Situata nga zjarret në vend: 23 vatra janë aktive, ku paraqitet sitata më kritike
TIRANË- Pas angazhimit të forcave të emergjencave, situata nga zjarret paraqitet e stabilizuar në shumë zona problematike. Aktualisht janë raportuar 23 vatra zjarri aktive. Vatrat aktive janë ende në Mirditë, në Sarandë, Delvinë, Poliçan, Gramsh, Tepelenë, Bulqizë, Gërmenj të Kolonjës dhe të tjera.
NJOFTIMI I MINISTRISË:
Situata nga zjarret në vend
Pas angazhimit të forcave të emergjencave, situata nga zjarret paraqitet e stabilizuar në shumë zona problematike. Aktualisht janë raportuar 23 vatra zjarri aktive.
Po punohet në këto zona:
* Syri i Kaltër (Delvinë) – Vazhdon puna për shuarjen e zjarrit në lartësitë e Malit të Sopotit. Në terren janë 67 forca zjarrfikëse me 11 automjete, 30 forca bashkiake, 80 efektivë të FA me 10 automjete, 6 autoambulanca dhe 30 forca mbështetëse. Në mbështetje edhe avioni italian “Canadair”.
* Pecë, Sirikat, Kardhikaq (Finiq) – Vatra në sipërfaqe me shkurre dhe pyje, po mbahet në vëzhgim nga strukturat vendore.
* Kuç (Himarë) – Zjarr në sipërfaqe pyjore, në operim forcat zjarrfikëse.
* Brataj (Selenicë) – Zjarr në shkurre dhe pyje, forcat zjarrfikëse në terren.
* Mali me Gropa, Val (Bulqizë) – Dy vatra në zonë të mbrojtur, terren i thyer; po monitorohet nga punonjës të AdZM dhe forca vullnetare.
* Tërnovë (Bulqizë) – Zjarr në pyje të dendura, në operacion 8 zjarrfikës, forca pyjore, bashkiake dhe FA, me mbështetje nga një helikopter.
* Zhapokikë, Plashnik, Rezervati Balloll (Poliçan) – Zjarr me përhapje të shpejtë, dje u evakuuan 20 banorë. Në terren po operojnë zjarrfikës, punonjës të AdZM, forca ushtarake dhe 3 helikopterë (2 nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe 1 nga Çekia).
* Velçan (Berat) – Pas angazhimit që në mesditë, me ndërhyrje nga toka dhe nga ajri, është arritur të shmanget rreziku për banesat në Velçan, Bashkia Berat. Situata po monitorohet nga pranë nga AKMC, teksa 20 efektivë shtesë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore do vazhdojnë të operojnë deri në neutralizimin e plotë të vatrës.
* Orizaj (Skrapar) – Zjarr në shkurre, pa rrezik për banesat, nën monitorim.
* Vokopolë (Poliçan) – Vatra me intensitet të ulët, nën monitorim.
* Mbrakull (Poliçan) – Situatë e qetë dhe nën kontroll.
* Ibë (Tiranë) – Zjarr i vënë nën kontroll, u shmang rreziku për banesat.
* Damjan-Fortuzaj dhe Isufaj (Tiranë) – Vatra e vënë nën kontroll, pa rrezik për banesat.
* Ferraj dhe Zall-Herr (Tiranë) – Vatra është vënë nën kontroll, pas një pune mjaft të vështirë për shkak të terrenit.
* Spanesh, Kazie (Rrogozhinë) – Zjarr i izoluar, nën vëzhgim.
* Dhuvjan, Lugar, Frashtan (Dropull) – Zjarr i vënë nën kontroll, situata e qetë.
* Hormovë (Tepelenë) – Zjarr në lartësitë e Majës së Golikut; një vatër tjetër pranë antenave të RTSH, po mbahet nën monitorim.
* Kullollas, Kodovjat, Ermenj (Gramsh) – Është ndërprerë përhapja drejt fshatit Nartë, pas punës së forcave. Në terren zjarrfikës, forca bashkiake, FA dhe vullnetarë.
* Mukaj, Sojnik (Gramsh) – Zjarr në shkurre e ferra, nuk rrezikohen banesat; në terren forca zjarrfikëse, FA dhe vullnetarë.
* Kunorë Dardhë – Laku Klyz, Rrafshi i Sakatit (Fushë Arrëz) – Situata e rënduar, zjarri po përparon në terren të vështirë drejt zonave malore. Në operacion janë mbi 150 forca bashkiake, pyjore, vullnetare dhe efektivë të FA.
