LIVE UPDATES

Qeveria në Shëngjin/ Rama: Reforma Zgjedhore? Vazhdojmë edhe pa opozitën

➤ Kryeministri Edi Rama e ka mbyllur mbledhjen informale të qeverisë dhe socialistëve, me një konferencë me gazetarët. ➤ Në nisje të konferencës, Rama prezantoi planet e qeverisë për vitin 2024, mes tyre: financimin e brendshëm për Porto Romanon; një shoqëri aksionere për prodhimin e makinave dhe ndërtimin e akseve të tjera rrugore. ➤ Foli edhe për ndryshimin në qeveri, duke shpjeguar pse hoqi Elva Margaritin dhe e zëvendësoi me Bledi Goxhja. ➤ U ndal pak më gjatë tek kundërshtarët e tij politikë në Kuvend. ➤ Për tensionet në sallë, Rama tha se organizohen për "hallin" e kryedemokratit Sali Berisha. ➤ Reforma Zgjedhore është ende e lënë peng, por kreu i qeverisë paralajmëroi se mund të mos krijohej fare një Komision. ➤ Si shembull mori Gjermaninë. ➤ I pyetur për një bashkim votash të mundshme me Lulzim Bashën, kryesocialisti u përgjigj me ironi. ➤ Më gjatë qëndroi tek çështja e Himarës duke u shprehur se emrat janë shpikje e mediave greke. ➤ Në fund, e mbylli me një mesazh për opozitën, që të bashkëpunojnë dhe të mos zgjedhin rrugën e bojkotit. Kjo pasi sipas tij, vetëm sa dëmtojnë veten.

5 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

Rama zbulon projektet për 2024/ Nga Porto Romano te shoqëria aksionere për prodhimin e makinave

Qeveria në Shëngjin/ Rama: Reforma Zgjedhore? Vazhdojmë edhe pa
Edi Rama

SHËNGJIN – Kryeministri Edi Rama, pas mbledhjes 2-ditore në Shëngjin të Lezhës, ka mbajtur një konferencë me gazetarët. Përpara se gazetarët t’i drejtonin pyetje kreut të qeverisë, Rama ka zbuluar projektet më të rëndësishme për vitin e ri 2024.

Rama deklaroi se në mbledhjen 2-ditore është folur edhe për çështje infrastrukturore. Ai theksoi se brenda këtij viti, do të hapet për qarkullim aksi rrugor Thumanë-Kashar, për të cilin tha se është shumë i rëndësishëm, si pjesë e Korridorit Blu. Rama tha gjithashtu se punohet për fazën e parë të procesit të segmentit Milot-Murriqan. Ai shtoi se është folur në lidhje me adresimin për financimin e bypassit të madh të Elbasanit.

Po ashtu, Rama deklaroi se gjatë 2024, me gjasë do të përfundojë edhe segmenti i parë hekurudhor Tiranë- Durrës. Në fjalën e tij, kryeministri deklaroi gjithashtu se do studiohet mundësia për të ndryshuar linjën hekurudhore Durrës- Prishtinë, në mënyrë që kjo linjë të kalojë edhe në Shkodër dhe në Gjakovë.

Në deklaratën e bërë për mediat, kryeministri i vendit Edi Rama u shpreh se Porti i Durrësit në Porto Romano do të ndërtohet me financim të brendshëm. Sipas Ramës, ky ndryshim bëhet, me qëllim që qeveria të mos varet nga kohët e tejzgjatura dhe ngarkesat e tjera, që burojnë nga financimet e huaja.

Gjithashtu, kryeministri Rama theksoi se gjatë këtij viti do të nisë aktiviteti i Agjencisë Kombëtare të Transportit. Rama tha se Agjencia Kombëtare e Transportit do i shërbejë kalimit në një tjetër nivel të të gjithë sistemit të transportit. Ai tha se kjo agjenci do të mbulojë edhe një mision tjetër shumë me rëndësi, atë të transportit të mësuesve dhe të nxënësve. Rama nënvizoi se ka nisur puna prej kohësh, dhe se për 2-3 muaj do të kemi krijimin e një shoqërie aksionere për prodhimin e automjeteve, për nevojat e shtetit dhe për eksport. “Është një projekt shumë i mirë që do na japë mundësinë të prodhojmë për nevojat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Brendshme, të Agjencisë Kombëtare të Transportit dhe për eksport duke u bazuar tek gjenialiteti dhe ekspertiza e pamohueshme e një vajze shqiptare, me të cilën jemi duke ndërtuar këtë proces me ndërmarrjen e saj modeste që fitoi garën ndërkombëtare për të dërguar autoambulanca nga Ukraina deri në Serbi”, tha Rama.

