LIVE UPDATES

“Ëndrra Amerikane” vazhdon! Shqipëria triumfon në Serbi me Manajn!

➤ Goli i Rey Manajt i dha Shqipërinë fitoren e shumë pritur në Serbi. ➤ Kombëtarja u përball me Serbinë në Leskovac, ndeshje që u mbyll me rezultatin 0-1 për kuqezinjtë. ➤ Ishte goli i Manajt në minutën e 46-të që na çoi përpara drejt “Ëndrrës Amerikane”. ➤ Kjo fitore e konsolidon Shqipërinë në vendin e dytë me 11 pikë në grupin C. ➤Shqipëria vjen pas një forme solide: pesë ndeshje pa humbje, tri fitore dhe dy barazime, përfshirë suksesin ndaj Letonisë. ➤ Ky është takimi i katërt zyrtar mes dy kombëtareve. Bilanci është i barabartë: një fitore për secilën palë dhe një barazim, ndërsa një ndeshje është vendosur në favor të Shqipërisë nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS). ➤Edhe pse rikthehemi të luajmë ndaj Serbisë pas 11 vitesh, duket se “gjurmët” që ka lënë “droni” në 2014 në Beograd janë ende të “freskëta”.➤Vetëm pak orë para ndeshjes së sotme, Federata Serbe e Futbollit ka organizuar një drekë zyrtare me përfaqësuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit ku është fokur rreth organizimit të ndeshjes dhe masat e marra nga autoritetet serbe.➤Në artikullin e tyre, media serbe e ka cilësuar tifozin Ismail Morina si “nxitës të zjarrit” për këtë përballje.➤Kombëtarja shqiptare u nis drejt stadiumit nën masa të rrepta sigurie.➤ Zëvendëstrajneri i Kombëtares, Ervin Bulku ka shpjeguar zgjedhjet e trajnerit Sylvinho për këtë ndeshje të rëndësishme, duke theksuar se Kombëtarja është e motivuar dhe kërkon vetëm fitoren.➤Në tribunat e stadiumit është dëgjuar në mënyrë të përsëritur thirrja politike dhe raciste si: “Kosova është Serbi”, në kundërshtim të hapur me rregullat e UEFA-s.

10 artikuj për këtë temë.
7 MUAJ ME PARE

Shqipëria triumfon në Serbi! Manaj çon përpara “Ëndrrën Amerikane”!

“Ëndrra Amerikane” vazhdon! Shqipëria triumfon në
Rey Manaj

LESKOVAC- Shqipëria triumfon 0-1 ndaj Serbisë në Leskovac. Ishte goli i Rey Manaj në minutën e 46-të, të pjesës së parë që i dhuroi kuqezinjve fitoren për të vazhduar “Ëndrrën Amerikane".

Në pjesën e dytë, Shqipëria u tregua e kujdesshme dhe menaxhoi rezultatin, teksa serbët nuk arritën të barazonin.

Kjo fitore e konsolidon Shqipërinë në vendin e dytë me 11 pikë, në grupin C. /ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Goooooool! Zhbllokohet takimi, Rey Manaj tund rrjetën e serbëve

“Ëndrra Amerikane” vazhdon! Shqipëria triumfon në
Rey Manaj

SERBI- Në një atmosferë të tensionuar dhe me thirrje raciste që rezonojnë në stadium, Shqipëria ka kaluar në avantazh ndaj Serbisë me golin e parë të ndeshjes nga Rey Manaj.

Një krosim nga e djathta nuk arrihet nga Ajeti dhe topi shkon te Manaj. Sulmuesi me një gjuajtje fluturimthi, ia del ta dërgojë topin në fundin e rrjetës. Lushnjari u ndëshkua me karton të verdhë, pas festës me shqiponjë.

