këtë në qytet", – tha një tjetër banor me të cilin komunikova në telefon.

Spitali i qytetit është mbyllur. Edhe stafi është larguar. Në çdo moment, Delvina ka nevojë për ndihmë. Për të marrë frymë, edhe nesër./ZËRI 

Raportoi: Fjola Graci

 

9 MUAJ ME PARE

“Apokalips” në Delvinë, zjarri i afrohet Pusit të Naftës, qyteti i rrethuar nga flakët, qindra banorë nxitojnë të largohen

Zjarret rrethojnë Delvinën/ Qyteti i ngjan një apokalipsi,
Delvinë

DELVINË- Delvina po përjeton orë tmerri. Zjarri i përmasave gjigante është afruar rrezikshëm pranë pusit të naftës, ndërsa qyteti është thuajse i rrethuar nga flakët. Në rrugë, qindra banorë po largohen me ngut nga banesat, duke marrë me vete vetëm ç’kanë mundur të shpëtojnë.

Zjarrfikësja mungon ende në terren dhe askush nuk e di kur do të mbërrijë ndihma. Era e fortë po e përhap zjarrin me shpejtësi, ndërsa tymi i zi ka mbuluar qiellin e qytetit. Autoritetet lokale u bëjnë thirrje banorëve të mos presin minutën e fundit për t’u evakuuar./ZËRI

9 MUAJ ME PARE

Delvina në prag katastrofe, flakët gati të përfshijnë spitalin, nis heqja e bombolave të oksigjenit

Zjarret rrethojnë Delvinën/ Qyteti i ngjan një apokalipsi,
Delvinë

Delvinë- Përshkallëzohet situata e zjarrit në Delvinë. Flakët i janë afruar spitalit të qytetit dhe gjendja cilësohet si kritike. Për të shmangur aksidente tragjike, është urdhëruar largimi i bombolave të oksigjenit në spital, që të mos shkaktojnë shpërthime dhe viktima.


Largimi i tyre po bëhet nga punonjësit dhe stafi. Gjithashtu burime për ZËRI bëjnë me dije se i gjithë stafi i spitalit është në gatishmëri dhe në perimetër sigurie përreth godinës./ZËRI

9 MUAJ ME PARE

Zjarri në Tepelenë, përkeqësohet situata në Lekël, shpërthejnë dy bomba të Luftës së Dytë Botërore

Zjarret rrethojnë Delvinën/ Qyteti i ngjan një apokalipsi,
Tepelenë

TEPELENË- Situata nga zjarret në Tepelenë është përkeqësuar ndjeshëm, veçanërisht në zonën e Leklit, ku flakët kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe kanë nxjerrë në pah rreziqe të papritura. Gjatë përhapjes së zjarrit, janë regjistruar dy shpërthime të fuqishme, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga bomba të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore.

Flakët kanë përfshirë disa banesa, tre stane dhe disa hektarë pyje, duke lënë pas një panoramë shkatërrimi. Banorët raportojnë se zjarri është përhapur me shpejtësi për shkak të erërave të forta dhe terrenit të vështirë, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen efektive nga toka.

Forcat zjarrfikëse dhe emergjencat civile ndodhen në terren, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e ndërhyrjes nga ajri për të frenuar përhapjen e flakëve. Në zonë mbetet i lartë rreziku për banesat e tjera, ndërkohë që banorët janë evakuuar nga pikat më të rrezikuara. Policia e Shtetit ka bërë thirrje për evakuiim total të dy fshatrave, Lekël dhe Hormovë.

Ekspertët e xhenios pritet të verifikojnë terrenin për praninë e municioneve të tjera të pashpërthyera, duke qenë se zjarri mund të aktivizojë pajisje të rrezikshme të mbetura nëntokë që prej luftës. Situata vijon të jetë kritike./ZËRI

9 MUAJ ME PARE

Flakë masive në mbarë vendin, Ambasada e SHBA paralajmëron qytetarët amerikanë: Shmangni zonat e prekura

Zjarret rrethojnë Delvinën/ Qyteti i ngjan një apokalipsi,
Foto ilustruese

TIRANË- Ambasada e SHBA në Tiranë ka lëshuar një mesazh emergjence për qytetarët amerikanë në Shqipëri, duke i paralajmëruar për rrezikun nga zjarret masive që kanë përfshirë disa zona të vendit. Autoritetet amerikane u bëjnë thirrje të shmangin zonat nën urdhër evakuimi, të ndjekin udhëzimet e policisë dhe të marrin masa për mbrojtjen nga thithja e tymit, ndërsa disa rajone vijojnë të jenë në situatë kritike.


MESAZHI I PLOTË:


Ambasada e SHBA në Tiranë po monitoron disa zjarre në mbarë vendin dhe u bën thirrje të gjithë qytetarëve amerikanë të tregojnë kujdes në zonat e kërcënuara nga flakët. Disa zona në mbarë vendin janë nën urdhër evakuimi. Qytetarët amerikanë në Shqipëri që kanë nevojë për ndihmë mund të kontaktojnë Ambasadën e SHBA në numrin 4224-7285 (duke telefonuar nga Shqipëria) ose +355-4224-7285 (duke telefonuar nga jashtë Shqipërisë), ose me email: [email protected].


Veprimet që duhen ndërmarrë:
• Qytetarët amerikanë duhet të shmangin zonat e prekura, veçanërisht ato nën urdhër evakuimi, dhe të ndjekin udhëzimet e policisë për mbylljet e rrugëve ose pengesat në trafik. Monitoroni lajmet lokale për përditësime mbi situatën e zjarreve dhe planifikoni rrugët tuaja në përputhje me rrethanat. Google Maps mund të ofrojë gjithashtu informacion në kohë reale mbi mbylljet e rrugëve dhe aktivitetin e zjarreve.
• Zjarret janë të zakonshme në Shqipëri. Thithja e tymit paraqet rrezik serioz për shëndetin, edhe nëse nuk jeni pranë flakëve. Nëse një zjarr ndodhet pranë vendndodhjes suaj, përfshirë banesën, evakuohuni menjëherë drejt një zone të paprekur.
• Mos u përpiqni të kaloni me makinë në zona të prekura nga zjarret ose tymi i dendur. Zgjidhni një rrugë tjetër ose shtyni udhëtimin nëse nuk ka rrugë alternative. Nëse nuk keni zgjedhje tjetër përveçse të kaloni në zonë me tym, ngisni ngadalë, mbani dritaret mbyllur, ajrimin nga jashtë të mbyllur dhe fenerët ndezur për dukshmëri më të mirë.
• Këshillohet fort që qytetarët amerikanë në zonat e prekura, nëse janë të sigurt, të monitorojnë lajmet lokale dhe të kontaktojnë drejtpërdrejt të afërmit ose të përditësojnë statusin e tyre në rrjetet sociale./ZËRI

9 MUAJ ME PARE

Banorët e Gramshit përplasen me policinë: Erdhët me vonesë, shtëpia m’u dogj! 50 metra larg ishit!