Rama më tej theksoi se Vlora është një nga 10 destinacionet më të rezervuara në botë për sezonin e ri, në terma relativë. Kryeministri informoi se fluksi i rezervimeve për Vlorën është në dhjetëshen e parë të Booking.

FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT EDI RAMA PËRPARA GAZETARËVE

Faleminderit që disa prej jush keni marrë mundimin për të ardhur deri këtu dhe keni pritur për një kohë relativisht të gjatë, atëherë, nuk mund t’iu linim pa begenisjen që meritoni. Kemi pasur mbledhjen tradicionale maratonë të shumicës qeverisëse.

Këtë herë kemi pasur 3 sesione, një sesion me drejtuesit e grupit parlamentar, drejtuesit politikë të partisë dhe anëtarët e kabinetit, një sesion të një mbledhjeje të zgjeruar të kabinetit qeveritar me praninë edhe të zëvendësministrave dhe një sërë drejtuesish të institucioneve qendrore dhe sot një sesion të mbledhjes së ngushtë të kabinetit qeveritar.

Si zakonisht, kjo maratonë prek të gjitha aspektet që lidhen me veprimtarinë e shumicës qeverisëse, veprimtarinë politike, parlamentare, qeveritare dhe pastaj duke trajtuar çdo aspekt dhe duke hyrë në çdo sektor, madje dhe nënsektore. Përpara sesa t’ju jap mundësinë që të bëni pyetjet tuaja për ta bërë më produktive dhe për të mos bërë një tjetër konferencë të gjatë si ajo e fund vitit sepse sapo ka filluar viti dhe nuk kemi kohë për fjalë të gjata, meqë jemi këtu në Lezhë dhe meqë këtu, në këtë zonë, ka një pritshmëri të posaçme për Korridorin Blu, dëshiroj të them se në diskutimin për veprat e mëdha të infrastrukturës rrugore, portuale dhe aeroportuale, kemi diskutuar dhe kemi një pamje shumë të qartë të ecurisë së punës me Korridorin Blu.

Faktikisht, brenda këtij viti do të hapim për qarkullim aksin shumë të rëndësishëm nevralgjik Thumanë -Kashar ku thuajse 70% e punimeve janë duke u realizuar, pra, ishte mbi 60 e pak përqind vetëm pak kohë më parë. Kemi qartësi për ecurinë e aksit, e procesit për të filluar punën me aksin Milot-Thumanë, pjesë tjetër shumë nevralgjike pasi e dimë shumë të mirë të gjithë sesa e vështirë është bërë dhe sa shumë do të vështirësohet edhe këtë sezon lëvizja gjatë kohës së verës sidomos nga veriu, drejt jugut apo drejt Tiranës dhe besojmë që do të procedojmë përpara sezonit me nënshkrimin e kontratave për aksin Kashar- Rrogozhinë dhe Rrogozhinë-Lekaj që praktikisht përfundon gjithë boshtin e Korridorit. Ndërkohë që po punohet për fazën e parë të procesit të segmentit Milot-Murriqan. Po punohet për projektin.

Nga ana tjetër, kemi po ashtu adresuar nevojën për financim të by-pass-it të madh të Elbasanit, në kushtet kur Korridori 8 ecën me shumë shpejtësi falë edhe terrenit të favorshëm dhe gjeologjisë shumë të favorshme deri sot që flasim dhe jemi në kalendar për të përfunduar me segmentin e parë hekurudhor Tiranë-Durrës, sipas gjasave, brenda vitit dhe ndërkohë kemi diskutuar financimin e 4 kilometrave që duhen për të lidhur edhe 10 stacione të tjera nga Kashari në qendër të Tiranës. Jemi në proces dhe besoj që në fillim të vjeshtës do lidhim dhe kontratën për të filluar punën për Vorë-Han i Hotit. Kemi fituar nga fondet europiane financimin për segmentin Durrës-Rrogozhinë ndërkohë që kemi përgatitur aplikimin tjetër për të shkuar më poshtë, Rrogozhinë-Pogradec që të kompletojmë Korridorin 8 edhe me vijën hekurudhore dhe kemi diskutuar po ashtu, sepse ka një komunikim intensiv dhe kthehem prapë këtu në zonë praktikisht, me qeverinë e Kosovës për ecurinë e projektit strategjik të hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe ka një dakordësi në parim nga të dyja strukturat përkatëse të dy qeverive për të eksploruar një ndryshim të vijës duke kaluar nga Shkodra, për sa kohë, po të kemi Vorë-Han i Hotit, nga Shkodra në Gjakovë dhe në Prishtinë dhe kjo është një zgjidhje shumë e dëshiruar edhe nga pala e Kosovës.