* Gërmenj (Kolonjë) – Zjarr në pyje pishe, në operim nga forcat zjarrfikëse.
* Velës (Mirditë) – Zjarri në pyll pishe, në terren forca zjarrfikëse, bashkiake, pyjore dhe vullnetare, me vështirësi për shkak të dendësisë së bimësisë.
Shmanget rreziku për banesat në Velçan të Beratit
BERAT- Zjarrfikësit kanë mundur që të shuajnë flakën e zjarrit në Berat. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, me ndërhyrje nga toka dhe nga ajri, është arritur të shmanget rreziku për banesat në Velçan, Bashkia Berat.
Situata po monitorohet nga pranë nga AKMC, teksa efektivët e Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore do vazhdojnë të operojnë deri në neutralizimin e plotë të vatrës./ZËRI
Vala e të nxehtit dhe zjarret shkrumbojnë Evropën Jugore, situata kritike në Greqi, Spanjë dhe Ballkan
EVROPË- Evropa Jugore po përballet me një valë të fortë të të nxehtit që nga fillimi i gushtit, duke shkaktuar vatra zjarresh në disa vende të rajonit.
Në Greqi, gjatë dy ditëve të fundit janë regjistruar mbi 252 vatra zjarri, ndërsa mijëra banorë dhe turistë janë evakuuar nga ishujt e Kiosit dhe Zakinthosit, si dhe nga zona e Patrasit. Situata më kritike mbetet në ishullin e Zantes, ku zjarret kanë shkrumbuar rreth 9 milje tokë. Mbi 4,850 zjarrfikës janë angazhuar në terren për të kontrolluar flakët. Përveç dëmeve materiale, ka pasur djegie të bagëtive dhe paralajmërohen humbje të mëtejshme.
Në Spanjë, më shumë se 4,000 persona u evakuuan nga provinca veriperëndimore e Leónit. Një zjarrfikës vullnetar humbi jetën në përpjekje për të luftuar flakët, ndërsa qeveria spanjolle ka ngritur nivelin e reagimit emergjent në të gjithë vendin.
Në Shqipëri, zjarret kanë detyruar banorët të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa autoritetet po përpiqen të përballojnë situatën me forca zjarrfikëse në terren.
Në Turqi, disa vatra zjarri të mëdha janë vënë nën kontroll në zonat e Çanakalës dhe Izmirit, ku janë evakuuar qindra banorë dhe është mbyllur aeroporti i Çanakalës. Në përpjekjet për shuarjen e zjarreve, një ushtar në Mal të Zi ka humbur jetën, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë gjatë një aksidenti me cisternën e ujit.
Në Portugali, zjarrfikësit luftojnë me tre zjarre të mëdha, përfshirë një zjarr masiv në qendrën e vendit, në Trancoso.
"Alarmet për rritje të temperaturave mbeten në fuqi në Francë, Spanjë, Portugali, Itali dhe në Ballkan, me disa zona që presin temperatura mbi 40 gradë Celsius. Disa vende, si Franca dhe Sllovenia, kanë shënuar temperatura rekord këtë javë.", shkruan BBC.
Shkencëtarët paralajmërojnë se ngrohja globale po përkeqëson kushtet në rajonin mesdhetar, duke shkaktuar verëra më të nxehta dhe më të thata dhe duke zgjatur periudhat e zjarreve të mëdha./ZËRI/
Zjarret në Shqipëri/ Rama: Po bëjmë inventarizimin, nuk do t’u lëmë vetëm
TIRANË- 270 shtëpi janë djegur dhe shkrumbuar nga zjarret në të gjithë vendin. Kryeministri Edi Rama ka dalë për herë të parë për të folur lidhur me situatën e krijuar nga zjarret në disa zona të vendit. Në një video live në Facebook, ku edhe iu përgjigj komentuesëve, Rama tha se personat e prekur do të dëmshpërblehen. Por nuk zbuloi detaje të tjera se si dhe sa do të dëmshpërblehen. Megjithatë, sipas tij, po bëhet inventarizimi i plotë i dëmeve sipas protokollit, dhe Qeveria do të ndërhyjë për të ndihmuar çdo familje të prekur.
“Askush nuk do të mbetet pa e parë në krahun e shtetit për t’u rikthyer në një shtëpi më të fortë. Dëmshpërblimet do të jepen për çdo rast, përfshirë edhe për krerët e bagëtive të humbura, të cilët do të kompensohen një për një”, shtoi kryeministri.