Tifozët serbë vazhduan të provokonin me thirrjet “Kosova është zemra e Serbisë” dhe fishkëllimat ndaj himnit kombëtar shqiptar, por kuqezinjtë nuk u shqetësuan dhe arritën të kalojnë në avantazh, duke ndezur shpresat e tifozëve shqiptarë për një rezultat pozitiv në këtë përballje historike./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

“Kosova është zemra e Serbisë”, thirrje raciste në stadium

“Ëndrra Amerikane” vazhdon! Shqipëria triumfon në
foto ilustruese

SERBI- Ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë, që po zhvillohet aktualisht në qytetin e Leskovacit, është shoqëruar me skena të rënda provokimi nga tifozët serbë. Në tribunat e stadiumit është dëgjuar në mënyrë të përsëritur thirrja politike dhe raciste si: “Kosova është zemra e Serbisë”, në kundërshtim të hapur me rregullat e UEFA-s.

Edhe gjatë ekzekutimit të himnit kombëtar shqiptar, pati zhurma dhe fishkëllima nga një pjesë e madhe e tifozëve serbë, duke krijuar një atmosferë jo të këndshme. Në stadium ndodhen rreth 5 mijë tifozë, të gjithë vendas, pasi hyrja për tifozët shqiptarë nuk është lejuar për arsye sigurie.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by ZËRI (@zeri.albania)

Ky veprim vjen në një kohë kur UEFA është treguar e rreptë ndaj shfaqjeve të urrejtjes, diskriminimit dhe sjelljeve politike në stadiume. Prandaj, Federata Serbe e Futbollit pritet të përballet me hetim dhe sanksione të mundshme disiplinore, nëse dokumentohen shkeljet./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Pak minuta nga ndeshja Serbi-Shqipëri, flet Bulku: Kombëtarja e motivuar në maksimum

“Ëndrra Amerikane” vazhdon! Shqipëria triumfon në
Ervin Bulku

SERBI- Zëvendëstrajneri i Kombëtares, Ervin Bulku, ka folur pak minuta para nisjes së sfidës mes Serbisë dhe Shqipërisë. Ai ka shpjeguar zgjedhjet e trajnerit Sylvinho për këtë ndeshje të rëndësishme, duke theksuar se Kombëtarja është e motivuar dhe kërkon vetëm fitoren.

“Mendoj se është një ndeshje shumë e rëndësishme, por jo përcaktuese. Është e rëndësishme të luajmë për fitore. Të 23 lojtarët në protokoll janë të rëndësishëm për ne dhe kushdo që futet në fushë do të japë maksimumin. E dimë shumë mirë që Hoxha është shumë i rëndësishëm në Kroaci, është një zgjedhje e trajnerit. Uzuni ka shënuar në SHBA me skuadrën e tij. Mendoj se çdo trajner ka dilemat e veta. Uzuni është një lojtar sulmues dhe golashënues që mund të luajë në shumë pozicione. Hoxha është një lojtar ‘1 kundër 1’, shumë i rëndësishëm. E rëndësishme është që skuadra të jetë në ekuilibër dhe të marrim një rezultat pozitiv. Më e rëndësishmja është ajo që do të japin çunat në fushë. Nuk mendoj se atmosfera do të ketë ndikim tek ata. Të japin më të mirën. Nëse nuk janë sot të motivuar, kur do të jenë? E kemi thënë gjatë gjithë kohës që të jenë të qetë në kokë.” – u shpreh Bulku./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Kombëtarja niset drejt stadiumit, shoqërohet nën masa të rrepta sigurie

“Ëndrra Amerikane” vazhdon! Shqipëria triumfon në
Kombëtarja shqiptare

SERBI- Skuadra kuqezi është nisur drejt stadiumit në Leskovac për përballjen me Serbinë. Autobuzi i Kombëtares është shoqëruar nga forca të shumta policie dhe automjete të blinduara përgjatë gjithë rrugës. Masat e sigurisë janë maksimale, pas tensioneve të ditëve të fundit dhe provokimeve të vazhdueshme nga tifozët vendas. Autoritetet serbe dhe UEFA kanë vendosur të monitorojnë nga afër çdo lëvizje për të garantuar zhvillimin e qetë të ndeshjes.