Zjarret rrethojnë Delvinën/ Qyteti i ngjan një apokalipsi,
Gramsh

GRAMSH- Zjarret masive që kanë përfshirë disa fshatra në Shqipëri kanë goditur më rëndë zonën e Gramshit, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe frikë tek banorët. Situata është përshkallëzuar në fshatin Harunas, ku pasditen e së martës disa banorë janë përplasur me policinë, duke shprehur indinjatën për mungesën e ndërhyrjes në kohë.

Banorët tregojnë se flakët kishin nisur që një ditë më parë, por ndihma ka mbërritur vetëm mëngjesin e sotëm.
“Që dje atje lart ka qenë flaka. Policia ka ardhur sot në orën 9:00. Erdhën pasi u përvëluam. Përse nuk erdhën dje avionët, por sot? Tetë avionë mbushën një kovë me ujë dhe ikën. Janë djegur gjithë ata që kanë punuar një jetë të tërë,” tha një prej tyre.

Një tjetër banor thekson se shtëpitë e rrezikuara ndodheshin vetëm 50 metra nga rruga kryesore, por ndihma nuk ka ardhur:
“Nuk ishin as 50 metra larg dhe nuk erdhën. Vetëm 4 familje ishin atje. Një familje ende ndodhet në zonë.”

Dëmet materiale janë të mëdha, ndërsa disa familje raportojnë se janë detyruar të largohen vetë, pa ujë dhe pa mbrojtje, duke lënë pas edhe bagëtitë.
“Banesa ime është djegur plotësisht, rreth 100 milionë lekë dëm. Kam dhe bagëti, i lamë mbyllur brenda,” tregon një banor tjetër.

Ndërkohë, autoritetet vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit, por banorët në Gramsh thonë se dëmi tashmë është i pariparueshëm./ZËRI

9 MUAJ ME PARE

Flakë masive në Tepelenë, rrezikohet fshati i Hormovës! Nis evakuimi i banorëve me urgjencë

Zjarret rrethojnë Delvinën/ Qyteti i ngjan një apokalipsi,
Zjarret në Tepelenë

TEPELENË- Zjarret që kanë përfshirë qarkun e Gjirokastrës prej disa ditësh janë përshkallëzuar, duke e bërë zonën e Tepelenës më të prekurën nga flakët. Pas përfshirjes së fshatit Leklit, vatrat janë përhapur me shpejtësi dhe kanë mbërritur deri në Hormovë, duke djegur sipërfaqe të mëdha pyjore.

Flakët ndodhen shumë pranë banesave dhe po kërcënojnë drejtpërdrejt fshatin. Për shkak të rrezikut, ka nisur evakuuimi i banorëve, ndërsa kërkohet ndërhyrje urgjente nga ajri për të frenuar përhapjen e zjarrit dhe për të parandaluar një tragjedi më të madhe.

Forcat zjarrfikëse dhe emergjencat civile ndodhen në terren, por kushtet e vështira të terrenit dhe erërat e forta po e bëjnë të vështirë vendosjen nën kontroll të flakëve. Situata mbetet kritike./ZËRI

9 MUAJ ME PARE

Përkeqësohet situata në Tepelenë, digjet kisha shekullore, zjarri te “Syri i Kaltër” del në rrugë

Zjarret rrethojnë Delvinën/ Qyteti i ngjan një apokalipsi,
Digjet kisha

TEPELENË- Temperaturat përvëluese të mesditës, mbi 40°C, të kombinuara me erërat e forta, kanë përkeqësuar ndjeshëm situatën e zjarreve në zonën e Tepelenës, duke e kthyer malin e Golikut dhe fshatin Lekël në një skenë të frikshme flakësh. Përhapja e zjarreve ka prekur rëndë një monument kulture: një pjesë e kishës së vjetër të fshatit Lekël, e ndërtuar në vitet 1800 nga Thanas Vaja, ish-sekretari i Ali Pashë Tepelenës. Kisha është shkrumbuar nga zjarri.

Flakët po ashtu kanë djegur mbi 10 hektarë kullota dhe që nga mbrëmja e djeshme kanë përpirë pesë stane. Terreni i thyer ka vështirësuar ndërhyrjen nga toka, ndërsa operacionet nga ajri nisën me vonesë. Aktualisht, rreth 100 efektivë të Forcave të Armatosura dhe zjarrfikës nga Gjirokastra, Tepelena dhe Libohova po luftojnë me vatrat e zjarrit. 

Situata është alarmante edhe në zonën turistike të “Syrit të Kaltër”, ku flakët janë afruar në rrugë./ZËRI 

9 MUAJ ME PARE

Zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: Përkeqësohet situata në Gramsh! Flakët në Poliçan dalin jashtë kontrollit

Zjarret rrethojnë Delvinën/ Qyteti i ngjan një apokalipsi,
Pamje nga zjarret ne vend

TIRANË- Nga 19 që ishin në mëngjes, në vendin tonë janë shtuar vatrat e zjarrit. Ministria e Mbrojtjes bëri me dije sot në orën 16:55, se janë evidentuar 37 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 30 janë ende aktive. Më problematike është situata në Elbasan. Pasi janë djegur dy fshatra, zjarri po shkon edhe drejt Skenderbegasit, ku rrezikohen gjithashtu banesat. Po ashtu është përkeqësuar situata edhe në Poliçan ku janë djegur tre shtëpi. Aktualisht raportohet se nga flakët masive rrezikohen edhe banesa të tjera në fshatrat Voskopolë, Zhapokik, Rehovë dhe Tërpan.