Po ashtu, ndër të tjera foli edhe për kritikën kryesore, atë të mungesës së avionëve për shuarjen e flakëve.
PJESË NGA FJALA E PLOTË E RAMËS:
Jam këtu për të ndarë me ju disa përshtypje dhe patjetër disa të dhëna lidhur me 48, 72 orët e fundit, të cilat ishin tejet të vështira për shkak të zjarreve që patën zhvillim më të madh sesa cdo herë tjetër më parë këtë moment. Në radhë të parë dua që t’ju shpreh ngushëllim kujt të humbi të afërmin e vet dhe t’ju shpreh gjithë solidaritetin atyre familjeve që faktikisht kanë humbur shtëpinë nga zjarri, tani që flasim janë 207 shtëpi të dëmtuara, të prekura nga zjarri por në këtë numër hyn 40 familje deri tani, të cilat e kanë humbur shtëpinë plotësisht. Dua t’i siguroj të gjithë qoftë familjet që kanë humbur shtëpinë plotësisht apo ata që kanë pësuar dëmtime se ne po bëjmë sipas protokollit të situatës dhe me autoritetet përkatëse inventarizimin e plotë të këtyre dëmevve dhe padiskutim sic ka ndodhur në të shkuarën, do të ndodhë përsëri. Askush nuk do të jetë vetëm dhe nuk do të mbetet pa e parë në krah qeverinë dhe pa e pasur në krah shtetin për t’u rikthyer në një shtëpi më të mirë dhe më të fortë dhe për të parë dëmshpërblimet përkatëse edhe për krerët e humbur. Deri tani numërohen 3 6019 krerë të humbur, do të kompensojmë një për një pa asnjë diskutim ndërkohë që inventarizimi i tyre vazhdon. Do jenë dëmshpërblimet përkatëse edhe për krerët e humbur. Do të kompensohen një për një. Dua edhe njëherë të shpreh mirënjohjen dhe respektin përulësisht të gjithave forcave të angazhuara në terren.
Kemi pasur një avion Zanader nga Italia, 2 nga Greqia, një Zanader nga Kroacia, 2 helikopterë nga Hungaria, 1 nga Çekia, 1 nga Sllovakia, 2 suedezë dhe dy nga Emiratet, po të kishim vetë avionët tanë do të ishte akoma më mirë askush s’e mohon këtë kush i bën llogaritë duhet t’i rikthehet pak llogarive, avionët nuk janë një fjalë goje, disa pa mendje ose nga dëshira për ta besuar kanë ngrënë broçkullën e madhe se unë, qeveria paskemi blerë avion për veten, s’ka asnjë avion, avioni i shumëpërfolur i përdorur nga unë vetëm për udhëtime zyrtare, në çdo udhëtim privat unë marr avionët e linjës dhe jam rregullisht bashkë me familjen, gjithmonë, këtë e dëshmojnë të gjitha biletat, avioni i përdorur për udhëtime zyrtare nuk i kushton shtetit shqiptar më shumë tek shumatorja e shpenzimeve të kryera çdo vit nga kryeministri përfshirë nga mesatarja dhe me nder jush paraardhësin tim.
Aktualisht në Shqipëri janë aktive ende 29 vatra zjarri në vend. Forca të shumta janë përqendruar në zjarrin tek Syri i Kaltër dhe Mali i Sopotit. Në Tërnovë të Bulqizës, era po favorizon flakët që po zhvillohen në disa fronte. Pas një dite të vështirë, situata nga zjarri në njësinë Skënderbegas të Gramshit. Sot ka vetëm një vatër zjarri mbi fshatin Ermenj, por shumë larg banesave. Edhe sot për shuarjen e flakëve po operohet nga toka dhe me helikopter./ZËRI
“Avionët janë duke u blerë”/ Ministri sqaron polemikat mbi mjetet për zjarret
TIRANË- Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu në një komunikim për mediat nga Delvina tregoi situatën aktuale në këtë zonë dhe zonën e Gramshit më të prekurat nga zjarret e mëdha të një dite më parë. Nga Delvina, ku situata me zjarret është ende e rrezikshme, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi se Shqipëria është duke blerë dy avionë që në të ardhme të ketë mundësi të përballojë më mirë situata të ngjashme. Sipas tij, avionët po prodhohen por ende nuk kanë përfunduar.