Ndeshja Serbi–Shqipëri do të zhvillohet në orën 20:45, në stadium me një kapacitet prej vetëm 8,100 spektatorësh. Sektori për tifozët shqiptarë do të mungojë, pasi biletat nuk ishin në shitje të lirë. Organizatorët vendas dhe UEFA synojnë të shmangin përsëritjen e skandalit të tetorit 2014./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Media serbe "rikthen" në skenë Ballist Morinën: “Nxitës i zjarrit” para ndeshjes së sotme

“Ëndrra Amerikane” vazhdon! Shqipëria triumfon në
Ismail Morina

SERBI- Mediat serbe duket se nuk e kanë të lehtë të harrojnë Ismail Morinën, i njohur ndryshe si Ballist Morina, i cili u bë i famshëm për dronin që fluturoi mbi stadiumin e Beogradit më 14 tetor 2014. Portali “Novosti.rs” i ka kushtuar atij një artikull vetëm dy ditë para ndeshjes së sotme Serbi-Shqipëri, që do të zhvillohet në qytetin e vogël Leskovac, në orën 20:45.

Ata i janë referuar një postimi të tij në rrjetet sociale, ku Ballisti shprehet se dyshon që kjo ndeshje është e kurdisur paraprakisht nga të dy palët. Në artikullin e tyre, media serbe e ka cilësuar tifozin si “nxitës të zjarrit” për këtë përballje. Në postimin e tij, Morina shkruan se të dy federatat po tallen me tifozët e të dy vendeve, ndërsa u bën thirrje lojtarëve dhe trajnerit të ruajnë integritetin e tyre: “Mos u bëni pjesë e kësaj maske, këtij turpi.”

ARTIKULLI I PLOTË I “NOVOSTI.RS”:

NDESHJA SERBI–SHQIPËRI ËSHTË E KURDISUR! Shqiptari që lëshoi një dron në Beograd dhe tronditi botën e futbollit ka folur hapur.

Tifozi shqiptar Ismail Morina po ndez sërish zjarr para ndeshjes me Serbinë. Ai ka shkruar në rrjetet sociale se dyshon që ndeshja e ardhshme mes Serbisë dhe Shqipërisë është e rregulluar paraprakisht. Morina njihet si personi që fluturoi një dron mbi stadiumin “Humska” në vitin 2014, çka solli trazira dhe ndikoi fuqishëm në botën e futbollit.

“Më 8 tetor 2015, ndeshja Shqipëri–Serbi u përcaktua me vendim të qeverisë se si duhej të përfundonte. Ballisti u ‘neutralizua’ gjoja për çështje rendi dhe ligji, ndërsa në fakt ishte një shfaqje e lirë nga autoritetet, me vlerë dy lekë. Brenda tre ditësh, një ndeshje e re kundër Serbisë – edhe një herë po vendoset se si duhet të shkojë. Por këtë herë, një vendim i vetëm qeveritar nuk mjafton. Frikacakët e hebrenjve ndërkombëtarë në Tiranë dhe Beograd jo vetëm që përcaktuan rezultatin, por edhe rrjedhën e atij takimi. Kjo i shqetëson shumë, sepse mendojnë se e kanë gjithçka nën kontroll, por në të vërtetë e dinë se nuk kanë asgjë.” – shkruan Morina.

Ai shton: “Po tallen me tifozët e sportit nga të dy vendet, duke e shndërruar këtë ndeshje në një shfaqje teatri kukullash. Një thirrje për të gjithë lojtarët, dhe veçanërisht për kapitenin e ekipit kombëtar: Mos u bëni pjesë e kësaj maske, këtij turpi!

Në Tiranë luajtët një ndeshje miqësore, jo një ndeshje futbolli. Varet nga ju – është në ndërgjegjen tuaj, nëse doni të ruani integritetin tuaj, së pari si njerëz dhe pastaj si profesionistë, apo t’ua shisni shpirtin frikacakëve të lartpërmendur. Mbani mend: vishni një fanellë, por jo çfarëdo. Vendimi dhe zgjedhja janë tuajat!”

