LIVE UPDATES

Kuvendi në seancë plenare! Diskutime për Kodin Penal- Lamallari: Dekriminalizojmë shpifjen për gazetarët! PD kundër

➤Kuvendi është mbledhur në seancë plenare që prej orës 10:00. ➤Një sërë ligjesh dhe akte normative pritet të shqyrtohen në seancën maratonë. ➤Me kërkesë të mazhorancës, Kuvendi miratoi heqjen e 4 pr.ligjeve nga rendi i ditës. ➤Deputetët e PS-së pretendojnë se ligjet duhet të konsultohen me Komisionin Europian. ➤Nga ana tjetër, deputet e Partisë Demorkatike kërkuan shtimin e numrit të seancave parlamentare. ➤Kreu i grupit të PD-së Gazment Bardhi, akuzoi qeverinë për mbrojtjen e imunitetit të Ballukut, teksa deklaroi po ashtu se, ministrja Albana Koçiu duhet që të japë llogari për dhunën ndaj protestuesve. ➤Debatet nuk kanë munguar as në këtë seancë, ku rishpërndarje e aktit normativ për buxhetin 2025 ka sjellë përplasje me dy socialistëve, Erion Braçe dhe Taulant Balla. 

7 artikuj për këtë temë.
4 MUAJ ME PARE

Ndryshimet në Kodin Penal, Lamallari: Dekriminalizimi i ‘shpifjes’ për gazetarët, mbrojtje e lirisë së shprehjes!

Kuvendi në seancë plenare! Diskutime për Kodin Penal- Lamallari:
Besfort Lamallari

TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, prezantoi në Kuvend projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar. 

Dy ndryshimet e propozuara më të debatuara në opinionin publik është ai për dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët, duke i dhënë imunitet vetëm këtyre të fundit nga procedimi penal për veprën penale të shpifjes. Këtë ndryshim, Lamallari e cilësoi një shembull të diskriminimit pozitiv që shteti shqiptar ka ndaj medias.

"Kodi Penal përfarohet me 7 direktiva të Komisionit Europian, që lidhen me pastrimin e parave, trafikun e drogës, trafikun e qenieve njerëzore, sigurinë e BE-së. Kjo ka qenë një analizë e përbashkët me ekspertët europianë. Këto nuk janë ndryshime formale, ato forcojnë realisht kapacitetet e shtetit shqiptar për të ndjekur krimin e organizuar dhe krimin kufitar. Bëhet vëmendje e veçantë i është kushtuar mbrojtjes së fëmijëve dhe grupeve vulnerabël, rriten dënimet për zbatimet seksuale. Nga ana tjetër zgjerohen edhe afatet e parashkrimit për këto vepra me ndjeshmëri shumë të lartë. Qeveria shqiptare ka marrë një angazhim që nuk ka ndodhur kurrë më parë: për herë të parë shteti shqiptar shkon me një nismë shumë serioze në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe një vendimi më demokrat që përfaqëson punën e gazetarëve, pa i vendosur ata para presionit për procesim penal, sidomos për akuzat që mund të bëhen për shpifje; nuk mund të ketë kurrsesi ndjekje penale për ta. Krahas dekriminalizimit të shpifjes për gazetarët, kemi shkuar më tej duke garantuar mbrojtje specifike për ta",- tha Lamallari.

4 MUAJ ME PARE

Braçe propozon amendamentin: Burg për ata që u shesin duhan të miturve

Kuvendi në seancë plenare! Diskutime për Kodin Penal- Lamallari:
Erion Braçe

TIRANË-Deputeti socialist Erion Braçe ka propozuar një amendament që ashpërson dënimin në Kodin Penal për ata që u shesin duhan ose cigare elektronike të miturve. 

Sipas amendamentit, shitja e duhanit dhe e cigareve elektronike personave nën 18 vjeç, pasi më parë janë marrë masa administrative ndaj tyre, do të konsiderohet kundërvajtje penale dhe mund të dënohet me gjobë deri në 500.000 lekë ose me burgim nga 6 muaj deri në 1 vit.

Erion Braçe: Kur nga kjo vjen dëmtimi i rëndë i shëndetit të të miturit, dënimi të jetë nga 4 deri në 8 vjet burgim, ndërsa kur kjo sjell si pasojë vdekjen e të miturit, dënimi duhet të jetë nga 8 deri në 16 vjet burgim.