“Ne kemi iniciuar dhe përmbyllur procedurën për një investim. Duhet të dimë se që nga viti 2007, Shqipëria nuk ka pilotë avionësh. Ky është realiteti që kemi trashëguar. Ndaj kemi hapur dhe një shkollë aviacioni që do fillojë të operojë në Vlorë. Ne do të kemi mundësi që të kemi dhe pilotët që shkojnë me këto mjete ajrore. Ne nuk kemi pasur kurrë kaq shumë mjete ajrore të dedikuara për zjarret. Ka bërë polemikë fakti që ne angazhojmë forca të huaja. Nuk ka asnjë debat për këtë pjesë. Më vjen mirë që jemi të integruar në Mekanizmin Evropian saqë sa herë ne kërkojmë ndihmë edhe në kushte kur Kroacia është në flakë, Italia, Turqia janë në flakë, dhe prapë ne jemi pjesë e Mekanizmit Europian. Avionët janë blerë. Ka një procedurë sesi bëhen këto investime. Avionët duhet të prodhohen që të vijnë në Shqipëri, është një proces që kërkon kohë. Ne po kërkojmë një mundësi që të prodhohen sa më shpejt. Në këto kushte jemi. I keni shifrat në buxhet, nuk kemi bërë disbursime pasi nuk kemi lidhur kontratë. Ky është realitet. Nuk ka politikë këtu, ka të bëjë me planin e zbatimit të investimeve të qeverisë shqiptare,”- tha Vengu.
Aktualisht në Shqipëri janë aktive ende 29 vatra zjarri në vend. Forca të shumta janë përqendruar në zjarrin tek Syri i Kaltër dhe Mali i Sopotit. Në Tërnovë të Bulqizës, era po favorizon flakët që po zhvillohen në disa fronte. Pas një dite të vështirë, situata nga zjarri në njësinë Skënderbegas të Gramshit. Sot ka vetëm një vatër zjarri mbi fshatin Ermenj, por shumë larg banesave. Edhe sot për shuarjen e flakëve po operohet nga toka dhe me helikopter./ZËRI
50 mijë hektarë tokë e djegur nga zjarret në Shqipëri në gjysmën e parë të vitit
TIRANË- Plot 50 mijë hektarë tokë kanë djegur zjarret në Shqipëri nga janari 2025 deri më tani. Të dhënat zyrtare janë bërë publike nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje që kanë regjistruar çdo zjarr dhe dëmet që ka shkaktuar në vend.
Në gjysmën e parë të këtij viti, pra deri në qershor janë regjistruar 93 vatra zjarresh, të cilat kanë shkatërruar sipërfaqen prej 50 mijë hektarësh. Megjithatë nuk llogaritet korriku dhe gushti që kanë qenë më të rënduara nga ana zjarreve.

Pritet që dëmet e këtij viti të jenë shumë më shumë se ato të viteve të shkuara. Rastet më të rënda nga zjarret janë shënuar në vitin 2011, ku u dogjën 54 mijë hektarë tokë./ZËRI
29 vatra aktive nga Jugu në Veri/ Situata me zjarret, Ministria bën bilancin për 24 orët e fundit
TIRANË- Situata nga zjarret në rang vendi vazhdon të jetë kritike. Pas përpjekjeve intensive të mijëra forcave të emergjencave, sot situata nga zjarret në vend është më e stabilizuar. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 57 vatra zjarri, nga të cilat 29 janë aktive.
Aktualisht po punohet me intensitet në disa vatra ku kryesojnë ato në qarkun e Vlorës. Në Delvinë në terren ndodhen 67 forca zjarrfikëse me 11 automjete, 30 forca bashkiake, 80 efektivë të FA me 10 automjete transporti, 6 autoambulanca dhe 30 forca mbështetëse. Ndërsa raportohet se zjarret janë izoluar dhe po punohet për fikjen e tyre.
Aktualisht po punohet me intensitet në këto vatra:
Qarku Vlorë
Në bashkinë Delvinë vijon puna për vatrën e zjarrit në Syrin e Kaltër. Në terren po operojnë: 67 forca zjarrfikëse me 11 automjete, 30 forca bashkiake, 80 efektivë të FA me 10 automjete transporti, 6 autoambulanca dhe 30 forca mbështetëse. Zjarri vazhdon aktiv në lartësitë e Malit të Sopotit.Vijon të jetë aktive vatra në fshatrat Pecë, Sirikat dhe Kardhikaq, bashkia Finiq. Situata po mbahet në vëzhgim nga strukturat vendore. Zjarri në fshatin Kuç, njësia administrative Horë-Vranisht, bashkia Himarë, vijon në një sipërfaqe me shkurre dhe pyje. Po operojnë forcat zjarrfikëse.Në fshatin Brataj, njësia administrative Brataj, bashkia Selenicë, është shfaqur një vatër zjarri. Po operojnë forcat zjarrfikëse.