Në fund, Morina shkruan: “Disa ‘specialistë’ çnjerëzorë dikur më akuzuan se isha ‘prishës’ i marrëdhënieve ndërshtetërore dhe se përzieja sportin me politikën. Sot, kam një mesazh për ta: Jemi drejtpërdrejt?... Ju e dini tashmë!!!”

Ndeshja Serbi-Shqipëri do të zhvillohet të shtunën, në stadiumin e Leskovacit, në orën 20:45./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Pak orë para ndeshjes Serbi–Shqipëri, përfaqësuesit e dy federatave ulen në drekë zyrtare

“Ëndrra Amerikane” vazhdon! Shqipëria triumfon në
Përfaqësuesit e Federatës së Futbollit serb dhe shqiptar

SERBI- Vetëm pak orë para ndeshjes së sotme, Federata Serbe e Futbollit ka organizuar një drekë zyrtare me përfaqësuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit. Në një foto të publikuar, vihet re se nga delegacioni shqiptar ishte i pranishëm edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ndërsa nga pala serbe morën pjesë Presidenti i Federatës së Futbollit të Serbisë, Dragan Džajić, si dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë të institucionit.

Bëhet me dije se gjatë drekës është folur për organizimin e ndeshjes së sotme, ku Duka ka vlerësuar masat e rrepta të marra nga autoritetet serbe për mbarëvajtjen e lojës. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Federata Shqiptare e Futbollit, e cila ka publikuar fotot nga ky takim.

Ndeshja Serbi–Shqipëri, e cila zhvillohet në orën 20:45, nuk do të luhet në kryeqytetin serb, por në qytetin e vogël Leskovac, ku stadiumi ka një kapacitet prej vetëm 8,100 spektatorësh. Sektori për tifozët shqiptarë do të mungojë, pasi biletat nuk ishin në shitje të lirë. Organizatorët vendas dhe UEFA synojnë të shmangin përsëritjen e skandalit të tetorit 2014.

Forca të shumta policore kanë rrethuar hotelin ku është akomoduar Kombëtarja, ndërsa lokacioni është mbajtur sekret për mediat. Kuqezinjtë u nisën me çarter drejt Serbisë në orën 11:00 të paradites së premtes nga aeroporti “Nënë Tereza”, me destinacion qytetin e Nishit. Pikërisht aty, rreth 30 minuta larg Leskovacit, ndodhet qendra e grumbullimit të Kombëtares, me qëllim shmangien e turmave të tifozëve kundërshtarë të mbledhur për ndeshjen. Nga aty realizohen të gjitha lëvizjet drejt stadiumit “Dubocica”, nën kontrollin e rreptë të policisë./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Broja e Manaj nga minuta e parë: Sylvinho mendon dy sulmues ndaj Serbisë, Strakosha s'ka rival

“Ëndrra Amerikane” vazhdon! Shqipëria triumfon në
Broja, Sylvinho dhe Manaj

SERBI-Sot në orën 20:45 kuqezinjtë përballen kundër Serbisë në shtëpinë e këtyre të fundit, ndërsa në fushë tanët duhet të përsërisin ndeshjen e Tiranës më 7 qershor, me serbët që kishin fatin me vete dhe nuk pësuan (0-0), duke mos harruar 11 metërshin e humbur nga Rey Manaj.

Me gjithë lojtarët në dispozicion, Sylvinho ka menduar edhe një 4-4-2 klasik me Brojën më afër portës, por edhe të lirë të marrë krahun. Shkodrani do të ndajë sulmin me Rei Manaj, edhe pse nuk është e qartë nëse ky modul do të jetë nga minuta e parë apo në varësi të rezultatit.