Informacion mbi situatën e zjarreve:

Aktualisht janë evidentuar 37 vatra zjarri, nga të cilat 30 vatra zjarri janë aktive:

Qarku Elbasan.

Problematike paraqitet situata nga zjarri që nisi në fshatin Kullollas, Njësia administrative Skënderbegas, bashkia Gramsh. Po bëhet evakuimi i banorëve, një pjesë e të cilëve kanë vështirësi të dalin nga zona e mbuluar nga tymi.
U përkeqësua situata në Skënderbegas. Zjarri po shkon drejt fshatit Skenderbegas, ku rrezikohen gjithashtu banesat. Një helikopter ka shkuar në vatrën e zjarrit në fshatin Skëndërbegas. Si pasojë e zjarrit është raportuar një humbje jete.

Në fshatin Mukaj dhe fshatin Sojnik, njësia administrative Kukur, bashkia Gramsh vijon të jetë aktiv zjarri në sipërfaqe me shkurre dhe ferra në situatë të rënduar. Mbi 150 forca tokësore punojnë për izolimin e zjarrit. Është kërkuar ndërhyrja me 50 forca operacionale FA. Në terren janë edhe forcat zjarrfikëse të Elbasanit dhe Gramshit afër fshatit Snosëm e Sojnik të shoqëruara edhe nga punonjës bashkiak e banorë të zonës.

Qarku Vlorë.

Në bashkinë Finiq, vazhdon të jetë aktive vatra e zjarrit dhe problematike e nisur në fshatin Krane, njësia administrative Mesopotam, e cila tashmë ka kaluar në fshatin Pecë. Kjo vatër është shumë pranë Parkut Natyror të Syrit të Kaltër. Në terren operuan 4 mjete zjarrfikëse me 31 efektivë të MZSH Finiq, Delvinë, Sarandë dhe Dropull të ndihmuar nga FA me 4 mjete zjarrfikëse dhe 58 forca ushtarake. Në këtë zonë ka operuar edhe Helikopteri i Forcës Ajrore si dhe 2 avionë grek PZL, 1 helikopter Çek dhe 1 Sllovak. Zjarri, gjithashtu ka prekur fshatrat Kardhikaq dhe Sirakat të bashkisë Finiq dhe me drejtim të kufirit të bashkisë Delvinë. Nga ana e bashkisë Delvinë po merren masa me skrepa, duke hapur breza mbrojtës. Vlen të theksohet se risku është i lartë dhe është kërkuar ndërhyrje nga ajri për t'i paraprirë çdo situate të mundshme. Në bashkinë Finiq, vatra e zjarrit pranë varrezave në lagjen Vrion është shuar. Në terren kanë operuar 6 forca operacionale nga FA, 1 mjet FA, 6 forca dhe 2 mjete nga MZSH Sarandë dhe Delvinë. Sipërfaqja e djegur është kryesisht shkurre rreth 1 ha. Në parkun e “Rëzom” (zonë e mbrojtur), te maja e “Lucës”, njësia administrative Vergo, mbi tunelin e Skërficës. Situata paraqitet e qëndrueshme. Në bashkinë Vlorë është shuar vatra e zjarrit e evidentuar në afërsi të karburant “Penta” në pyllin e Sodës. Gjithashtu, raportohen edhe dy vatra zjarri, në fshatin Sevaster, Nj.a Sevaster, për ku është nisur mjeti zjarrfikës Selenic me efektiv e saj, dhe në fshatin Mesaplik Nj.a Brataj, ku është nisur 1 mjet me 3 efektiv zjarrfikës nga bashkia Vlorë.

Qarku Dibër.

Në Malin me Gropa në Biz të Martaneshit, Bashkia Bulqizë në zonë të mbrojtur vazhdon aktiv kjo vatër zjarri. Situata po mbikëqyret nga autoritetet vendore. Vatra e zjarrit e aktivizuar në fshatin Xibër Murriz, njësia administrative Xibër, bashkia Klos është izoluar dhe po mbahet në monitorim nga autoritetet vendore. Vatra e zjarrit në Ternovë të Nja. Zerqan, Bashkia Bulqizë ndihmuar nga era po shtrin perimetrin. Forcat po punojnë me intensitet për të neutralizuar flakët.

Qarku Berat.

Në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, vazhdon aktive vatra e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Momentalisht në këtë vatër po operojnë 35 forca FA, 35 forca dhe 6 mjete të MZSH së qarkut Berat, 15 forca dhe 3 mjete nga MZSH Berat, 15 forca dhe 3 mjete MZSH Poliçan, 5 forca dhe 1 mjete MZSH Skrapar. Situata e zjarrit në Bashkinë Poliçan, Njësia Administrative Terpan, ka dalë jashtë kontrollit dhe ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duke rrezikuar djegien e fshatrave përreth. U kërkohet banorëve të fshatrave Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik dhe Panarit, si dhe zonave brenda Rezervatit të Mbrojtur “Balloll”, të largohen menjëherë nga banesat dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt. Në fshatin Velçan, Njësia Administrative Sinjë, Berat është aktivizuar një vatër e re zjarri. Në vëndngjarje janë duke punuar grupi i shërbimit dhe një mjet zjarrfikës prej 1 ore.

Qarku Tiranë.

