TIRANË- Kompania lobuese e pajtuar nga Partia Demokratike përpara zgjedhjeve të 11 Majit, “Continental Strategy”, ka ndryshuar letrën që i dërgoi Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), ku kërkonte heqjen e statusit "non grata" për liderin demokrat Sali Berishën, me argumentin se nuk ishte më një figurë politike. Mirëpo, lobistët e Berishës kanë ndryshuar variantin e parë të letrës. Tashmë, "Continental Strategy" e quan Berishën aktiv në politik, por jo në Qeveri. Në raportin e korrigjuar, të siguruar nga Top Channel, kompania lobuese insiston se statusi "non grata" nuk e ishte e justifikuar, teksa heqja e kësaj shpalljeje është në interesin e SHBA dhe popullit shqiptar.
“Ky raport i korrigjuar rregullon një version të mëparshëm. Versioni i korrigjuar tani pasqyron saktësisht që, ndonëse z. Berisha aktualisht nuk mban asnjë post qeveritar, ai mbetet një figurë aktive politike në rajon dhe udhëheqësi aktual popullor i partisë opozitare në Shqipëri, diçka që versioni i mëparshëm e kishte saktësisht të shënuar në faqen 15. Përmbajtja e plotë e raportit mbetet e padiskutueshme, që është se z. Berisha dhe familja e tij nuk është dashur kurrë të ishin objektiv, shpallja e tij nuk ishte e justifikuar, dhe heqja e kësaj shpalljeje mbështetet si nga faktet ashtu edhe nga ligji dhe është në interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara dhe popullit shqiptar”, thuhet në letrën e dëguar nga kompania lobuese Continental Strategy në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Letra si ishte
Shpallja sipas nenit 7031(c) e ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, duhet të hiqet menjëherë. Kjo shpallje ishte e motivuar politikisht, pa bazë faktike, dëmtoi interesat e politikës së jashtme të SHBA-së dhe kontribuoi në përkeqësimin e situatës në Shqipëri, që sot kritikët e përshkruajnë si një “shtet-narkotik”. Ndërsa demokracia në Shqipëri është nën kërcënim serioz dhe Berisha nuk është më një figurë aktive politike, heqja e shpalljes do të rikthente neutralitetin dhe besueshmërinë amerikane në rajon.
Letra si u bë
Shpallja sipas nenit 7031(c) ndaj ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, duhet të hiqet menjëherë. Kjo shpallje ishte e motivuar politikisht, pa bazë faktike, dëmtoi interesat e politikës së jashtme të SHBA-së dhe kontribuoi në degradimin e Shqipërisë në atë që kritikët tashmë e quajnë “shtet narkotik.” Ndërkohë që demokracia e Shqipërisë është nën kërcënim serioz dhe Berisha nuk mban asnjë funksion qeveritar aktualisht, por mbetet një figurë aktive politike, heqja e shpalljes do të rikthente neutralitetin dhe besueshmërinë amerikane në rajon.
Kontrata e lobimit e Partisë Demokratike në SHBA është firmosur më prill nga sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka është bërë me kompaninë amerikane "Continental Strategy". Vlera e kontratës arrin në 6 milionë dollarë, nga të cilat 3 muajt e parë 750 mijë dollarë janë paguar tashmë. Kompania merr përsipër t’i ofrojë PD-së shërbime të marrëdhënieve me qeverinë në lidhje me këtë fushë shërbimesh si krijimi i marrëdhënieve me aktorë kyç në degët ekzekutive dhe legjislative për të lehtësuar zhvillimin e politikave dhe objektivave të saj elektoral dhe qeverisës./ZËRI