
TIRANË-Kreu i qeverisë, Edi Rama komentoi sot deklaratat e një dite më parë të KLGJ. Ai tha se deklaratat e tij nuk janë sulme ndaj SPAK dhe GJKKO-së.
Edi Rama: A ju duket normale një kryetar bashkie në detyrë, të merret nga zyra dhe të çohet në burg pa gjyq, sepse ka dyshime. Sado të mëdha të jenë, por të pamjaftueshme për të ngritur akuzë para gjykatësve. Si mund të quhet ky sulm ndaj SPAK apo trysni ndaj gjykatës që të ngresh një problem që është kaq parimor, që ka të bëjë me kërkesën më legjitime në botë për një kryeministër, për udhëheqësin e një shumice qeverisës, aq më tepër për mua si udhëheqës i një force që i ka dhënë jetë SPAK. Mos të bëj unë një kërkesë legjitime për standarde demokratike. Jo për të ushtruar presion, por për standarde. Më vjen mirë që i dëgjova njëherë zërin, KLGJ që ka një numër punonjësish të rritur në …594 punonjës dhe numri i përgjithshëm i punonjësve ka shkuar në duhet të marr shifrën e saktë por është mbi 2 mijë vetë në mos unë gabohem, numri i përgjithshëm i punonjësve të KLGJ, mirë bëjnë ata që flasin, ‘trysnia’, unë thashë për paraburgimin, e ka thënë KE. Këto nuk janë sulm, por thirrje për standarte.
Komentet e kreut të qeverisë pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës kanë sjellë edhe reagimin e KLGJ-së, të cilët kërkuan që të mos bëheshin deklarata të tilla nga ‘njerëz të veshur me pushtet’ apo dhe media. Duke kujtuar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, KLGJ kujtoi se rruga e vetme për të ndjekur ankesat është në shkallët e gjyqësorit.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. GJKKO vendosi ta lejë në burg kryebashkiakun e Tiranës pas një seance maratonë prej rreth 7 orësh një ditë më parë. Masa ndryshoi vetëm për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa e cila nga arrest shtëpie u la në detyrim paraqitje dy herë në muaj, si dhe i është marrë pasaporta. Pas kësaj faze, Veliaj pritet të bëjë ankimimin e vendimit dhe kërkojë ndryshimin e masës së arrestit. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI