Aktualitet

Përplasja e Palokës me gazetaren/ Berisha: Cilido politikan të ketë kujdes, jam për respektimin e medias

Berisha theksoi se gazetarët që nuk mbështesin protestat, nuk duhet të zbatojnë porosi të cilat nuk është vendi për t’i zbatuar aty se mund të krijojë gjaknxehtësira.

F.I
Përplasja e Palokës me gazetaren/ Berisha: Cilido politikan të
Sali Berisha

TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha teksa u paraqit në SPAK, duke zbatuar masën e dhënë ndaj tij “detyrim paraqitje” është pyetur edhe në lidhje me incidentin e ndodhur gjatë protestës së opozitës më 16 maj, ku deputetët u përplasën me gazetarët. 

Berisha vlerësoi gazetarët për kontributin e tyre në denoncimin e krimeve zgjedhore dhe u shpreh se cilido politikan duhet të ketë një kujdes të veçantë në marrëdhëniet me gazetarin. Në fjalën e tij Berisha theksoi se gazetarët që nuk mbështesin protestat, nuk duhet të zbatojnë porosi të cilat nuk është vendi për t’i zbatuar aty se mund të krijojë gjaknxehtësira.

Sali Berisha: Tani, meqë më pyet, personalisht siç e di, kam falënderuar me sinqeritet, në mënyrë të përsëritur gazetarët për kontributin që kanë dhënë për denoncimin e farsës elektorale. Ai ka qenë kontribut i çmuar dhe unë e vlerësoj shumë. Ato kronika të tyre kanë qenë dhe janë jashtëzakonisht të çmuara. Nga ana tjetër meqë më pyet, të sugjeroj miqësisht të lexosh raportet e OSBE-së se çfarë thonë për mediat në Shqipëri. Ato thonë se mediat u sollën si në diktaturë. Kjo, absolutisht jo gazetarët e kronikës, ja këtu unë i përjashtoj. Unë i përjashtoj këtu gazetarët e kronikës nga ky klasifikim, pasi ka prej tyre që kanë rrezikuar shumë veten me raportimet që kanë bërë me guxim dhe trimëri. Por në tërësi gjendja e medieve është shëmbëlltyrë e medieve në diktaturë. E thotë raporti, unë nuk kam lexuar ndonjë raport të tillë tjetër. Tani vijmë tek episodi, unë nuk e kam parasysh të gjithë, por jam absolutisht për respektimin e gazetarëve. Dhe ju, në qoftë se në anën tjetër në 3 muaj, nuk bënit dot një pyetje, në këtë anë keni bërë çfarë pyetje dhe keni marrë përgjigje për çfarë keni dashur. Por cilido politikan duhet të ketë një kujdes të veçantë në marrëdhëniet me gazetarin. Sikundër në protesta, kur ka një kauzë, besoj se gazetari duhet të ketë në qoftë se nuk e mbështet protestën dhe nuk ka asnjë detyrim të mbështesë protestën, nuk duhet të marrë porosi dhe të zbatojë porosi të cilat nuk është vendi për t’i zbatuar aty se mund të krijojë gjaknxehtësira dhe gjëra të papëlqyera. Por marrëdhëniet me PD ju i keni pasur në tërësi më normale se me çdo forcë politike.

Çfarë ndodhi në protestën e opozitës?

Deputeti Edi Paloka dhe mbështetësit e tij kanë fyer gazetaren e Euronews, Sara Demushi. Paloka nuk e ka lejuar të raportojë, duke i kërkuar të ikë dhe të mos transmetojë. Po ashtu edhe Klevis Balliu ka akuzuar gazetarët që mbulonin protestën e Partisë Demokratike se “kanë prekur protestuesit”, gjatë tubimit te bulevardi “Zogu I”./ZËRI

Poll

MOS HUMB