TIRANË- Kryeministri Edi Rama vijon përplasjen virtuale me gjyqtarin Hazbi Balliu. Kreu i qeverisë e ka shënjestruar së fundmi gjyqtarin Balliu, duke e akuzuar se i ka dhënë paditësve një pallat të ndërtuar pa leje ndërkohë që ishte konfiskuar dhe i ishte dhënë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama shkruan se as 10 minuta nuk i janë dashur gjykatësit Balliu që t’i dalë kundër shtetit dhe të marrë anën e paditësve. Për këtë, kryeministri ka publikuar edhe një foto ku tregohet fillimi dhe mbarimi i seancës gjyqësore në fjalë, e cila sipas të dhënave ka përfunduar brenda 9 minutash.
Rama shpjegon se materialet që iu vunë në dispozicion për shqyrtim magjistratit, kërkojnë më shumë se 9 minuta kohë për t'u lexuar. Por, sipas tij, gjykatësi as nuk i ka lexuar sepse i ka mjaftuar fakti që në godinën e vjetër të ASHK, e cila është bërë e pasigurtë nga tërmeti nuk ka pasur asnjë viktimë.
Postimi i Ramës:
As 10 minuta nuk i janë dashur gjykatësit Balliu që t’i dalë kundër shtetit dhe të marrë anën e paditësve që kanë bërë një pallat të tërë pa leje, i cili u konfiskua si i tillë e iu dha Agjencisë Shtetërore të Kadastrës
Materialet që institucionet i vunë në dispozicion Balliut duan shumë më tepër se 9 minuta të lexohen, por natyrisht që gjykatësi as nuk i ka lexuar sepse i ka mjaftuar fakti që në godinën e vjetër të ASHK, e cila është bërë e pasigurtë nga tërmeti nuk ka pasur asnjë viktimë dhe kësisoj puna sipas tij mund të vazhdonte nën tavanët që binin, ndërsa pallatin pa leje shohim e bëjmë…
Rama kritikoi magjistratin edhe në një reagim ditën e djeshme, ku gjithashtu publikoi foto me dokumentacione dhe shkresa për të kundërshtuar vendimet e gjykatësit./ZËRI