Vijon aktive vatra e zjarrit të rënë në vendin e quajtur “Mali i Bërzhitës”, fshati Ibë, njësia administrative Bërzhitë, bashkia Tiranë. Forcat operacionale vazhdojnë të angazhuara, 3 mjete zjarrfikëse dhe 12 forca operacionale. Aktualisht po operon edhe një mjet ajror. Vatra e zjarrit e nisur në fshatin Stërbeg, njësia administrative Kryevidh është shuar . Janë angazhuar 50 forca të FA, dhe 31 zjarrfikës. Vatra e zjarrit në fshatin Hemenraj, Njësia Administrative Sinaballaj u shua. Vatrat e zjarrit në fshatin Hajdaraj, njësia Administrative Synej, bashkia Kavajë, është shuar. Në fshatin Damjan dhe Isufaj, zona Arbanë, njësia administrative Vaqarr, vazhdon zjarri. Aktualisht, në terren po veprojnë 20 forca zjarrfikëse me 6 mjete, të mbështetura nga 8 forca të APR-së, 8 forca të Policisë Bashkiake si dhe 5 forca të Policisë së Shtetit. Për momentin s’ka rrezik për banesa, por zjarri po përparon në drejtim të Pezë Helmës. Në fshatin Spanesh, Nj.a Kryevidh, qyteti Rrogozhinë zjarri ka përparuar pranë disa banesave, ndaj forcat e policisë të komisariatit Kavajë kanë vijuar me evakuimin e banorëve. Në fshatin Ferraj dhe Zall-Herr, bashkia Tiranë vazhdon zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Në terren po operojnë MZSH Tiranë, në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse të 50/1 Institutit Bujqësor dhe grupet e gatshme, po vijon punën për izolimin e vatrës së zjarrit. Në terren ndodhen 10 forca zjarrëfikëse me 2 mjete të B. Tiranë, 10 forca zjarrëfikëse me 2 mjete të B. Kamëz, 5 forcat e APR-së, si dhe forca të Policis së Shtetit.

Qarku Durrës.

Zjarri në fshatin Barkanesh, njësia administrative Krujë, bashkia Krujë po shkon drejt normalizimit dhe nuk ka përhapje. Forcat do të vijojnë të qëndrojnë në monitorim të situatës. Është aktivizuar një vatër e re zjarri në fshatin Arapaj, ku janë duke u djegur shkurre dhe barishte. Është aktivizuar 1 mjet zjarrfikës nga Autoriteti Portual Durrës me grupin e shërbimit. Janë shuar vatrat e zjarrit në Ishëm dhe Spitallë. Janë njoftuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës për hetime me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe shkakut.

Qarku Gjirokastër.

Në fshatin Turan, njësia administrative Qendër Tepelenë, bashkia Tepelenë, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit, i cili u përhap në drejtim të fshatit Lekel dhe Koder. Në terren operuan forca dhe mjete nga gjithë qarku Gjirokastër, me 6 automjete zjarrfikëse me 23 efektivë, 20 forca policore, 20 forca bashkiake, 15 forca vullnetare dhe 20 forca ushtarake. Sot ka patur ndërhyrje nga ajri përmes helikopterëve çekë dhe sllovakë. Në fshatin Hormovë, bashkia Tepelenë ka rënë një vatër zjarri, ku kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse të bashkisë Tepelenë së bashku me trupat e FA për të mos lejuar kalimin e zjarrit në fshat. Gjithashtu, në bashkinë Memaliaj ka rënë zjarr midis fshatrave Qesarat dhe Iliras, duke marrë drejtimin për në fshatin Kosbtan , Nja. Qesarat, zjarri ka shkuar drejt teqesë së Koshtanit. Forcat zjarrfikëse të Bashkisë Memaliaj ndodhen në vendin e ngjarjes.

Qarku Shkodër.

Zjarri në hyrje të qytetit Pukë është në kontroll dhe nuk paraqet risk. Në bashkinë Pukë, zjarri në Mesul ndodhet aktualisht nën kontroll. Në operacion janë angazhuar gjithsej 22 forca, përfshirë 5 efektivë të MZSH-së, 10 nga njësia administrative, 5 nga shërbimi pyjor, 2 nga policia, si dhe banorë të zonës. Situata po monitorohet nga afër, pasi në terren fryn erë e fuqishme që mund të riaktivizojë flakët. Në fshatin Xhath, njësia administrative Fushë Arrëz, bashkia Fushë Arrëz ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pisha, të pa aksesueshme nga forcat tokësore. Situata ka qenë shumë e vështirë dhe zjarri ka marrë përmasa. Gjatë ditë së sotme janë angazhuar: 65 forca të ushtrisë me 2 mjete zjarrfikëse; 16 efektivë të MZSH Fushë-Arrëz me 2 mjete zjarrfikëse; 22 inspektorë të shërbimit pyjor; 55 punonjës të administratës dhe shërbimeve; 16 efektivë të Policisë së Shtetit; 3 përfaqësues të AKMC-së. Falë ndërhyrjes së koordinuar, deri tani është bërë e mundur shpëtimi i banesave që ishin në rrezik në fshatrat Xhath dhe Flet. Aktualisht po punohet me intensitet të lartë për izolimin dhe shuarjen e vatrave në disa drejtime, megjithëse terreni i vështirë dhe temperaturat e larta e bëjnë shumë të vështirë zhvillimin e operacionit. Në zonën pyjore Baks–Rrjoll, pjesë e PUTM Lumi Buna, NJ.a Velipojë është shfaqur një vatër zjarri në Knetën e Domnit në sipërfaqe me kallamishte, aktualisht e izoluar nga sipërfaqja ujore, ku po punohet intensivisht për fikjen nga forcat zjarrfikëse, strukturat e Emergjencave Civile, forca vullnetare dhe administratori i njësisë. Vatra e zjarrit në Ura e Shtrejtë, Njësia Administrative Postribë raportohet se ndodhet larg banesave dhe nuk paraqet rrezik të menjëhershëm. Po punohet për izolimin e tij nga forcat e Shërbimit Pyjor, Emergjencave Civile dhe banorë vullnetarë të fshatit.

Qarku Lezhë.

Në fshatin Mabë, njësia administrative Dajç, bashkia Lezhë ka rënë një vatër zjarri. Mjetet zjarrfikës kanë shkuar në vendngjarje me efektivët përkatës.

Qarku Kukës.

Është aktivizuar një vatër zjarri në fshatin Gegaj, Nj.a Tropojë e Vjetër, bashkia Tropojë. Vatra ngelet aktive, por e izoluar dhe pa rrezik për përhapje. Në bashkinë Kukës vatra e zjarrit në zonë pyjore Parku Natyror i Monellës në vendin e quajtur Maja e Zezë, fshati Shëmri Nj.a Malzi vazhdon të jetë aktive. Nga forcat e angazhuara po punohet për izolimin e kësaj vatre zjarri. Për izolimin e saj janë angazhuar 9 forca të MZSH-së, 5 punonjës të AdZM-së Kukës dhe 3 punonjës të Nj. Adm. Malzi Bashkia Kukës. Ndërsa vatra e zjarrit në fshatin Gegaj, Nj. Adm. Tropojë e vjetër bashkia Tropojë është shuar plotësisht.

