
TIRANË- Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi tha se SPAK po zbulon sekretet hetimore duke publikuar pjesë së dosjes së saj dhe Ilir Metës. Në një konferencë për mediat, Kryemadhi u shpreh se kishte menduar largimin nga politika, por tashmë është një vendim që ka vendosur ta rishikojë. Sipas saj, ka në plan të vazhdojë betejën për çështjen e incenetorëve.
“Në të gjithë jetën time kam pasur dëshirë që t'i shërbej Ilir Metës si politikan dhe në familje si nënë, bashkëshorte dhe mike. Sigurisht që situatat politike kanë lejuar që të përballemi me vështirësi. Në biologji, janë disa butakë që për t'u shumëfishuar luftojnë kush është babai dhe nëna. Fituesi është babai, nëna është ajo që mban fëmijët, sfilitet dhe bëhet target i grabitqarëve. Megjithatë, nuk më vjen keq që unë isha humbëse dhe nëna, por nuk do të thotë që jam e dorëzuar, përkundrazi...Nëse kisha ndërmend që të mos merresha më me politikë, këta më rikthyen. Ju e dini shumë mirë çfarë u bë me Elton Qynon kur SPAK i terrorizoi se kishin nxjerrë sekretin hetimor? Mesazhet për bandat. Ndërkohë që SPAK nxjerr sekretin hetimor tonin në konferencë shtypi. Jam kurioze a do nxjerrin mesazhet që kam unë me Edi Ramën? Kjo është betejë që do të ketë kohën e vetë, ne do të kemi edhe komunikime të tjera. Do ndjekim sërish çështjen e incenetorëve. A do përdoret sërish Erion Veliaj and company për zgjedhjet e 2025? Duan të më mbyllin gojën? S'ka gjë, do ta lë një trashgimtar që ta vazhdojë betejën”, përfundoi Monika.
Ditën e djeshme Policia e Shtetit arrestoi ish-presidentin e vendit Ilir Metën, pasi ai akuzohet nga SPAK për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Por Meta nuk është i vetmi që ka rënë në rrjetën e SPAK, pasi kontrolle janë ushtruar edhe në banesën e Endrit Brahimllarit, në “arrest shtëpie” është caktuar Pirro Xhixho (babai i Erisa Xhixhos), ndërsa Monika Kryemadhi dhe Ema Çoku janë lënë në “detyrim paraqitje”. /ZËRI