Qarku Dibër
Në Malin me Gropa në Biz të Martaneshit, në afërsi të fshatit Val, njësia administrative Martanesh, bashkia Bulqizë, në zonë të mbrojtur. Forcat zjarrfikëse janë përqendruar në monitorim duke mbajtur këtë vatër nën kontroll. Ditën e sotme në terren ndodhen 2 forca nga AdZM dhe 5 forca vullnetare.Në fshatin Tërnovë, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, zjarri është zhvilluar në disa vatra, por me intensitet të lartë në zonë me pyje, ndihmuar nga era. Ditën e sotme vazhdon operacioni me 8 forca nga MZSH, 6 forca pyjore, 4 forca bashkiake dhe 30 efektivë të FA. Nuk ka rrezik për banesa.
Qarku Berat
Në fshatrat Zhapokikë, Plashnik (lagja Lugas) dhe Zona e Mbrojtur “Rezervati i Menaxhuar Balloll” në zonën e Tërpanit, me origjinë në fshatin Rehovë, njësia administrative Tërpan, bashkia Poliçan. Në fshatin Plashnik, për shkak të intensitetit të lartë të zjarrit dhe erës së fortë u rrezikuan seriozisht banesat në lagjet Totaj, Ziflaj, Serjanaj dhe Beqiraj, ku dje u evakuan 20 banorë. Sot në ndihmë të forcave tokësore shkuan edhe 2 helikopterët e Emirateve të Bashkuara Arabe si dhe 2 helikopterët që operonin në bashkinë Gramsh. Në fshatin Velçan, njësia administrative Sinjë, bashkia Berat. Gjatë natës në terren qëndruan 2 grupe shërbimi me 2 automjete zjarrfikëse.Në fshatin Orizaj, njësia administrative Qendër Skrapar, bashkia Skrapar, vijon zjarri në një sipërfaqe me shkurre e bimësi mare. Vatra nuk paraqet rrezik dhe gjatë natës është mbajtur në monitorim nga strukturat bashkiake.Në fshatin Vokopolë, njësia administrative Tërpan, bashkia Poliçan, vatra e zjarrit ka qenë me intensitet të ulët dhe po mbahet në monitorim. Vatra e zjarrit midis qytetit të Poliçanit dhe fshatit Mbrakull vazhdon, por situata ka qenë e qetë dhe nën kontroll nga forcat zjarrfikëse.
Qarku Tiranë
Në “Malin e Bërzhitës”, fshati Ibë, njësia administrative Bërzhitë, vijon zjarri. Gjatë ditës në terren u angazhuan 3 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë nga MZSH Tiranë, 5 forca APR dhe forca nga Policia e Shtetit, të cilët arritën ta vinin vatrën nën kontroll duke evituar rrezikun për banesat. Vijon puna për shuarjen e zjarrit në fshatin Damjan-Fortuzaj dhe Isufaj, njësia administrative Vaqarr, bashkia Tiranë. Në terren u angazhuan 3 automjete zjarrfikëse me 16 efektivë nga MZSH, 5 forca nga APR dhe forca nga Policia e Shtetit, të cilët arritën ta vinin vatrën nën kontroll. Në fshatin Ferraj dhe Zall-Herr, njësia administrative Zall Herr, bashkia Tiranë, vijon puna për shuarjen e zjarrit. Si pasojë e terrenit kodrinor-malor ka qenë i vështirë veprimi i mjeteve zjarrfikëse dhe nuk u mundësua shuarja e plotë e flakëve, por u arrit të vihej nën kontroll duke evituar rrezikun për banesat. Vijon puna për shuarjen e zjarrit në fshatrat Spanesh dhe Kazie, njësia administrative Kryevidh, bashkia Rrogozhinë. Ditën e sotme zjarri është izoluar dhe po mbahet në vëzhgim.
Qarku Gjirokastër
Vijon puna për shuarjen e zjarrit të ardhur nga bashkia Finiq në territorin e bashkisë Dropull, në drejtim të fshatit Dhuvjan dhe fshatrat Lugar e Frashtan, vatër e cila u përhap në dy fronte në majën e Leftokaresë dhe më pas u vu nën kontroll.Vijon puna për shuarjen e zjarrit në Hormovë, njësia administrative Qendër Tepelenë, bashkia Tepelenë. Sot nuk ka vatra aktive në fshatra, por vetëm në lartësi të Majës së Golikut. Në malin e Sopotit ka rënë zjarr në afërsi të antenave të RTSH. Sipërfaqja e djegur po mbahet nën monitorim.