Qarku Dibër.

Në fshatin Vat të Nja. Martanesh ka rënë një vatër zjarri, ku rrezikohen disa banesa, në të cilën kanë shkuar forca të Policisë së Shtetit, forca të njësisë dhe në mbështetje menjëherë është nisur një zjarrfikëse për të mbrojtur banesat. Policia e Shtetit po ndjek mundësinë e evakuimit të banorëve sipas rrezikut.

Qarku Korçë

Në fshatin Gërmenj, njësia administrative Qendër Leskovik, bashkia Kolonjë është aktivizuar një vatër zjarri në një sipërfaqe me pyje pishe. Terreni është i vështirë dhe forcat operacionale e kanë të pamundur ndërhyrjen. Nga raportimet e deritanishme, zjarri në Parkun Natyror të Gërmenjit, Bashkia Kolonjë, kufiri me Greqinë vijon të jetë aktiv, forcat janë në terren, ku po ndeshen me predha te mbetura nga koha e luftës, nevojitet ndërhyrje për t'i asgjësuar.

Qarku Fier.

Nga qarku i Fierit raportohet se në fshatin Gjonc-Selisht, Nj.a Cakran, ka rënë zjarri në një sipërfaqe me ullishte dhe shkurre, në të cilën ndodhen 2 mjete zjarrëfikëse me efektivët përkatës. Mjete Ajrore që po operojnë: 2 Black Haëk nga Emiratet e Bashkuara Arabe; 1 Black Haëk nga Republika Çeke; 1 Black Haëk nga Sllovakia; 1 Black Haëk nga Forcat e Armatosura te Shqipërisë./ZËRI

9 MUAJ ME PARE

Situata me zjarrin del jashtë kontrollit edhe në Poliçan, urdhërohet evakuimi i banorëve

Zjarret rrethojnë Delvinën/ Qyteti i ngjan një apokalipsi,
Pamje nga vendi i ngjarjes

POLIÇAN- Situata e zjarrit ka dalë jashtë kontrollit edhe në Bashkinë Poliçan, më konkretisht në Terpan. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duke rrezikuar djegien e fshatrave përreth. Kështu është kërkuar evakuuimi i banorëve të fshatrave Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik dhe Panarit, si dhe zonave brenda Rezervatit të Mbrojtur “Balloll”.

URDHËR EVAKUIMI

Situata e zjarrit në Bashkinë Poliçan, Njësia Administrative Terpan, ka dalë jashtë kontrollit dhe ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duke rrezikuar djegien e fshatrave përreth. U kërkohet banorëve të fshatrave Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik dhe Panarit, si dhe zonave brenda Rezervatit të Mbrojtur “Balloll”, të largohen menjëherë nga banesat dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt./ZËRI

9 MUAJ ME PARE

Zjarr edhe në Tiranë, Ministria evakuuon fshatrat Spanesh dhe Kazie

Zjarret rrethojnë Delvinën/ Qyteti i ngjan një apokalipsi,
Pamje nga evakuuimi

TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka ndarë sërish një tjetër njoftim të rëndësishëm për mediat. Përveçse në Gramsh ka kërkuar evakuuimin e banorëve në fshatrat e malësisë së Tiranës. Më konkretisht në fshatrat Spanesh dhe Kazie. Në terren janë ekipet e emergjencës dhe Forcat e Armatosura që po evakuojnë banorët.

NJOFTIMI NGA MINISTRIA:

Tiranë

Në fshatrat Spanesh dhe Kazie, ekipet e emergjencës dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë po evakuojnë banorët nga banesat për shkak të përkeqësimit të situatës nga zjarret. Terreni është i vështirë dhe flakët po përhapen me shpejtësi, ndërsa po bëhen përpjekje maksimale për të garantuar sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve./ZËRI

9 MUAJ ME PARE

Përkeqësohet situata edhe në Skënderbegas të Gramshit, MM: Largohuni menjëherë nga banesat!

Zjarret rrethojnë Delvinën/ Qyteti i ngjan një apokalipsi,
Foto ilustruese

GRAMSH- Sa vjen dhe përkeqësohet situata në Gramsh. Tashmë, Ministria e Mbrojtjes ka bërë thirrje që edhe banorët e fshatit Skënderbegas të lënë banesat e tyre. Shkak janë bërë flakët që po u kërcënojnë jetën. 

NJOFTIM URGJENT PËR EVAKUIM

Për shkak të zjarreve, banorët e Skënderbegasit të largohen menjëherë nga banesat dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt./ZËRI

9 MUAJ ME PARE

Situata kritike me flakët në Gramsh, humb jetën 80-vjeçari që ndezi zjarrin

Zjarret rrethojnë Delvinën/ Qyteti i ngjan një apokalipsi,
Pamje nga zjarri

GRAMSH- Një 80-vjeçar nga Gramshi është bërë viktima e parë nga zjarret në vend. I moshuari kishte ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij në fshatin Kullollas, por zjarri i doli nga kontrolli duke i marrë jetën. Përveç kësaj, flakët janë përhapur nga era dhe aktualisht kanë shkrumbuar 2 fshatra, ndërsa të tjerë janë ende në rrezik. Aktualisht, po punohet për evakuuimin e banorëve në mënyrë që të mos rrezikohen jetë të tjera. 

NJOFTIMI I POLICISË:

Gramsh/Informacion paraprak

Rreth orës 11:00, dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç, ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit. Dyshohet se si pasojë e asfiksimit, ky shtetas ka humbur jetën.