Mesfusha ka emrat e zakonshëm të Asllanit, Shehut e Laçit, ndërsa Bajrami është në avantazh ndaj Hoxhës, që nuk mbron aq sa lojtari i Rangers. Në një formacion të mundshëm, bazuar në listën e futbollistëve të gatshëm dhe formën e tyre, Strakosha duket se nuk ka rival në portë.

Sylvinho mund të ketë menduar edhe surpriza, por kjo mbetet për tu parë kur të publikohen formacionet zyrtare të ndeshjes./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Snajperë dhe ekspertë dronësh/Gazeta zvicerane: Serbi-Shqipëri, ndeshja më e ndezur në botën e futbollit

“Ëndrra Amerikane” vazhdon! Shqipëria triumfon në
Kombetarja shqiptare

SERBI-Teksa ekipet kombëtare të Serbisë dhe Shqipërisë do të përballen në ndeshjen kualifikuese për Botërorin, qindra policë do të sigurojnë stadiumin mes tyre snajperë, oficerë civilë dhe ekspertë për dronë, shkruan gazeta zvicerane NeueZuercherZeitung.

Ndeshja nuk do të zhvillohet në kryeqytetin serb, por në qytetin e vogël Leskovac, ku stadiumi ka kapacitet vetëm 8100 spektatorë. Sektori për tifozët shqiptarë do të mungojë, pasi biletat nuk ishin në shitje të lirë. Organizatorët vendas dhe UEFA duan të shmangin përsëritjen e skandalit të tetorit 2014. 

Forca të panumërta policie kanë rrethuar hotelin ku akomodohet Kombëtarja dhe lokacioni është mbajtur sekret për mediat. Kuqezinjtë u nisën me carter drejt Serbisë në orën 11 të paradites së të premtes nga aeroporti Nënë Tereza, me destinacion Nishin. Pikërisht aty, rreth 30 minuta nga Leskovaci, është qendra e grumbullimit të Kombëtares, për të evituar turmat e tifozëve kundërshtarë të mbledhur për ndeshjen. Nga aty bëhen të gjitha lëvizjet drejt stadiumit Dubocica, nën kontrollin e policisë.

Në arrtikullin e gazetës përballja e Serbië dhe Shqipërisë në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Europian. Para ndeshjes, tifozë serbë hodhën gurë drejt autobusit të ekipit shqiptar, ndërsa protestat dhe fishkëllimat mbuluan himnin shqiptar.

Artikulli:

“Vritini shqiptarët”, thërrisnin tifozët serbë kur, në minutën e 42-të, një dron me një flamur fluturoi mbi fushë.

Në të shihej përfytyrimi i “Shqipërisë së Madhe”, ashtu siç e ëndërrojnë disa nacionalistë shqiptarë. Në fushë, mbrojtësi serb Stefan Mitrovi? e kapi flamurin, dhe menjëherë lojtarët shqiptarë vrapuan drejt tij. Pas kësaj shpërthyen përleshje në dhe jashtë fushës.

Ndeshja u ndërpre, por pasojat e saj vazhduan: në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, qindra tifozë e festuan ndeshjen me karvanë makinash dhe fishekzjarre. Në zonat kufitare midis Serbisë dhe Kosovës u dogjën flamujt e të dy vendeve.

Edhe në diasporë — në Vjenë dhe Berlin — pati përleshje midis personave me origjinë serbe dhe shqiptare. Ndërkohë, vizita e planifikuar e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd u shty.

Një konflikt që s’ka përfunduar kurrë

Që atëherë, përballja midis Serbisë dhe Shqipërisë konsiderohet si një nga ndeshjet më të ndezura dhe më delikate në botën e futbollit. Tifozët nga të dyja palët vazhdojnë në fushë një konflikt që ka rrënjë shekullore.

Në qendër të konfliktit qëndron Kosova, ku jeton një shumicë shqiptare etnike. Që në kohën e ish-Jugosllavisë, kosovarët ndiheshin të anashkaluar. Në fund të viteve ’90, politikani serb Sllobodan Millosheviç nisi një luftë në Kosovë. Edhe sot, Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, megjithëse ajo shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Tifozët serbë e shprehin nacionalizmin e tyre në mënyra të ndryshme. Shpesh ultrasit e Crvena Zvezdës (Ylli i Kuq i Beogradit) udhëtojnë drejt Graçanicës, një enklavë me shumicë serbe në Kosovë.

