Politikë

Noka prin protestën, 'sherr' me gazetarët: Jeni fajtorë! Këlliçi: Rama s'do ta gëzojë mandatin

F.I
Noka prin protestën, 'sherr' me gazetarët: Jeni
Flamur Noka dhe Belind Këlliçi

TIRANË-Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka ishte i pranishëm në protestën e mbajtur nga opozita këtë të premte, për mbrojtjen e votës së lirë. Gjatë fjalës së tij Noka tha se zgjedhjet e mbajtura më 11 maj janë vjedhur e për këtë vjedhje sipas tij janë përdorur administrata dhe bandat kriminale.

“Përdorimi i administratës dhe bandave kriminale, ishin faktori që ndikuan në tjetërsimin e votës shqiptare. A mund të pranohet kjo? Kurrën e kurrës! Partia Demokratike dhe opozita është përfaqësuesja e vullnetit të shqiptarëve. Faktori ndërkombëtar e vuri gishtin mbi plagë. Pensionistëve ju ble vota me 100 euro. Statuti është zbatuar dhe do të zbatohet nga Partia Demokratike me përpikmërinë më të madhe. Në momentin që në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira, çdokush brenda nesh do të mbajë përgjegjësi. Një nga faktorët e masakrës zgjedhore jeni edhe ju (drejtuar gazetarëve) me dezinformimin që keni bërë"-, tha Noka.

Ndërkohë, drejtuesi politik i PD në Qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi tha në një prononcim për mediat se kryeministri Edi Rama nuk do ta gëzojë mandatin që sipas tij e ka vjedhur. Ai tha se PD ka prova për manipulimin e zgjedhjeve dhe për këtë do të solidarizojnë çdo shqiptar për këtë situatë. 

“Rama nuk do ta gëzojë mandatin e vjedhur. Partia Demokratike ka prova për manipulimin e zgjedhjeve. Ne do të solidarizojmë cilido shqiptar për vjedhjen e zgjedhjeve në 11 maj. Ky është një problem i shqiptarëve dhe mund të them se këtu kanë vdekur institucionet zgjedhore dhe zgjedhjet e lira. Ne nuk do të tërhiqemi nga kjo betejë pasi është një betejë jetë a vdekje. Rama i zhyti duart aq thellë sa mori atë rezultat.” tha Këlliçi.

Poll

MOS HUMB