Shërbimet e Policisë, të Zjarrfikëses dhe të Emergjencave Civile kanë shkuar menjëherë në zonë, ku po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit, si dhe për evakuimin e banorëve të fshatrave në të cilat janë përhapur flakët. Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po heton për të zbardhur dhe dokumentuar shkakun e zjarrit dhe rrethanat e tjera të rastit./ZËRI

9 MUAJ ME PARE

ME VIDEO- Pamje apokaliptike nga Gramshi, zjarret po shkrumbojnë disa fshatra

Zjarret rrethojnë Delvinën/ Qyteti i ngjan një apokalipsi,
Pamje nga zjarri

GRAMSH- Në zonën e Gramshit është shënuar situata më e rëndë me zjarret në vendin tonë. Flaka e ndjekur nga një 80-vjeçar ka shkumbuar disa fshatra dhe i ka kushtuar vetë jetë të moshuarit. Flakët e zjarrit kanë dalë jashtë kontrollit dhe kanë bllokuar të gjitha rrugët duke e bërë të pamundur ndërhyrjen e zjarrfiksëve. Kështu që e vetmja shpresë mbetet ndërhyrja nga ajri.

Siç duket edhe nga pamjet e siguruara nga Ministria e Mbrojtjes, mbi Gramsh po fluturojnë disa helikopterë që po tentojnë të shuajnë flakët...por ende nuk ia kanë dalë!

Për shkak të pamundësisë që në zonë të ketë ndërhyrje nga zjarrfikësit, banorët e fshatrave përreth janë angazhuar në mënyrë vullnetare për të ndihmuar në përballimin e situatës./ZËRI

9 MUAJ ME PARE

KODI I KUQ! Flakët shkrumbojnë tërësisht fshatrat Kullollas dhe Bletëz

Zjarret rrethojnë Delvinën/ Qyteti i ngjan një apokalipsi,
Foto ilustruese

GRAMSH- Me çdo minutë që kalon, situata sa vjen dhe përkeqësohet në Gramsh. Arif Feimi, administrator i njësisë Skënderbegas ka zbuluar se në terren situata është shumë e vështirë.

Sipas tij, flakët kanë djegur plotësisht fshatrat Kullollas dhe Bletëz. Feimi shtoi se në këto zona vijon aksioni për të larguar banorët.

"Situara shumë e rëndë, po ndërhyhet për të shpëtuar fshatin Skënderbegas,"-bëri me dije administratori Arif Feimi.

Për shkak se i gjithë fshati është rrethuar nga zjarri, në Bulçar banorët po punojnë vetë për shuarjen e flakëve pasi në terren nuk ka asnjë zjarrfikës./ZËRI

9 MUAJ ME PARE

Zjarret rrethojnë fshatrat në Gramsh, gruaja me dy fëmijë bllokohet në një fermë

Zjarret rrethojnë Delvinën/ Qyteti i ngjan një apokalipsi,
Pamje nga Gramshi

GRAMSH- Tashmë është zyrtare, flakët kanë dalë jashtë kontrollit në Gramsh! Një grua është bllokuar në fermë bashkë me dy fëmijë në Bulçar të Gramshit dhe kërkon ndihmën e autoriteteve për të t'u evakuuar.

Pas marrjes së sinjalit, ekipet e Emergjencave Civile po tentojnë që gruaja dhe të gjithë banorët e tjerë të ngujuar të fshat të evakuuohen nga krahu i fshatrave të Skraparit. Megjithatë operacioni ende nuk ka nisur./ZËRI

9 MUAJ ME PARE

Zjarri në Malin e Koshnicës në Gramsh, humb jetën një i moshuar

Zjarret rrethojnë Delvinën/ Qyteti i ngjan një apokalipsi,
Foto ilustruese

GRAMSH- Një person i moshuar ka humbur jetën si pasojë e zjarrit që ka dalë jashtë kontrollit në zonën e Gramshit. Por për rastin, që mund të bëhet viktima e parë nga zjarret për këtë sezon në Shqipëri, ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar as nga Ministria dhe as nga Policia e Shtetit.

Teksa po luftohet me flakët, Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuimin e banorëve në Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë. Megjithatë disa prej banorëve nuk u janë përgjigjur thirrjes duke refuzuar që të braktisnin banesat dhe gjënë e gjallë./ZËRI

9 MUAJ ME PARE

S'donin të linin shtëpitë! Dhjetra banorë mbeten të bllokuar mes flakëve, ç'po ndodh me zjarret në Gramsh?

Zjarret rrethojnë Delvinën/ Qyteti i ngjan një apokalipsi,
Pamje nga Gramshi

GRAMSH- Sa vjen dhe përkeqësohet situata në Gramsh. Edhe pse iu bë 2 herë thirrje që të evakuuoheshin, banorët nuk pranuan që të linin banesat dhe pronat e tyre, kështu kanë mbetur të bllokuar mes flakëve. Prej tymit të dendur, nuk mund të afrohen as ambulancat, as zjarrfikësit dhe e vetmja shpresë mbetet ndërhyrja nga ajri me helikopter.

Në fshatin Sosëm sapo është aktivizuar një vatër e re shumë pranë banesave. Ka banorë të lënduar, por zjarrfikësit nuk kanë mundur dot të shkojnë për shkak të tymit. I gjithë fshati Skënderbegas po evakuohet, por ka shumë banorë që nuk pranojnë që të ikin nga banesat e tyre edhe pse u cënohet jeta. Në këtë zonë për ndihmë janë nisur 4 helikopterë./ZËRI

9 MUAJ ME PARE

Rëndohet situata në Gramsh, digjet teqeja e Shemberdhenjes! Një person i bllokuar brenda

Zjarret rrethojnë Delvinën/ Qyteti i ngjan një apokalipsi,
Foto ilustruese

ELBASAN- Rëndohet situata nga zjarret në Gramsh. Nga flakët është djegur teqeja e Shemberdhenjes, ndërsa një person ka mbetur i bllokuar brenda. Ka raportime se brenda ka mbetur babai i teqesë, por ky informacion nuk është konfirmuar ende në rrugë zyrtare.

Situata është alarmante edhe në Skënderbegas, Kullolas, Bletës, Sojnik, Mukaj dhe Kukur. Në fshatin Kullollas dhe Bletës të Gramshit zjarri po djeg shtëpitë. Por për fat të keq, disa banorë kanë mbetur ende të bllokuar në fshat dhe nuk janë evakuuar në kohë. Për këtë arsye jeta e tyre është në rrezik.

