LIVE UPDATES

Zjarre të fuqishme në Syrin e Kaltër, Finiq, Poliçan, Gramsh, Krujë e Fushë-Arrëz! Evakuime dhe ndërhyrje nga ajri me helikopterë

• Shqipëria vijon të përballet me një situatë emergjente nga zjarret që kanë përfshirë thuajse të gjithë territorin e saj. • Temperaturat ekstreme, era e fortë dhe terreni i vështirë kanë favorizuar përhapjen e flakëve, duke rrezikuar banesa, gjallesat dhe zonat e mbrojtura natyrore. • Autoritetet kanë shpallur disa zona si “kritike”, ndërsa ndërhyrjet nga toka dhe ajri janë intensifikuar. • Situata më dramatike në jug: Syri i Kaltër dhe Finiqi përfshihen nga flakët. 

4 artikuj për këtë temë.
9 MUAJ ME PARE

Situata e zjarreve sipas qarqeve/ Flakë të mëdha në Syrin e Kaltër, Finiq e Poliçan

Zjarre të fuqishme në Syrin e Kaltër, Finiq, Poliçan,
Foto nga zjarret

TIRANE- Zjarret kanë goditur rëndë qarqet e Vlorës, Gjirokastrës, Beratit, Elbasanit, Lezhës, Tiranës, Fierit, Durrësit dhe Dibrës, duke kërcënuar banesa, stane, zona të mbrojtura dhe rrugë nacionale. Në Syrin e Kaltër, Finiq, Poliçan, Gramsh, Fushë-Arrëz dhe Krujë, situata është më e rënduara, me ndërhyrje urgjente nga ajri dhe toka. Evakuime masive janë bërë në disa fshatra, ndërsa ndihma ndërkombëtare nga Kroacia, Italia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ka sjellë avionë e helikopterë në ndihmë të operacioneve.

Situata sipas zonave

Syri i Kaltër (Sarandë): Një prej zonave më të goditura. Flakët kanë zbritur në rrugë, duke detyruar autoritetet të mbyllin qarkullimin Muzinë–Sarandë. Vizitorët janë evakuuar nga parku natyror, ndërsa vatrat riaktivizohen vazhdimisht në segmentin Bistricë–Muzinë.

Vergo / Skërficë: Zjarr mbi tunelin që lidh Sarandën me Gjirokastrën. Ndërhyrja nga toka është thuajse e pamundur për shkak të terrenit.

Lukovë dhe Bolenë (Himarë): Vatra aktive në zona me shkurre e pyje. Në terren po punojnë efektivët e zjarrfikëses së Himarës, Sarandës dhe FA, me mbështetje nga avioni kroat Canadair.

Finiq: Situatë e përsëritur prej ditësh. Disa banesa janë djegur në fshatin Leshnicë e Poshtme, ndërsa zjarri është zhvendosur në fshatin Krane (njësia Mesopotam) dhe në Krongj, ku janë evakuuar banorët.

Konispol (Janjar – Ninat): Zjarr i fuqishëm rrezikon një stan me 350 bagëti të imta, si dhe sipërfaqe me ullinj dhe arra.


Poliçan: Zjarr masiv në zona të thella malore. Deputeti Erion Braçe e cilëson si zjarrin më të madh të regjistruar ndonjëherë në këtë zonë. U përfshinë vatra të reja në Mbrakullë, me ndihmë nga ushtria dhe zjarrfikëset e 6 bashkive.

Cërrik: Zjarr jashtë Uzinës Mekanike, që përfshiu sipërfaqe me shkurre dhe ullinj. Rrezik pranë Azilit të të Moshuarve dhe ujësjellësit.

Sojnik – Snosëm: Zjarr agresiv në pyje, me përhapje të shpejtë. Rrezikohen banesa në të dy fshatrat.

Mukaj (Gramsh): Situatë problematike për shkak të erës. Në terren ndodhen forcat operacionale dhe 20 efektivë të bashkisë.

Skërfica (nga Gjirokastra): Vatra e vështirë për t'u arritur nga toka, kërkohet ndërhyrje ajrore.

Fushë-Arrëz (Xath): Flakë të përmasave të mëdha. Banorët evakuuar nga policia, ndërsa rruga Fushë-Arrëz–Tropojë është bllokuar nga tymi.

Rrëshen – Malaj i Epërm: Vatra në pyll me pisha dhe lis, e izoluar, por nën monitorim të vazhdueshëm.

Krujë (Mali i Krujës – Nikël – Barkanesh): Zjarr i përhapur në pyll pishe. Vatra riaktivizohen për shkak të erës. Në Nikël, situata konsiderohet më problematike.

Ibë – Mali i Bërzhitës: Rreth 5 hektarë me ferra dhe shkurre të djegura. Forcat po punojnë për izolimin.