Po ashtu, kemi pak a shumë kalendarizuar procesin për hapjen e garës ndërkombëtare për Portin e Madh të Durrësit, në Porto Romano për të cilin do të bëjmë së shpejti një ndryshim të natyrës së financimit pasi është një projekt strategjik dhe ka një urgjencë strategjike duke qenë se kemi përfshirë edhe NATO-n në këtë proces për krahun ushtarak të portit dhe jemi në një fazë shumë të avancuar të shkëmbimit të informacionit dhe kështu ndryshimi do të jetë që do të kalojmë me financim të brendshëm në mënyrë që të mos varemi nga kohët e tej zgjatura dhe nga ngarkesat e tjera që burojnë nga financimi i huaj. Këto janë pak a shumë projektet e mëdha që besoj ju interesojnë që të gjithëve.

Një projekt tjetër i madh, jo infrastrukture, por që lidhet me shfrytëzimin e infrastrukturës, është që më në fund finalizojmë këtë vit dhe hapim aktivitetin e Agjencisë Kombëtare të Transportit, jemi një vend që synojmë të bëhemi kampionët absolutë, tani i kam shtuar dhe fjalën “absolut” pozicionit të Shqipërisë në rajon për turizmin.

Nuk e di a e ndoqët një të dhënë të re të Booking.com, është një nga platformat më të mëdha globale të rezervimeve, e cila informoi se Vlora është një nga 10 destinacionet më te rezervuara në botë për sezonin e ri, kuptohet gjithmonë në terma relative.

Nuk do të thotë se do vijnë në Vlorë më shumë turistë sesa do shkojnë në Kinë, por e kam fjalën nga rezervimet e fillimit vitit, fluksi i rezervimeve për Vlorën është në dhjetëshen e parë të Booking.com me disa destinacione të tjera që janë vërtetë destinacione magjike të këtij planeti.

Ashtu sikundër, besoj se keni parë një vend tjetër të publikuar nga agjencitë ndërkombëtare.

Shqipëria është vendi me rritjen më të madhe të turizmit në Europë në vitin 2023, gjithmonë në terma relativë krahasuar, se çdo vend me vetveten.

Agjencia Kombëtare e Transportit do t’i shërbejë kalimit në një nivel komplet tjetër të gjithë sistemit të transportit dhe Agjencia Kombëtare e Transportit do të mbulojë edhe një mision tjetër shumë të rëndësishëm të transportit të mësuesve dhe të fëmijëve. Kemi filluar punën prej kohësh, por jemi në finalizim dhe besoj do ta dëgjoni në dy tre muajt në vijim, por besoj dhe më shpejt,  krijimin e një agjencie aksionere për prodhimin e automjeteve për nevojat e shtetit dhe natyrisht edhe për eksport.

Është një projekt shumë i bukur që do të na japë mundësinë të prodhojmë për nevojat e Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Brendshme, nevojat e Agjencisë Kombëtare të Transportit dhe patjetër edhe për eksport,  duke u bazuar tek gjenialiteti dhe tek ekspertiza e pamohueshme e një vajze shqiptare, që e njihni të gjithë dhe më të cilën jemi duke ndërtuar këtë proces me ndërmarrjen e saj modeste që sidoqoftë fiton gara ndërkombëtare për të dërguar autoambulanca nga Ukraina deri në Serbi./ZËRI/

1 VITE ME PARE

Rama: 'Lufta' fizike në Kuvend bëhet për problemet me drejtësinë të Sali Berishës

Qeveria në Shëngjin/ Rama: Reforma Zgjedhore? Vazhdojmë edhe pa
Edi Rama

TIRANË – Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për mediat, u pyet për veprimet e maxhorancës nëse presidenti do ta kthente mbrapsht projekt-ligjin për Komisionet Hetimore. Ai tha se një mundësi e tillë nuk ekziston, pasi ligji është bazuar tek modeli gjerman. Ai tha se për projektligjin nuk do të ketë negociata me opozitën e vendit.