4 MUAJ ME PARE

Shoqërimi i të miturit gjatë protestës së PD, Koçiu: Gjuajti me gurë efektivët, çdo veprim u krye sipas ligjit (VIDEO)

Kuvendi në seancë plenare! Diskutime për Kodin Penal- Lamallari:
albana kociu ne kuvend

TIRANË- Ministrja e Brendshme Albana Koçiu i është përgjigjur akuzave të opozitës, për sjelljen e Policisë së Shtetit në protestën e të shtunës, që u organizua nga Partia Demokratike përballë kryeministrisë. Koçiu tha se policia e shtetit u përball me dhunë nga protestuesit, ndërsa trajtoi dhe rastin e shoqërimit së të miturit, që sipas saj u përdor nga opozita për manipulimin e opinionit publik.

“Dua të them dy fjalë për protestën që u zhvillua të shtunën dhe policinë e shtetit. Këtu u përbalt policia, e cila e kreu detyrën më së miri dhe me përpikmëri. Policia u përball me dhunë, u sulmuan me Molotov dhe sende të forta, dhe 11 efektivë u lënduan. Policia bëri thirrje të vazhdueshme për ndalimin e dhunës, dhe vetëm pasi thirrjet u shpërfillën, u ndërmorën masa për shpërndarjen e turmës, në bazë të ligjit.

Çdo veprim është kryer në bazë të parimit të proporcionalitetit. Dhuna nuk është një e drejtë politike, sot duhet të keni guximin për të dënuar dhunën. Policia do të vazhdojë të jetë në shërbim të qytetarëve. Dua të ndalem te një rast që u përdor për manipulimin e opinionit publik, atë të shoqërimit të një të mituri. Shërbimet e kanë konstatuar të miturin duke gjuajtur me gurë dhe sende të forta në drejtim të efektivëve të policisë, dhe i mituri është shoqëruar për verifikim, ku u konstatua dhe mosha e tij, 14 vjeç. I mituri ka qëndruar në një ambient të posaçëm, për trajtimin e tij me respekt të plotë, dhe u lirua menjëherë sapo u paraqitën prindërit e tij”, u shpreh Koçiu në Kuvend.

/ZËRI

4 MUAJ ME PARE

"Kryetar, si të votoj, pro apo kundër?" Akti normativ 'përplas' Braçen dhe Ballën: Propozimin tim e rrëzuat, po sot...

Kuvendi në seancë plenare! Diskutime për Kodin Penal- Lamallari:
erion brace-Taulant Balla

TIRANË- Seanca e sotme plenare nuk u ka shpëtuar debateve, por këtë herë mes socialistëve. Dy deputetët socialistë, Erion Braçe dhe Taulant Balla, janë përfshirë në replika. Shkak u bë akti normative për rishpërndarjen e buxhetit 2025, përmes të cilit parashikohet që paratë e pashpenzuara nga institucionet, të kalojnë në llogarinë e pensionistëve. 

Një propozim i tillë u bë pak javë më parë nga Braçe për buxhetin 2026, po u rrëzua nga mazhoranca. Ndërkohë, sot gjatë fjalës së tij në seancës, Braçe iu drejtua kreut të grupit parlamentar, Taulant Balla, duke e pyetur se si duhet të votojë. Sipas Braçes, ky është një akt që vetë ai e propozoi pak javë më parë dhe u kundërshtu, ndërsa sot ironizon, duke thënë 'sot ca duhet të bëj, të votoj kundër?'.

Pjesë nga debati:

Erion Braçe: Siç ju thash është tejkaluar plani i të ardhurave nga sigurimet dhe këto para që shkojnë tek pensionistët bëjnë mirë dhe do ishte mirë të shkonin atje. Si të votoj sot kryetar? Se është propozimi im i votuar kundër pak ditë më parë..

Taulant Balla: Jam dakord me shqetësimet që ngrihen për tu gjendur pranë banorëve, bujqve të prekur nga fenomenet natyrore, jam informuar se pushtet vendor dhe qeveria po bëjnë vlerësimin në territor ë lëtyre dëmeve, si përket aktit normativ që po shqyrtojmë, akti normativ nuk mund të ndryshohet dot sot, ai ose miratohet, ose rrëzohet.

Erion Braçe: Nuk kërkova ndryshim akti, thashë që amendamenti që u rrëzua me votë 5 javë më parë, është sjellë nga qeveria me akt. Dhe pyeta si duhet të votoj unë atëherë votava pro, të gjithë kundër, sot ca duhet të bëj, të votoj kundër?