Ballaj – Zhabjak: Zjarri rrezikoi banesat. Falë ndërhyrjes me helikopterë të FA dhe 50 efektivëve, janë shpëtuar mbi 50 shtëpi, disa prej të cilave u prekën në oborr./ZERI

9 MUAJ ME PARE

Mesdheu digjet nga temperaturat ekstreme, shkencëtarët e konsiderojnë fenomenin si “koktej molotov”

Zjarre të fuqishme në Syrin e Kaltër, Finiq, Poliçan,
Foto ilustruese

TIRANË- Evropa Jugore po përballet me një valë vdekjeprurëse të të nxehtit, me temperatura që arrijnë deri në 42 gradë Celsius. Meteorologët kanë lëshuar paralajmërime, ndërsa Meteo-France vendosi mbi gjysmën e vendit në alarm, duke cilësuar 12 rajone me alarm të kuq. Agjencitë kanë paralajmëruar një valë të nxehti “intensive, madje të jashtëzakonshme”, duke u bërë thirrje banorëve të qëndrojnë vigjilentë.

Zjarret e nxitura nga një 'koktej Molotovi'

Ekspertët kanë paralajmëruar se një përzierje kushtesh klimatike — një pranverë me shi që çon në bimësi të bollshme, e ndjekur nga nxehtësi intensive, periudha thatësire dhe erëra të forta — po krijon një ‘koktej molotovi’ si pasojë e zjarreve të egra.

Ndikimi: Në Francë, zjarri më i madh që nga viti 1949 është tani nën kontroll, rezuloi me një të vdekur dhe 20 zjarrfikës plus pesë civilë të plagosur; Në Itali, Firence po përgatitet për 40 gradë Celsius dhe shtigjet për në malin Vezuv u mbyllën ndërsa zjarret shpërthyen në shpatet rajonale; Në Spanjë, thuhet se zjarret në Leon dhe Zamora kanë detyruar mbi 1.000 njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa flakët vazhdojnë të kërcënojnë Galician.

Cristina Santin Nuno e Këshillit Kombëtar të Kërkimeve Spanjolle tha se kjo valë flakësh ishte “e pritshme” duke pasur parasysh kushtet.

“Nëse i shtojmë kësaj mundësinë relativisht të lehtë që një shkëndije zjarri diku… ne kemi të gjithë përbërësit për ‘koktejin e molotovit’ që po shohim tani,”- shpjegoi ajo, për The Guardian.

Thyerja e rekordeve në të gjithë rajonin

Franca pret rekorde të reja të nxehtësisë të hënën dhe të martën, me Tourbes në jugperëndim që tashmë ka arritur një rekord prej 41.4 gradë Celsius gjatë fundjavës. Në Spanjë, pellgu i Ebros, Gadishulli Iberik jugor dhe lindor dhe Deti Kantabrian lindor u përballën me temperatura në rritje. Shkencëtari Jesús Santiago Notario del Pino, vuri në dukje se edhe rajonet veriperëndimore, që zakonisht nuk janë të prirura ndaj zjarreve, po digjen, duke treguar ndoshta një provë se si “nxehtësia ekstreme dhe e zgjatur” po than tokën dhe po rrit rrezikun e zjarrit.

Evropa është ngrohur pothuajse dy herë më shpejt se mesatarja globale. Sipas raportit, një masë ajri e ngrohtë dhe e thatë mbi Francën dhe Iberinë, e kombinuar me diellin e fortë të verës, ka shkaktuar temperatura tepër të larta. Zjarret po kërcënojnë madje edhe monumentet kulturore, përfshirë Las Medulas, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s./ZËRI

9 MUAJ ME PARE

Droni kap ‘mat’ zjarrvënësin, Rama i ashpër: Krim dhe tradhti ndaj tokës tonë, do ta barazojmë me vrasje në Kodin Penal

Zjarre të fuqishme në Syrin e Kaltër, Finiq, Poliçan,
Pamjet e kapura nga droni

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet e një zjarrvënieje të qëllimshme, e cila është kapur dhe filmuar nga droni "Bayraktar". Krahas me pamjet e zjarrvënies, Rama ka bërë dhe një koment të ashpër, duke e cilësuar aktin si një tradhti ndaj tokës tonë. Kreu i qeverisë shprehet se në këto kohë të vështira, do të duhet që ta barazojmë zjarrvënien me vrasjen në Kodin Penal.