Situata është kritike dhe kërkohet ndihmë urgjente nga autoritetet./ZËRI

9 MUAJ ME PARE

Përkeqësohet situata në Gramsh! Ministria urdhër URGJENT: Evakuuohuni! Zjarri rrezikon 3 fshatra

Zjarret rrethojnë Delvinën/ Qyteti i ngjan një apokalipsi,
Foto ilustruese

TIRANË- Situata nga zjarret paraqitet kritike edhe në zonën e Gramshit. Pavarësisht ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, flakët kanë avancuar drejt zonave të banuara në të paktën tre fshatra. Kështu me urgjencë, Ministria e Mbrojtjes ka dhënë urdhër për evakuimin e banorëve të fshatrave Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë. Në të tre këto fshatra, ka dy fronte të rrezikshme zjarri.

Urdhër evakuimi në Gramsh

Është dhënë urdhri për evakuimin e banorëve në tre fshatra të Gramshit: Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë, për shkak të dy fronteve të rrezikshme zjarri me të cilat po përballet zona që prej mëngjesit. Në terren janë dislokuar 80 trupa të Forcave të Armatosura në mbështetje të forcave vendore, të cilat po punojnë pa ndërprerje për izolimin e flakëve. Në vijim pritet të nisë mbështetja nga ajri për të frenuar përhapjen e zjarrit./ZËRI

9 MUAJ ME PARE

Situata nga zjarret, Ministria e Mbrojtjes: 50 vatra, jugu mbetet zona më problematike!

Zjarret rrethojnë Delvinën/ Qyteti i ngjan një apokalipsi,
Foto ilustruese

TIRANË- 50 vatra zjarri janë shënuar në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit, një situatë e jashtëzakonshme kjo e shkaktuar nga temperaturat e larta. Aktualisht, 19 vatra zjarri janë ende aktive. Situata më problematike paraqitet në jug të vendit, ku flakët kanë përfshirë zonat e mbrojtura si Parku i Syrit të Kaltër, “Rëzoma” dhe zonat pyjore të Kolonjës e Gjirokastrës. Operacionet për shuarjen e zjarreve po kryhen nga mbi 1 mijë forca tokësore dhe dhjetëra mjete zjarrfikëse, të mbështetura nga ajri me avionë dhe helikopterë nga Shqipëria, Çekia, Sllovakia, Greqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Por flakët në Berat, Tiranë dhe Dibër janë afruar rrezikshëm pranë banesave, duke detyruar autoritetet të evakuojnë disa fshatra, veçanërisht në Poliçan dhe Rehovë. Disa vatra janë përhapur në zona të thella malore dhe me terren të thyer, duke vështirësuar ndërhyrjen nga toka. Në këto raste mund të ndërhyjë vetëm helikopteri ose shiu. Por sipas IGJEUM, për shkak të temperaturave ekstreme që pritet të shkojnë deri në 41°C, ndaj edhe rreziku për përhapjen e zjarreve është “i lartë”. Megjithatë, qarqet që konsiderohen me rrezik “shumë të lartë” janë disa zona të Shkodrës, Lezhës dhe Elbasanit. Autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe për të raportuar menjëherë çdo vatër zjarri.

Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 50 vatra zjarri, 19 ndër të cilat mbeten ende aktive.