Petrit Malaj: Nëse do jenë 30 mld të pashpenzuar, do kalojë 30 mld pranë llogarisë së pensioneve./ZËRI

4 MUAJ ME PARE

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, Bardhi: Kuvendi është kthyer në bunker korrupsioni, pengon drejtësinë

Kuvendi në seancë plenare! Diskutime për Kodin Penal- Lamallari:
Gazment Bardhi

TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka vijuar me akuzat ndaj qeverisë lidhur kryesisht me çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku. Nga foltorja e Kuvendit, Bardhi akuzoi kryeparlamentarin Peleshi duke thënë se i shërben kryeministrit Rama që kërkon të pengojë drejtësisë. Lidhur me pranimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, sipas Bardhit, Pelshi heshti dhe shkeli ligjin. Në vijim të akuzave, Bardhi thotë se kuvendi është kthyer në bunker të korrupsionit, sepse këtu bllokohet drejtësia me urdhër të Ramës.

“Ju qytetarët i keni vetëm propagandë, nuk i shërbeni qytetarëve, ka momente kur një kuvend nuk dështon nga fjala, por sepse hesht atëherë kur duhet të flasë. Ku parlament e ka nisur këtë sesion me një heshtje të qëllimshme, të mbrojë pushtet nga drejtësia. Është kuvendi mburojë për korrupsionin dhe kundër drejtësisë. Që prej 19 vjetorit ky Kuvend kishte një detyrim të panegociueshëm, duhej të vendoste për pranimi e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut. Ky kuvend kishte detyrë të mos i fshihej drejtësisë, por kuvendi dështoi ta përmbushë këtë detyrim. Janë me mijë prova, nuk janë më deklarata të opozitës, nuk janë sajesa të opozitës, janë prova të korrupsionit nga maja deri në themelet e qeverisjes. Kryetari i Kuvendit heshti dhe shkeli ligjin, sepse kryeministri kishte shpallur pengimin e drejtësisë. Përballë provave të korrupsionit, Niko Peleshi zgjidhë të heshtë dhe të shkelë ligjin. Ky kuvend nuk i shërben interesit të qytetarëve. po blen kohë kundër drejtësie. Një kryetar kuvendi ka vetëm një detyrë, ti shërbejë ligjit jo kryeministrit. Ky kuvend është kthyer në bunker të korrupsionit, sepse këtu bllokohet drejtësia me urdhër të Ramës. Ju nuk jeni betuar për të mbrojtur qeverinë nga drejtësia, as për të mbrojtur të korruptuarit nga drejtësia, ju dhe mazhoranca keni zgjedhur të bëni të kundërtën”, tha Bardhi./ZËRI

4 MUAJ ME PARE

PD kërkon shtimin e seancave plenare, Boçi: Nuk mund të shqyrtojmë 19 projektligje në një ditë! PS tërhiqet nga 4 prej tyre

Kuvendi në seancë plenare! Diskutime për Kodin Penal- Lamallari:
luciano boci dhe taulant balla

TIRANË- Seanca e sotme në Kuvend ka nisur me një kërkesë nga deputetët e Partisë Demorkatike, për shtimin e numrit të seancave parlamentare.

Deputeti Luçiano Boçi tha se parlamenti është kthyer qesharak, pasi nuk mund të diskutohen dhe të miratohen 19 projektligje brenda një dite, për çështje që shpesh nuk kanë asnjë lidhje mes tyre.

Boçi: Parlament i çmendur dhe qesharak. Ato projektligje, secili prej tyre mund të kërkonte seancë në vete, por të fusësh 19 projektligje në një seancë është t’i kaluar kot dhe për t’i hedhur hi syve shqiptarëve. Pse nuk shton seancat, nuk ka asnjë ndalesë për ta bërë një gjë të tillë. Kjo është për t’i marrë, nuk është parlament por si kioskë. Projektligjet e rëndësishme duan debat nga parlamentarët se për këtë punë janë zgjedhur. Shtoni seancat ju lutem shumë, mos e çmendni më shumë këtë parlament.

Në emër të PS, Balla po ashtu kërkoi shtyrjen e shqyrtimit të katër projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës. Balla kërkoi shtyrjen e 4 projektligjeve në rendin e ditës, konkretisht të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope””; projektligjit “Për disa shtesa në ligjin “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, të ndryshuar; projektligji “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”; projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi”.

Balla: Do të kërkoja shtyrjen të shqyrtimit të 4 projektligjeve në rendin e ditës. Janë projektligje që duhen rakorduar fjalë për fjalë me Komisionin Europian. Projektligji për disa shtesa për kontrollin e lëndëve për fabrikimin e lëndëve narkotike. Të shtyhen për javën pasardhëse siç e kemi parashikuar në kalendar. Kështu e lehtësojmë disi edhe kalendarin e ditës sotme dhe besoj se kolegët e opozitës janë dakord.