Edi Rama: Të ndezësh një zjarr me qëllim, nuk është vetëm krim, por është tradhti ndaj tokës sonë dhe të ardhmes së fëmijëve tanë. Ja dhe pamjet e një zjarrvënieje të qëllimshme të evidentuar sot nga dronët e Forcës Ajrore. Policia e Shtetit është në terren për të çuar përpara drejtësisë këdo që luan me flakët mbi pasurinë e përbashkët. Ndërkohë, në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut sidomos, zjarrvënien do të duhet ta barazojmë me vrasjen në Kodin Penal. *Këto janë pamjet e dronit Bajraktar ku dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme

Aktualisht, sipas Kodit Penal, shkatërrimi apo dëmtimi nga pakujdesia, përmes zjarrit, të pyjeve dhe bimësisë, dënohet nga 2 deri në 5 vite burg. Kur zjarri nga pakujdesia ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve apo dëme të rënda dhe të zgjatura në kohë ndaj mjedisit, dënohet me burgim nga 3-8 vjet./ZËRI

9 MUAJ ME PARE

Situata e zjarreve, Ministria e Mbrojtjes: 38 vatra zjarri në 24 orët e fundit, 14 janë aktive

Zjarre të fuqishme në Syrin e Kaltër, Finiq, Poliçan,
Foto ilustruese

TIRANË- Shqipëria vijon të jetë në luftë me flakët e zjarrit prej disa ditësh, kjo edhe për shkak të temperaturave të larta dhe erës së fortë. Ministria e Mbrojtjes thotë se në 24 orët e fundit janë shfaqur 38 vatra zjarri në të gjithë vendin, por aktualisht aktive janë ende 14 vatra zjarri. Nga i gjithë vendi, situata më e rëndë vijon të jetë në Finiq, ku për ditë me radhë zjarri kalon nga njëri fshat në tjetrin. Madje ka djegur edhe disa banesa. Për të shuar flakët, Shqipëria ka kërkuar ndihmë dhe po ndihmohet nga 2 avionë Canadair nga Kroacia dhe Italia të ardhur në ndihmë të Shqipërisë përmes Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile. Po ashtu, për shuarjen e flakëve, në dispozicion sot janë edhe dy helikopterët Black Haëk të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe. Nga ana tjetër, helikopterët e Forcës Ajrore çeke dhe asaj sllovake kanë operuar sot nga Baza e Kuçovës drejt Gramshit.

NJOFTIMI I MINISTRISË SË MBROJTJES:

Situata e zjarreve në rang vendi

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 38 vatra zjarri, nga të cilat 14 janë aktive.

Aktualisht vatrat aktive janë në:

*Qarku Vlorë. Në bashkinë Finiq, zjarri ka kaluar në fshatin Krane, njësia administrative Mesopotam. Në terren kanë operuar: 37 efektivë me 6 automjete zjarrfikëse të bashkive Finiq, Sarandë, Konispol dhe Delvinë, 20 forca policore, 30 forca bashkiake dhe vullnetare, të ndihmuar nga Forcat e Armatosura me 28 efektivë, 4 automjete zjarrfikëse, 1 autoambulancë, 1 autobot, 60 forca ushtarake dhe mbështetje nga ajri. Gjithashtu ka operuar edhe avioni Kroat Canadair. Gjatë ditës është riaktivizuar vatra e zjarrit brenda fshatit Krongj.

Është bërë evakuimi i banorëve. Në vendngjarje ndodhen 2 automjete zjarrfikëse të MZSH, 1 autoambulancë dhe mjete transporti. Në ndihmë kanë shkuar dhe 2 automjete zjarrfikëse të FA. Gjatë gjithë natës vatra aktive më problematike ishte ajo në fshatin Leshnicë e Poshtme. Në terren kanë operuar 3 mjete zjarrfikëse me 8 efektivë të MZSH Finiq dhe Konispol të ndihmuar nga FA me 2 mjete zjarrfikëse dhe 15 forca të FA si dhe 1 grup FNSH.

* Në parkun e “Rëzom” (zonë e mbrojtur), te maja e “Lucës”, njësia administrative Vergo, mbi tunelin e Skërficës. Për shkak të terrenit të thyer është e vështirë ndërhyrja, por në vendngjarje kanë shkuar punonjësit e AdZM.

* Në fshatin Bolenë, njësia administrative Horë-Vranisht, bashkia Himarë. Gjatë natës kanë monitoruar 1 automjet zjarrfikës me 3 efektiv MZSH si dhe 3 forca të pyjores. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit, të ndihmuar dhe nga 20 forca të FA.

* Në fshatin Lukovë, njësia administrative Lukovë, bashkia Himarë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Në terren po punojnë efektivët e MZSH Himarë, Sarandë me 3 automjete zjarrfikëse dhe 11 efektivë, për shuarjen e tij. Gjithashtu ka operuar edhe avioni Kroat Canadair. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit, të ndihmuar dhe nga 1 mjet zjarrfikës me 3 efektivë të MZSH, Fier.