Atje, pranë një manastiri ortodoks, valëvisin flamurin e “Serbisë së Madhe” dhe pozojnë pranë statujës së Milosh Obiliçit — kalorësit serb që, sipas legjendës, vrau një sulltan osman në shekullin XIV. Tifozët beogradas e shohin veten si mbrojtës të Evropës së krishterë kundër “pushtuesve islamikë”, duke nënkuptuar shqiptarët.

Edhe tifozët shqiptarë reagojnë në mënyrën e tyre. Për shumë prej tyre ekziston vetëm një komb — ai shqiptar. Sipas këtij koncepti, kombi shqiptar përfshin edhe territoret ku jetojnë pakica shqiptare: në Serbi, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Greqi.

Në ndeshjet e ligës vendase, ata shpesh këndojnë këngë për luftëtarët e UÇK-së, “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, e cila në mesin e viteve ’90 kishte sulmuar objektiva serbe.

Kjo atmosferë tensioni reflektohet edhe në skenën më të madhe të futbollit. Pas një ndeshjeje të fazës së grupeve në Kampionatin Europian 2024 në Hamburg kundër Kroacisë, lojtari i Kombëtares shqiptare Mirlind Daku mori një megafon dhe iu drejtua tifozëve: “Fuck Serbia”.

Daku u pezullua për dy ndeshje. Nga ana tjetër, Federata Serbe e Futbollit u gjobit në dhjetor 2024, pasi tifozët serbë tentuan të digjnin një flamur shqiptar gjatë një ndeshjeje kundër Zvicrës.

Test për atmosferën para Europianit

Në këtë kontekst, federatat e futbollit e konsiderojnë si sukses faktin që ndeshja e parë mes Shqipërisë dhe Serbisë në kuadër të kualifikueseve të Botërorit (0:0) u zhvillua pa incidente. Për ndeshjen që u luajt në fillim të qershorit në Tiranë, Federata Shqiptare e Futbollit nuk i shiti bileta grupeve të tifozëve. Në vend të kësaj, u rritën çmimet e biletave dhe përzgjedhja u bë me short nga mbi 200 mijë aplikime.

Shumë ultras shqiptarë protestuan dhe e ndoqën ndeshjen në një shesh me transmetim publik. Ata shpalosën edhe një pankartë drejtuar federatës: “Na hiqni biletat dhe na sillni policinë, por nuk mund ta vrisni zemrën që rreh për Shqipërinë.”

A është e mundur të vijë një qetësim i shpejtë?

Në shkurt, UEFA njoftoi se Kampionati Europian U-21 i vitit 2027 do të mbahet në Serbi dhe Shqipëri — me ndeshjen hapëse në Novi Sad dhe finalen në Tiranë.

Kjo nismë u shty përpara kryesisht nga biznesmeni dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili që nga viti 2019 është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, organi më i lartë vendimmarrës i saj.

Zyrtarë sportivë dhe diplomatë nga të dy vendet e shohin këtë turne si një sinjal afrimi dhe si kontribut ndaj nismës ekonomike “Open Balkan”.

Por grupet nacionaliste të tifozëve e kanë kundërshtuar ashpër. Anëtarë të një shoqate tifozësh shqiptarë spërkatën me bojë të kuqe selinë e federatës dhe publikuan foto historike të mizorive serbe gjatë luftës në Kosovë, të shoqëruara me mesazhin:

“Ne e refuzojmë çdo bashkëpunim me vrasësit”.

Nëse Kampionati Europian i vitit 2027 do të zhvillohet vërtet në të dy vendet, kjo do të varet shumë edhe nga marrëdhëniet politike midis Serbisë dhe Shqipërisë.