Qarku Elbasan
Sot që në orët e para të mëngjesit ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në fshatin Kullollas, njësia administrative Skënderbegas, bashkia Gramsh, në një zonë pyjore. Në terren u angazhuan: 30 forca zjarrfikëse me 11 automjete të MZSH-ve Gramsh, Elbasan, Cërrik dhe Librazhd; 60 forca bashkiake; 80 forca vullnetare dhe 70 efektivë të FA me 2 mjete zjarrfikëse. Në operacionet ajrore morën pjesë 2 helikopterë (çek dhe sllovak). Operacioni vazhdon me angazhimin e forcave vendore. Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në fshatin Kodovjat, afër fshatit Posnovisht, njësia administrative Kodovjat, bashkia Gramsh. Pas punës së forcave në terren u arrit të izolohet zjarri dhe gjatë natës është mbajtur në monitorim. Vijon të jetë i pranishëm zjarri i rënë në fshatin Mukaj dhe fshatin Sojnik, njësia administrative Kukur, bashkia Gramsh, në sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Nuk kanë qenë të rrezikuara banesat.
Qarku Shkodër
Në bashkinë Fushë Arrëz, në fshatin Xath, njësia administrative Blerim ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit dhe vënien e tij në kontroll. Zjarri ka rrezikuar edhe fshatin Trun, në pjesën e majës së Kunor Dardhës, në një terren shumë të thyer malor. Aktualisht po operojnë forcat tokësore dhe helikopteri i FA.
Qarku Kukës
Në fshatin Bele, njësia administrative Zapod, bashkia Kukës ka rënë zjarr në Parkun Natyror Korab-Koritnik, në një sipërfaqe pyjore. Vazhdon angazhimi i forcave në terren për izolimin dhe shuarjen e plotë të zjarrit.
Qarku Korçë
Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të aktivizuar në një sipërfaqe pyjore me pisha në fshatin Gërmenj, njësia administrative Qendër Leskovik, bashkia Kolonjë. Në terren ndodhen forcat operacionale dhe 3 mjete për hapjen e rrugës dhe brezat e sigurisë kundër zjarrit. Gjatë ditës së djeshme ka patur shpërthime të municioneve që ndodheshin në brendësi të perimetrit të vatrës së zjarrit.
Situata është në mbikëqyrje nga MZSH Kolonjë. Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 65 automjete zjarrfikëse dhe 1,143 forca operacionale, të ndihmuar nga FA me 409 forca ushtarake, 23 automjete zjarrfikëse dhe 3 helikopterë të FA. Gjithashtu morën pjesë 7 helikopterë dhe 1 avion Canadair nga Italia./ZËRI
"Situata është përmirësuar", Rama për zjarret në vend: Neveri për lehaqeniet që vazhdojnë avazin
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale për situatën me zjarret në vend. Sipas tij, gjendja në vend duket e përmirësuar. Por po ashtu, Rama nuk la pa përmendur kritikat e marra nga qytetarët dhe nga rivalët politikë për shuarjen e flakëve, duke marrë edhe shembullin e vendeve të tjera.
“MIRËMËNGJES dhe me një tjetër ditë gatishmërie të lartë e përpjekjesh të përbashkëta, përballë një situate të përmirësuar falë mundimesh e sakrificash të admirueshme por me rreziqe e të papritura në çdo çast; me neveri për lehaqeniet që vazhdojnë avazin e tyre të krehjes para pasqyrave mediatike, teksa në tërë Europën Jugore digjen në flakë mijëra vatra zjarri nga Spanja e deri në Turqi, ju uroj një ditë sa më të qetë të gjithëve,”- shkruan kryeministri.
Ditën e djeshme duke u përgjigjur për mungesën e avionëve zjarrfikës, Rama tha se edhe pse Greqia e Turqia kanë një flotë për shuarjen e flakëve, por sërish po shkrumbohen nga flakët.
