
TIRANË- Presidenti Bajram Begaj pret në Presidencë përfaqësues të Partisë Socialiste dhe kryekomisionerin Ilirjan Celibashi për të dëgjuar edhe opinionin e tyre, për të vendosur më pas edhe ditën e zgjedhjeve parlamentare. Takimi i parë, i caktuar në orën 10.30 ishte "rezervuar" për përfaqësuesit e Partisë Demokratike. Por disa ditë më parë, opozita doli me një lajmërim se do të bojkotonte bisedimet duke arsyetuar se e gjitha ishte një farsë. Nga Partia Socialiste, në Presidencë shkoi Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, i cili pas takimit tha se i ka kërkuar kreut të shtetit që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mbahen më 11 maj, data e fundit që parashikon dhe kodi zgjedhor. Sipas tij, kjo datë i jep mundësinë që të votojnë edhe emigrantët.
“PS është e gatshme të ballafaqohet në çdo moment. Vota e emigrantëve një element i rëndësishëm. Për të pasur më shumë kohë, ne duam që data 11 maj të jetë data e zgjedhjeve. Do të donim që emigrantët të regjistroheshin dhe të përgatiteshin për votimin. Duke i dhënë mundësi çdo emigranti të votojë,”- tha Klosi.
Të njëjtën datë ka propozuar edhe kryekomisioneri, Ilirjan Celibashi.
“Ne rekomanduam tek Presidenti i Republikës që të jetë data 11, edhe pse kjo kërkesë mund të jetë e përputhur me kërkesën e dikujt tjetër, por nuk ka lidhje. Nuk shikojmë axhendën politike, por mundësinë që kemi në aspekt të kohës për të përgatitur zgjedhjet e ardhshme,”- tha pas daljes nga Presidenca, Celibashi.
Nga PD, që ka bojkotuar procesin, i vetmi reagim ka ardhur nga kryedemokrati Sali Berisha. Ky i fundit gjatë një konference me gazetarët tha se data është e paracaktuar nga Partia Socialiste.
"PD është e sigurt që Haram Bego, e kam quajtur njëherë dhe nuk do ia heq më, do përcaktojë atë që i thotë Edi Rama. Por, në rast se ekspertët tanë e gjykojnë se për votën e shqiptarëve jashtë vendit, ne nuk kemi kundërshti për të gjetur kohën më të përshtatshme, por të garantoj se Haram Bego, për të zmuthuar lidhjen me Begon tjetër, njëri e vë Begaj, tjetri Bego, i ndryshojnë këta mbiemrat, por mbiemrat e tyre nuk janë puna ime, pra ai cakton vetëm datën që i thotë Edi Rama. Nuk ka, mos bëhemi qesharakë,"-tha Berisha ndër të tjera në fjalën e tij.
Me mbylljen e procesit, presidenti Bajram Begaj bëri dhe një reagim zyrtar, ku u shpreh i kënaqur që faktori politik u përfshi direkt apo indirekt me mesazhet e përcjella për caktimin e datës së zgjedhjeve. Sipas Begaj, detyra madhore palëve politike është t’i shndërrojnë zgjedhjet e e pranverës së ardhshme në histori suksesi.
Mesazhi i Presidentit të Republikës:
Sot mbylla procesin e konsultimeve me faktorin politik dhe institucional për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025. Kompetenca për caktimin e datës së zgjedhjeve i takon Presidentit të Republikës, por unë jam shumë i kënaqur që i gjithë faktori politik parlamentar u përfshi me opinione dhe sugjerime në këtë proces, si drejtpërdrejt me pjesëmarrje në takimet konsultuese, edhe në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet përcjelljes në rrugë të tjera të preferencave partiake. Nga konsultimet vura re se, në tërësi, opinionet udhëhiqeshin nga interesi më i lartë i zgjedhësve dhe jo nga përllogaritjet meskine që priten rëndom në raste të tilla. Konvergjenca e mendimeve, përtej dallimeve në qëndrimet politike, ishte shfaqja më domethënëse e kësaj konsulte. Caktimi i datës së zgjedhjeve për mua nuk është thjesht një detyrim kushtetues dhe as procedurë formale juridike, por është, së pari, një sprovë e fuqishme bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe angazhimi i të gjithë faktorit politik dhe institucional në emër të zgjedhësve dhe për zgjedhësit, sikurse është një rast domethënës për të risjellë në vëmendje rëndësinë vendimtare që kanë zgjedhjet për konsolidimin e demokracisë parlamentare. Detyra madhore e aktorëve politikë është t’i shndërrojnë zgjedhjet parlamentare të pranverës së vitit 2025 në histori suksesi për shqiptarët dhe demokracinë shqiptare, ku duhet të shkëlqejë zbatimi i ligjit, korrektesa dhe etika në komunikimin e platformave, respekti për zgjedhësit dhe vullnetin e tyre të shprehur me votë.
Ndryshe nga selia blu, Partia e Lirisë ka dërguar Tedi Blushin dhe Erisa Xhixhon në zyrën e Begajt. Ata kërkuan që të dekretohet çdo datë e mundshme, përveç asaj që është propozuar nga Partia Socialiste. Enkelejd Alibeaj dhe përfaqësuesit e PSD propozuan datën 4 maj. Edhe partitë e vogla kanë propozuar po të njëjtën datë. Ndërsa për Lulzim Bashën nuk ka rëndësi data, por standarti.
Sipas Kodit Zgjedhor, dita e votimeve duhet të zhvillohet në një nga të dielat nga 15 prilli deri në 15 maj. Ndaj presidenti Bajram Begaj mund të dekretojë një prej këtyre datave; 20, 27, 4 dhe 11 maj. Për këto zgjedhje do të implementohet për herë të parë vota e diasporës. Ndërkohë palët nuk janë dakordësuar ende për votimin elektronik. KQZ propozon që votimi të bëhet me makineri në Elbasan dhe në Durrës, ndërsa maxhoranca kërkon që të shtohet edhe qarku i Tiranës. Në këtë pikë kundërshton opozita, e cila pretendon se votimi elektronik mund të manipulohet./ZËRI