“Ne nuk negociojmë dot modelin gjerman me një grup shqiptarësh që kanë humbur modelin si shqiptarë dhe janë në kërkim të modelit të tyre”- tha Rama.

Më tej, kreu i qeverisë foli edhe për kaosin në parlament. Rama u shpreh se gjithë kaosi bëhet për shkak të problemeve me drejtësinë që ka kreu i PD, Sali Berisha. Ai shtoi se Berisha nuk do të arrijë asgjë me forcë e imponim.

“Lufta fizike bëhet për problemet me drejtësinë të një individi. Kultura demokratike nuk do të mundet. Parlamenti është një vend, ku bëhet debat dhe nuk ka konflikte fizike. Grekët e lashtë e krijuan parlamentin, që të jetë një vend, ku diskutohet për t’u bërë gjërat më mirë dhe jo për të pasur dhunë. Ne nuk do bëjmë asgjë që i jep goditje kulturës demokratike. Politika nuk ka lidhje me dhunën dhe boksin. Reformën Zgjedhore do ta bëjmë edhe pa Komision Bipartizan. Në këtë formë, rrugën nuk e hap dot. Mos u fut në zgjedhje, derisa të të mërzitet politika dhe të bësh punë tjetër. Merr karrige e ngriji përjetë, ngriji, por nuk detyron dot askënd të bëjë çfarë do ti”, deklaroi Rama.

Që prej tetorit të vitit të shkuar sallat plenare të Kuvendit të Shqipërisë janë kthyer në arenë përplasjesh dhe jo mendimesh, mes opozitës dhe maxhoramcës, ku nuk ka munguar as dhuna fizike. Deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren e Kuvendit dhe punimet e tij, jo vetëm në seanca plenare. Por dhe në aktivitetin e përditshëm parlamentar si Komisionet Parlamentare. Sa i përket deklaratave ndaj kryedemokratit Sali Berisha, ky i fundit ndodhet në “Arrest shtëpie”, me vendim të Gjykatës së Posaçme për akuzën e “Korrupsionit pasiv”, në lidhje me hetimet që po kryen nga SPAK për dosjen “Partizani”./ZËRI

1 VITE ME PARE

'Vangjel Tavo për Himarën'/ Rama: Shpikje e mediave greke, unë s'di gjë

Qeveria në Shëngjin/ Rama: Reforma Zgjedhore? Vazhdojmë edhe pa
Edi Rama

TIRANË – Kryeministri i vendit Edi Rama, i pyetur për lajmet në mediat greke se i ka propozuar ish-deputetit, asokohe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavos që të marrë drejtimin e përkohshëm të Himarës, tha se janë shpikje të mediave greke. Në fjalën e tij në konferencën për gazetarët në Lezhë, Rama tha se qeveria është duke pritur vendimin e Apelit të GJKKO-së, që më pas të marrë vendime për të zgjidhur ngërçin e krijuar në Himarë, pasi kryebashkiaku i zgjedhur Fredi Beleri është në burg.

"Vendimi i GJKKO ishte pozitiv në këndvështrimin tim por nuk është vendim i formës së prerë dhe ne do të presim të marrë formë të prerë, s’mund të veprojmë me një vendim të shkallës së parë. Të gjitha ato që kanë qarkulluar kanë burim median greke, jo ato shqiptare dhe as zyrën time. Nuk komentoj çfarë më vë në gojë apo kurriz media greke. I kam parë nga media shqiptare të marra nga media greke. Kështu që është një pyetje për kolegët tuaj grekë në gazeta, portale, televizione. Nuk është pyetje për mua kjo, unë di që ne presim vendimin e formës së prerë,"-tha Edi Rama.

Prej javësh mediat greke shkruanin se Kryeministri Edi Rama ka pasur një takim informal me ish-deputetin Vangjel Tavo, ku i kishte prezantuar këtij të fundit idenë për të drejtuar Bashkinë e Himarës, derisa drejtësia të shprehej me vendim të formës së prerë sa i përket akuzave që rëndojnë mbi kryebashkiakun e zgjedhur Fredi Beleri. ZËRI kontaktoi disa ditë më parë dhe vetë ish-deputetin Tavo. Ish-ligjvënësi u shpreh se lajmet ishin të rreme, por nuk mohoi drejtpërdrejtë një takim me Kryeministrin Rama./ZËRI