Aktualisht në Shqipëri janë aktive ende 29 vatra zjarri në vend. Forca të shumta janë përqendruar në zjarrin tek Syri i Kaltër dhe Mali i Sopotit. Në Tërnovë të Bulqizës, era po favorizon flakët që po zhvillohen në disa fronte. Pas një dite të vështirë, situata nga zjarri në njësinë Skënderbegas të Gramshit. Sot ka vetëm një vatër zjarri mbi fshatin Ermenj, por shumë larg banesave. Edhe sot për shuarjen e flakëve po operohet nga toka dhe me helikopter./ZËRI
Bashkive u mungojnë zjarrfikësit, numri i tyre është 25% më pak sesa standardi ligjor
TIRANË- Bashkitë në të gjithë vendin po përballojnë situatën emergjente e krijuar me zjarret me 25% më pak personel zjarrfikësish, sesa e kërkon ligji “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”. Në legjislacion përcaktohet se çdo stacioni i shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH) një njësi operuese dhe inspektuese që ngrihet në çdo bashki, duhet të zbatojë standardin e të pasurit 1 zjarrfikës profesionist për 1,500-2,000 banorë.
Në total në të gjitha bashkitë në rang vendi janë të punësuar 1,300 zjarrfikës sipas të dhënave të Institutit të Bashkive të Shqipërisë. Në raportin vjetor për “Qeverisja vendore në Shqipëri- Raport mbi situatën aktuale 2024” Institutit për Bashkitë te Shqipërisë evidenton se numri mesatar i zjarrfikësve në nivel kombëtar arrin 0.8 zjarrfikës për 1,500 banorë, ndërsa numri i automjeteve zjarrfikëse është 0.9 për 10,000 banorë.
Kjo tregon se numri i zjarrfikësve të punësuar për 1,500 banorë është rreth 25% nën nivelin e kërkuar nga ligji “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Bashkive të Shqipërisë Agron Haxhimali tha për Monitor se jo vetëm që numri i zjarrfikësve është nën nivelin e përcaktuar në ligjin e vitit 2015, por edhe numri i tyre rezulton se ka një shpërndarje të pabarabartë, ku bashkitë e vogla kanë më shumë zjarrfikës dhe automjete zjarrfikëse për frymë sesa bashkitë e mëdha.
“Por kjo mund të lidhet me shpërndarjen e popullsisë në zona rurale, ku distancat janë më të mëdha dhe infrastruktura rrugore më e vështirë. Ndërsa Tirana ka numrin më të ulët të zjarrfikësve dhe automjeteve zjarrfikëse për frymë, gjë që mund të shpjegohet me përqendrimin e popullsisë dhe infrastrukturën më të zhvilluar rrugore në kryeqytet”, thotë ai. Po ashtu, deri në fund të vitit 2018, në çdo bashki u ngritën stacione zjarrfikëse me një personel minimal prej 14 punonjësish. Numri i stacioneve të zjarrfikësve është 70.
Në kuadër të sfidave të vazhdueshme që ka Shqipëria për mbrojtjen nga zjarri, drejtori ekzekutiv i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë, Agron Haxhimali, theksoi rëndësinë e modernizimit të mjeteve operative dhe forcave zjarrfikëse. Ai komentoi situatën aktuale të menaxhimit të zjarreve në disa bashki, përfshirë Delvinën dhe Gramshin, ku janë angazhuar jo vetëm forcat zjarrfikëse vendore, por edhe helikopterë dhe forca të Armatosura Shqiptare dhe të huaja.
“Në terren për shuarjen e zjarreve, sidomos në Bashkinë Delvinë dhe Gramsh, janë angazhuar forcat zjarrfikëse vendore, automjetet zjarrfikëse të bashkive, si dhe helikopterë të Forcave Ajrore shqiptare dhe të huaja për zonat e vështira. Pjesë shumë e rëndësishme ka qenë gadishmëria e qytetarëve dhe vullnetarëve.”
Sipas Haxhimalit, edhe pse ka pasur përpjekje të koordinuara, infrastruktura zjarrfikëse në këto bashki mbetet e kufizuar, me mungesë mjeteve moderne dhe nevojë për më shumë personel të trajnuar.
“Në të dy bashkitë janë dhënë urdhra evakuimi për disa fshatra dhe është koordinuar ndërhyrja mes strukturave vendore e qendrore për frenimin e flakëve. Megjithatë, infrastruktura zjarrfikëse në këto bashki është e kufizuar, me pak mjete moderne dhe nevojë për më shumë personel të trajnuar, çka e vështirëson reagimin ndaj emergjencave të përmasave të mëdha. Në këtë rast duhet theksuar kontributi shumë i rëndësishëm i avionëve nga mekanizimi evropian e mbrojtjes. Kjo tregon edhe një herë se sa rëndësi merr investimi në mjete të tilla. Por sistemi i mbrojtjes civile kërkohet të jetë më vital dhe i integruar, në burime, teknologji, infrastrukturë, organizime, edukim ndërgjegjësim etj”.