* Qarku Lezhë. Në fshatin Malaj i Epërm, në lagjen "Vjollcë", njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë, ku zjarri është izoluar në sipërfaqe pyjore me pisha, lis dhe shkurre. Vatra e zjarrit është nën kontroll të plotë, por forcat operacionale po e mbajnë në monitorim.

* Qarku Dibër. Malin e Allushit, në afërsitë fshatit Plani Bardhë, bashkia Klos, vatra e zjarrit është nën kontroll dhe po monitorohet nga 6 efektivë të MZSH dhe 1 automjet zjarrfikës.

* Qarku Berat. Në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, vazhdon aktive vatra e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Zjarri ka kaluar mbi ujësjellësin, pranë një grupi banesash dhe pranë qytetit tek Azili i të Moshuarve. Në terren kanë operuar forcat e MZSH të bashkisë Poliçan, Berat, Skrapar, Lushnje, Patos dhe Roskovec me 7 automjete zjarrfikëse dhe 25 efektivë, të ndihmuar nga 60 efektivë të FA e mbështetje nga ajri. Vazhdon puna me intensitet nga forca operacionale për vënien nën kontroll të tij. Janë bërë evakuime të banorëve.

* Qarku Tiranë. Në vendin e quajtur “Mali i Bërzhitës”, fshati Ibë, njësia administrative Bërzhitë, bashkia Tiranë. Zjarri është përhapur në një sipërfaqe prej 5 Ha në zonë me shkurre dhe ferra. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit.

* Në fshatin Ballaj dhe Zhabjak, njësia administrative Kryevidh, bashkia Rrogozhinë. Zjarri mori përmasa duke rrezikuar banesat e fshatit Ballaj, por pas një pune të palodhur të forcave zjarri është vënë nën kontroll, ndihmuar edhe nga një helikopter i FA dhe 50 efektivë. Janë shpëtuar mbi 50 banesa, ku në 6 prej të cilave zjarri arriti deri në oborr, por fatmirësisht pa shkaktuar asnjë dëm. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për eliminimin e plotë të vatrës.

* Në fshatin Okshtun, njësia administrative Lekaj, bashkia Rrogozhinë. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit.

* Në fshatin Peqinaj, njësia administrative Synej, bashkia Kavajë, Si pasojë është përshkuar rreth 10 ha sipërfaqe. Ditën e sotme forcat operacionale po vijojnë të punojnë për shuarjen e zjarrit.

* Qarku Durrës. Në malin e Krujës, sipër fabrikës së çimentos, bashkia Krujë, ka rënë zjarr në sipërfaqe me pyll pishe. Në terren janë angazhuar 15 forca operacionale, të cilët kanë bërë të mundur izolimin e tij. Intensiteti i zjarrit është ulur. Ditën e sotme forcat operacionale po e mbajnë në monitorim.

* Qarku Gjirokastër. Në fshatin Turan, njësia administrative Qendër Tepelenë, bashkia Tepelenë, ku vatra është izoluar, por po vijon monitorimi.

* Qarku Elbasan. Në fshatin Mukaj, njësia administrative Kukur, bashkia Gramsh, situata ka qenë problematike për shkak të erës, duke rrezikuar edhe banesat. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit, të mbështetur dhe 8 efektivë dhe 12 forca te bashkisë Gramsh.

* Në vendin e quajtur tek “Uzina”, bashkia Cërrik. Aktualisht zjarri është izoluar dhe vijon puna për fikjen e plotë të vatrës se zjarrit.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 68 automjete zjarrfikëse dhe 601 forca operacionale, të ndihmuar nga FA me 183 forca ushtarake, 3 automjete zjarrfikëse dhe 3 helikopterë të FA. Gjithashtu morën pjesë edhe 2 avionë Canadair nga Kroacia dhe Italia. Një prej avionëve Canadair nga Kroacia ka ndërhyrë prej orëve të para në Synej të Rrogozhinës. Në dispozicion sot janë edhe dy helikopterët Black Haëk të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe. Helikopterët e Forcës Ajrore çeke dhe asaj sllovake kanë operuar sot nga Baza e Kuçovës drejt Gramshit. Nga parashikimet e IGJEO, sot nuk priten reshje. Sa i përket zjarreve, pritet nivel rreziku I “LARTË” në të gjitha qarqet. Nё disa qarqe pritet rrezik “SHUMË I LARTË” vetёm nё zona tё lokalizuara, konkretisht: qarku Shkodër (Jug), qarku Lezhë (Veri), qarku Elbasan (Perëndim). Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 42 °C në vendet e ulët, ndaj përsërisim thirrjen për qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar në këto ditë të nxehta dhe të njoftojnë çdo vatër zjarri pranë autoriteteve vendore./ZËRI

Poll

MOS HUMB