Vatrat aktive janë si më poshtë:
- Qarku Vlorë, në bashkinë Finiq dhe Delvinë, pranë Parkut Natyror të Syrit të Kaltër vazhdon të jetë aktive dhe problematike, ndërsa në terren po operojnë 8 mjete zjarrfikëse, 4 ndër të cilat janë të FA dhe rreth 90 forca operacionale, mbçshterur edhe nga helikopteri i Forcës Ajrore si dhe 2 avionë grek PZL, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak. Sot pritet të vazhdojë puna me të njëjtat kapacitete, të ndihmuara edhe nga 1 helikopter Black haëk i Forcës Ajrore.
- Në parkun e “Rëzom” (zonë e mbrojtur), te maja e “Lucës”, mbi tunelin e Skërficës vazhdon zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pyje, terreni i thyer e bën të pamundur ndërhyrjen nga toka. Situata po monitorohet dhe paraqitet e qëndrueshme.
- Qarku Dibër, në Malin me Gropa në Biz të Martaneshit, Bashkia Bulqizë në zonë të mbrojtur vazhdon aktive kjo vatër zjarri, që është zhvilluar me intensitet mbi fshatin Val, larg zonave të banuara në një zonë shkëmbore ku digjen, bimë më të rralla dhe barishte.. Situata po mbikëqyret nga autoritetet vendore.
- Në fshatin Xibër, bashkia Klos vatra e zjarrit është izoluar dhe po mbahet në monitorim nga autoritetet vendore.
- Qarku Berat, në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, vazhdon aktive vatra e zjarrit, duke iu afruar qytetit pranë Azilit të të Moshuarve. Situata është përkeqësuar në fshatin Plirëz, Poliçan dhe po evakuohen banorët. Në vendngjarje po punojnë pesë mjete dhe rreth 75 forca operacionale, mbështetur nga ajri me helikopterin e Forcës Ajrore.
- Në fshatin Rehovë, bashkia Poliçan, zjarri ka përparuar në afërsi të banesave. Është bërë evakuimi i banorëve gjatë dhe kanë operuar forca operacionale vendore.
- Qarku Tiranë, vijon aktiv zjarri në vendin e quajtur “Mali i Bërzhitës”, fshati Ibë, ku po forcat operacionale vijojnë punën për shuarjen e tij.
- Në fshatin Stërbeg, bashkia Rrogozhinë, ku zjarri ka kaluar në fshatin Spanesh. Në vendngjarje ndodhen forca dhe mjete nga MZSH Rrogozhinë të cilët po punojnë për shuarjen e zjarrit.
- Në fshatin Hajdaraj, bashkia Kavajë, vatrat janë drejt shuarjes së plotë, ku forcat në terren janë mbështetur edhe nga ajri, me një avion, që po punon aktualisht për shuarjen e vatrës së fundit.
- Në lartësitë dominuese të fshatit Damjan dhe Isufaj, zona Arbanë, njësia administrative Vaqarr, ka rënë një zjarr i përmasave të mëdha. Aktualisht, edhe pse terreni është i vështirë, po veprojnë 6 mjete dhe rreth 40 forca nga strukturat operacionale si dhe një avion Canadair kroat.
- Në fshatin Ferraj dhe Zall-Herr, bashkia Tiranë, në zjarrin e përhapur në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, po operojnë në automjete zjarrfikëse nga MZSH, por situata paraqitet e ndërlikuar dhe rrezikohen banesa. Forcave në terren u janë bashkuar 2 helikopterë Blackhaëk të Emirateve të Bshkuara Arabe.
- Në kodrat e Selitës, bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Nuk ka akses për kalueshmëri mjetesh. Situata po monitorohet nga forcat bashkiake.
- Qarku Durrës, në fshatin Barkanesh, bashkia Krujë është aktivizuar një vatër zjarri në terren të vështirë, ku po veprojnë mjete dhe forca operacionale vendore.
- Qarku Gjirokastër, në fshatin Turan, bashkia Tepelenë, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit, i cili u përhap në drejtim të fshatit Lekel dhe Koder, ku u dogjën dy stalla, por me dëme minimale në bagëti. Ne terren operuan rreth 100 forca dhe mjete nga gjithë qarku Gjirokastër, dhe sot vijon puna, të ndihmuar nga dy helikopterët çek dhe sllovak.
- Qarku Elbasan, në fshatin Mukaj dhe fshatin Sojnik, bashkia Gramsh, zjarri vijon aktiv në sipërfaqe me shkurre dhe ferr, ku operuan forcat operacionale punuan të MZSH Gramsh të mbështetur nga 25 efektivë të FA Elbasan.
- Qarku Shkodër, është aktivizuar vatër zjarri në hyrje të qytetit Pukë, vijojnë punën forcat operacionale vendore. Situata është në kontroll dhe nuk paraqet rrezik.
- Në fshatin Xath, bashkia Fushë Arrëz ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pisha, që nuk e mundëson ndërhyrjen nga forcat tokësore. Situata ka qenë shumë e vështirë dhe zjarri ka marrë përmasa. Përveç afro 80 forcave operacionale vendore sot po operojnë edhe 65 forca të FA, me 2 mjete zjarrfikëse.
- Qarku Kukës, është aktivizuar një vatër zjarri në fshatin Gegaj, bashkia Tropojë, pa rrezik për banesat. Janë angazhuar rreth 60 forca nga strukturat operacionale vendore dhe 5 mjete zjarrfikëse. Vatra ngelet aktive por e izoluar dhe pa rrezik për përhapje.
- Në bashkinë Kukës, një vatër zjarri në zonë pyjore në vendin e quajtur Maja e Zezë, fshati Shëmri vazhdon të jetë në monitorim.
Qarku Korçë, në fshatin Gërmenj, bashkia Kolonjë është aktivizuar një vatër zjarri në një sipërfaqe me pyje pishe. Terreni është i vështirë dhe forcat operacionale e kanë të pamundur ndërhyrjen. Situata është në mbikëqyrje nga MZSH Kolonjë.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 82 automjete zjarrfikëse dhe 1080 forca operacionale.
Mjete ajrore që kanë operuar gjatë ditës së djeshme:
- 1 Avion Canadair kroat
- 2 Avionë PZL grekë
- 1 Black Haëk nga Republika Çeke
- 1 Black Haëk nga Sllovakia
- 2 Black Haëk nga Forcat e Armatosura te Shqipërisë

Pritet të operojnë sot :
- 2 Black Haëk nga Emiratet e Bashkuara Arabe
- 1 Black Haëk nga Republika Çeke
- 1 Black Haëk nga Sllovakia
- 2 Black Haëk nga Forcat e Armatosura te Shqipërisë

Sipas informacionit të IGJEO-s, sot nuk priten reshje.
Sa u përket zjarreve në pyje, pritet nivel rrezik I “LARTË” në të gjitha qarqet. Nё disa qarqe pritet rrezik “SHUMË I LARTË” vetёm nё zona tё lokalizuara, konkretisht: qarku Shkodër (Jug), qarku Lezhë (Veri), qarku Elbasan (Perëndim).
Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 41 °C në vendet e ulët, ndaj përsërisim thirrjen për qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar dhe të njoftojnë çdo vatër zjarri pranë autoriteteve vendore./ZËRI

9 MUAJ ME PARE

Disa vende në Ballkan po përballen me të nxehtit dhe zjarret

Zjarret rrethojnë Delvinën/ Qyteti i ngjan një apokalipsi,
Foto ilustruese

TIRANË- Të hënën (11.08.2025) sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë në vend ishin një duzinë vatrash aktive, pasi në 24 orët e fundit shpërthyen gati 40 vatra zjarri. Përkrah zjarrfikësave, sipas të dhënave zyrtare, janë angazhuar edhe rreth 800 ushtarë si dhe avionë e helikopterë ushtarakë nga vendet fqinjë.

Në Malin e Zi fqinj forcat e emergjencës mbrojtën nga flakët dhejtra shtëpi në periferi të Podgoricës. Zjarri kishte shpërthyer në një "terren mjaft të vështirë për t'u kaluar", u tha gazetarëve drejtusi i Agjencisë së Shpëtimit, Nikola Bojanovic. Gjatë pasdites të hënën tymi dukej edhe në kodrat mbi Podgoricë.

Në Split të Kroacisë gjatë natës duke gdhirë dita e hënë kanë qenë në terren rreth 150 zjarrfikës kundër një zjarri në pyll.

Vala e të nxehtit vazhdon me temperature rreth 40 gradë

Ballkani dhe vendet në hapësirën e Mesdheut që nga korriku po përballen me të nxehtit ekstrem dhe zjarret në pyje. Në Shqipëri, që nga fillimi i korrikut, sipas Sistemit Europian të Informimit për Zjarret (EFFIS) është djegur gati 34.000 hektar truall. Policia në shumë raste dyshon për zjarrvënie të qëllimshme dhe më shumë se 20 të dyshuar janë arrestuar.

Vala e të nxehtit në Ballkan do të zgjasë. Në Serbi, Bosnje dhe Kroaci temepraturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë celsius./Monitor

Poll

MOS HUMB