Në raportin e fundit të Bankës Botërore mbi gatishmërinë e Shqipërisë për shuarjen e zjarreve, u theksua se vendi ka kapacitete të kufizuara për të shuar zjarret në zona të largëta, për shkak të mungesës së pajisjeve specifike si kamerat termike dhe automjetet e specializuara për zonat malore dhe të thella.
“Shqipëria ka nevojë për më shumë automjete zjarrfikëse dhe pajisje moderne që mund të shërbejnë për të përballuar situata më të vështira, sidomos në zona të izoluara,”-shtoi Haxhimali.
Kjo pasqyron një tjetër sfidë të madhe për administratën lokale dhe për qeverinë që duhet të sigurojë fonde të mjaftueshme për përmirësimin e kapaciteteve të shërbimit të zjarrfikësve dhe menaxhimin e zjarreve në të ardhmen. Në këtë kuadër, Instituti për Bashkitë Shqiptare ka rekomanduar rritjen e transfertave sektoriale dhe krijimin e një fondi të veçantë për emergjencat zjarrfikëse, që mund të përdoret për përballimin e situatave kritike.
Kjo përfshin: shtimin e fondeve për modernizimin e flotës së automjeteve zjarrfikëse, veçanërisht në bashkitë me infrastrukturë të vështirë; mbështetje financiare për rritjen e numrit të zjarrfikësve në raport me popullsinë dhe nevojat specifike të secilës bashki.
Po ashtu sipas Institutit të Bashkive të Shqipërisë për përballimin e situatave emergjente për bashkitë haset nevoja e hartimit të planeve të detajuara për menaxhimin e rrezikut nga zjarret, të përshtatura sipas karakteristikave të secilës bashki dhe kapacitete në këtë sektor për shuarjen e zjarreve në pyje, pasi kjo përbën një tipologji të ndryshme nga zjarret urbane. Për vitin 2025, 61 bashkitë e vendit kanë përfituar një fond prej 2,1 miliardë lekë (rreth 21 milionë euro) për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri, përmes transfertës së pakushtëzuar nga buxheti i shtetit. Krahasuar me vitin 2024, ky fond është rritur me 36%. Ndërsa për emergjencat civile, fondi i vitit 2025 që do të jetë në dispozicion nga buxheti i shtetit është 5,4 miliardë lekë (rreth 55 milionë euro), një rritje prej 1.4% krahasuar me vitin 2024.
Agron Haxhimali, drejtor i Institutit të Bashkive të Shqipërisë, më herët rekomandoi se është e nevojshme një rishpërndarje e fondeve të buxhetit për situatat emergjente. Ai sugjeroi që bashkitë që përballen drejtpërdrejt me situata të vështira të përfitojnë më shumë fonde.
Çfarë përcakton ligji për organizimin e strukturës së shërbimit
Neni 7 Organizimi i strukturës së shërbimit
1. Shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin organizohet në nivel qendror dhe vendor. Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin përfaqëson nivelin qendror; strukturat e shërbimit të MZSH-së në bashki përfaqësojnë nivelin vendor dhe organizohen në drejtori ose sektorë.
2. Drejtoria e Përgjithshme e MZSH-së, në varësi të ministrit, përfaqëson autoritetin më të lartë teknik, mbikëqyrës dhe drejtues të shërbimit të MZSH-së. Drejtoria e Përgjithshme e MZSH-së organizohet në drejtori me funksione inspektimi, koordinimi, trajnimi dhe logjistike.
3. Drejtoria ose sektori i shërbimit të MZSH-së në nivel vendor është në varësi të kryetarit të bashkisë. Ajo përfaqëson strukturën bazë operuese dhe inspektuese në fushën e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin në territorin që ka në juridiksion.
4. Çdo bashki duhet të mbulojë territorin e saj me shërbim zjarrfikës, me stacione të kompletuara me personel, automjete dhe pajisje zjarrfikëse.
5. Stacioni i shërbimit të MZSH-së është njësi operuese dhe inspektuese në varësi të shefit të sektorit të shërbimit të MZSH-së dhe ngrihet në çdo bashki, duke zbatuar standardin 1 zjarrfikës profesionist për 1500-2000 banorë.
6. Çdo stacion duhet të ketë jo më pak se 14 zjarrfikës, personel profesionist./Monitor