Ndeshja e kthimit në kualifikimet për Botërorin, që zhvillohet këtë të shtunë, do të jetë një provë vendimtare për këtë marrëdhënie.

7 MUAJ ME PARE

Sot Shqipëria sërish kundër Serbisë! "Deja vu" e 2014, një dron në fushë 'ndezi' zemrat e shqiptarëve

“Ëndrra Amerikane” vazhdon! Shqipëria triumfon në
PAMJE NGA NGJARJA

SERBI-Shqipëria përballet sot me Serbinë për kualifikueset e Botërorit 2026. Një fitore e Kombëtares do të kalonte kuqezinjtë vendin e dytë që të çon në Play Off”-et e Botërorit 2026. Sfida në orën 20:45 dhe kuqezinjtë këtë herë luajnë në tokën serbe.

Por sfida mes dy ekipeve përveç rëndësisë në aspektin sportiv, mban dhe peshën e kujtimeve të përplasjes kaotike të vitit 2014 në Beograd.

Përballja e sotme rikthen në vëmendje incidentin e mbi dhjetë viteve më parë, ku ndeshja mes dy kombëtareve u ndërpre në fund të pjesës së parë, për shkak të futjes së tifozëve serbë në fushë dhe përleshjes me lojtarët shqiptarë. Një dron me flamurin shqiptar dhe portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit 'ndezi' atmosferën.

Çfarë ndodhi?

Më 14 tetor 2014, ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë, pjesë e kualifikueseve të Euro 2016, u ndërpre në orën 21:27, pas futjes në fushë të tifozëve serbë, të cilët u përleshën me lojtarët e kombëtares sonë.

Një turp i paralajmëruar për Serbinë ky, pasi UEFA nuk kishte lejuar pjesëmarrjen e tifozëve shqiptarë në ndeshje për arsye sigurie. Pasi vërshëllyen himnin tonë kombëtar dhe bërtitën thuajse gjatë gjithë kohës “Vritini shqiptarët”, tifozët serbë bënë që takimi të ndërpritej në mes.

Në minutën e 42-të, tifozi Ismail Morina, i njohur si Ballisti ngriti një dron me flamurin shqiptar dhe portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit mbi stadium.

Pasi një lojtar serb e mori flamurin, lojtarët e Shqipërisë iu afruan për t’ia marrë nga dora. Tensioni mes futbollistëve në fushë degjeneroi në një sherr masiv, pasi - pavarësisht pranisë së shtuar të forcave të sigurisë - tifozë serbë u futën në fushë duke goditur lojtarët tanë.

Lojtarët shqiptarë nuk pranuan të dilnin më në fushë dhe u kthyen në Tiranë rreth orës 3 të mëngjesit, duke u pritur si heronj në Aeroportin e Rinasit.

Beteja kaloi nga fusha e lojës në burokracitë e UEFA-s. Kjo e fundit vendosi më 24 tetor 2014 që ndeshja të fitohej 3-0 në tavolinë nga Serbia, meqë shqiptarët nuk pranuan të luanin. Por një vit më vonë, tri pikët iu akorduan Shqipërisë, pas vendimit në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).

Frika e një incidenti

Për shkak të tensioneve politike dhe frikës nga incidentet, takimi nuk do të luhet në Beograd, por në Leskovac, ndërsa Federata Serbe nuk ka nxjerrë asnjë biletë në shitje. Të gjithë 6,500 spektatorët që do të jenë në tribuna janë përzgjedhur me ftesa, kryesisht nga akademitë e futbollit. Serbia gjithashtu është e detyruar ta zhvillojë ndeshjen me reduktim prej 20% të kapacitetit të stadiumit, si pjesë e një dënimi të mëparshëm.

Sipas marrëveshjes mes dy federatave, asnjë tifoz shqiptar nuk do të jetë i pranishëm në stadium, një rregull që vlen edhe për ndeshjen e kthimit në Shqipëri./ZËRI

Poll

MOS HUMB