1 VITE ME PARE

Rama kthehet pas në vitin 2009: Me mendjen që kam tani, s'do bëja bojkot

Qeveria në Shëngjin/ Rama: Reforma Zgjedhore? Vazhdojmë edhe pa
Edi Rama

LEZHË- Kryeministri Edi Rama ka ndarë nga eksperienca e tij politike me opozitën e vendit. Gjatë konferencës për mediat në Lezhë, pas mbledhjes 2-ditore të qeverisë në Shëngjin, kryeministri Edi Rama deklaroi se po të kthehej sërish pas në vitin 2009, nuk do të zgjidhte bojkotin, por do të luftonte. Duke u bazuar në historinë e tij politike, Rama ofroi këshillën e tij, duke shtuar se rezultatin përfundimtar mund ta kishte arritur edhe pa bojkot. Duke përdorur shembullin e tij personal, kreu i qeverisë tha se këtë shembull duhet të ndjekë edhe opozita aktuale.

Rama: Iu thosha nëse ne do të hapim rrugë me bojkotin, do të kemi gjithmonë bojkot. Keni dëgjuar më njeri ju që lajmëron bojkot? U varros si koncept sepse u kuptua që të çon në fund të greminës. Keni parë më? Keni dëgjuar më njëri që të thotë nuk do hymë në zgjedhje? Pse? Sepse u provua që ti mund të mos hysh në zgjedhje dhe e ha vetëm ti. Ndërkohë që vite të tëra ramë pre e një inercie që na thoshte bojkot. Jam dëshmitar në këtë inerci. Po të kthehesha mbrapa në vitin 2009, nuk do e bëja bojkotin me këto mend që kam.

Po të kthesha mbrapa me mendjen e atëherëshme dhe inercinë e sistemit, do ta bëja. Ishte bojkoti më i arsyeshëm për një shkak të thjeshtë. Sot nuk diskutohet më hapja e kutive. Atëherë të thoshe hapni kutitë ishte krim që na çoi deri në grevë urie. Atë rezultat mund ta kishim arritur jo me bojkot, por jo më mendjen e atëhershme, por me mendjen që kam sot. Ishte rruga ti bojkoton merr përsipje goditje, pastaj vinin amerikanët, francezët, anglezët dhe të thoshin hajde gjeni një zgjedhje. Jo, stop!

1 VITE ME PARE

Ndryshimet në qeveri, Rama: Nuk u bë për të larguar Margaritin, vendi ka nevojë të ecë më shpejt

Qeveria në Shëngjin/ Rama: Reforma Zgjedhore? Vazhdojmë edhe pa
Edi Rama

LEZHË- Kryeministri Edi Rama ka folur në fund të mbledhjes dyditore të qeverisë, e cila u mbajt në një resort në Shëngjin. Rama u pyet nga gazetarët në lidhje me shkarkimin e Elva Margaritit, për të cilën tha se e ka bërë si duhet detyrën e ministres së Kulturës, megjithatë tashmë është nevoja që ky sektor të marr një shtysë të re.

“Në fakt unë kam thënë më shumë se një fjalë për këtë. Ministria e re nuk është bërë për të larguar zonjën Margariti, por për ato arsye që unë i kam thënë dhe kanë të bëjnë me nevojën e jashtëzakonshme të vendit për të ecur më shpejtë. Duke thyer dhe kufijtë tradicionalë, në kohën kur sektori jonë ka nevojë për një shtysë të re të fortë, sepse janë një sërë sfidash që kërkojnë vëmendje të veçantë. Inovacioni kërkon gjithashtu një orientim të drejtpërdrejtë, përveç një ministrie ekonomie që duhet të mbështesë. Përmes Inovacionit vende si i yni mund të bëjmë kapërcime të paimagjinueshme”, u shpreh Rama gjatë fjalës së tij me gazetarët.

Rama foli për projekte të ndryshme në infrastrukturë që do të ndërmerren përgjatë këtij viti, ku është dhe hapja e garës ndërkombëtare për Porto Romanon në Durrës.

“Hapja e garës ndërkombëtare për Porto Romanon në Durrës, do të bëjmë së shpejti një ndryshim për natyrën e financimit pasi është një projekt strategjik, pasi kemi përfshirë edhe NATO-n në këtë proces për krahun ushtarak të Portit. Ndryshimi do të jetë që do të kalojë me financim të brendshëm në mënyrë që mos të zgjatemi me procedura”, u shpreh mes të tjerave Rama./ZËRI 

Poll

MOS HUMB