Në vijim, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku u shpreh se nuk është e mjaftueshme vetëm heqja e 4 projektligjeve nga rendi i ditës.

Sipas saj, për projektligjin “Për lobimin”, nuk është kryer plotësisht konsultimi publik.

“Ligji për armatimet është shumë problematik, një pjesë e ndryshimeve në Kodin Penal nuk janë konsultuar, bashkë me ndryshimet për mediet. Këto duhet t’i diskutojmë me grupet e interesit. Procesi i integrimit nuk është proces letrash që miratohen në parlament, por është ndryshim në realitet”, tha Tabaku.

Në këtë drejtim, Tabaku kërkoi që të tërhiqen nga rendi i ditës të gjitha projektligjet që nuk kanë kryer një proces të rregullt parlamentar dhe që nuk janë konsultuar plotësisht.

Edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi kërkoi heqjen nga rendi i ditës të projektligjit “Për lobimet”, si dhe ndryshimet në Kodin Penal”. /ZËRI 

4 MUAJ ME PARE

Sot Kuvendi në seancë plenare, në fokus ndryshimet në buxhet dhe kodi penal (RENDI I DITËS)

Kuvendi në seancë plenare! Diskutime për Kodin Penal- Lamallari:
kuvendi

TIRANË- Kuvendi do të mblidhet sot në seancë plenare, në orën 10:00, ku në rendin e ditës përfshihen disa çështje të rëndësishme, si rishikimi i buxhetit të vitit 2025 dhe ndryshimet në Kodin Penal.

Sot, do të shqyrtohet akti normativ nr. 11, i cili u miratua më 20 janar nga Komisioni i Ligjeve. Ky akt normativ parashikon disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 115/2024. Në të u kaluan 15 miliardë lekë në skemën e pensioneve, 2 miliardë lekë për bujqësinë, 1.8 miliardë lekë shtesë për shëndetësinë që do të përdoren për furnizimin e qendrave spitalore me barna dhe 1.2 miliardë lekë për detyrimet e papaguara të bashkive.

Në këtë seancë do të diskutohet edhe rishikimi i Kodit Penal, i cili parashikon dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët dhe masa mbrojtëse për ta, si dhe ashpërsimin e dënimeve për ndërtimet e paligjshme, zjarrvënien dhe parkimin e dyfishtë.

Axhenda e plotë:

I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare të datës 27.1.2026, ora 10:00.

II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 19.1.2026.

2. Njoftime.

3. Akti normativ nr. 11, datë 19.12.2025 "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 115/2024, "Për buxhetin e vitit 2025", të ndryshuar.

4. Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për bashkëpunimin strategjik në kujdesin shëndetësor, energjinë, mjedisin, industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimin e migracionit, arsimin, inovacionin, diasporën, transformimin ekonomik dhe rritjen inteligjente".

5. Projektligji "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin për Pronësinë Intelektuale, Burimet Gjenetike dhe Njohuritë Tradicionale të Lidhura me To, bërë në Gjenevë, më 24 maj 2024".

6. Projektligji "Për ratifikimin e vendimit nr. 5/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore "Për aspektet tregtare të të drejtave të pronësisë intelektuale".

7. Projektligji "Për ratifikimin e vendimit nr. 6/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore "Për lehtësimin e tregtisë së shërbimeve të ofruara nga agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë"".

8. Projektligji "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin për ndalimin e tregtisë së paligjshme në produktet e duhanit".

9. Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, "Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar.

10. Projektligj "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, "Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar.

11. Projektligji "Për disa ndryshime në ligjin nr. 96/2016 "Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar.

12. Projektligji "Për disa ndryshime në ligjin nr. 115/2016 "Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë", të ndryshuar.

13. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8874, datë 29.3.2002, “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope"".

14. Projektligji "Për disa shtesa në ligjin nr. 7975, datë 26.7.1995, "Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope", të ndryshuar.

15. Projektligji "Për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje".

16. Projektligji "Për lobimin në Republikën e Shqipërisë".

17. Projektligji "Për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit, të komponentëve të tyre kryesorë dhe të municioneve".

18. Projektligji "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike".

19. Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 10221, datë 04.02.2010 "Për mbrojtjen nga diskriminimi”.

20. Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8891, datë 02.05.2002 "Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit".

21. Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 97/2013 "Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar.

22. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.

 IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.

Kuvendi në seancë plenare! Diskutime për Kodin Penal- Lamallari:Kuvendi në seancë plenare! Diskutime për Kodin Penal- Lamallari:

/ZËRI

 

 

Poll

MOS HUMB