TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka marrë zyrtarisht të pandehur kryebashkiakun e Kolonjës, Erion Isai. Mësohet se Isai është marrë i pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera dhe ankande publike, si dhe për shpërdorim detyre e korrupsion gjatë drejtimit të Bashkisë.
Mësohet se bashkë me Erion Isain janë marrë të pandehur edhe 6 persona të tjerë zyrtarë të bashkisë se Kolonjës, për tenderin e një rrugë Korçë Ersekë që u shemb dhe për ujësjellësin e Kolonjës.
Konkretisht rruga e re Korçë-Ersekë pësoi shembje në një pjesë të saj më 17 shkurt 2024 teksa ishte ende në ndërtim. Dëmtimi ndodhi në vendin e quajtur ‘Qafa e Qarrit – Mollas’. Rruga e re Korçë-Ersekë u ndërtua nga kompania “A. N. K.”, ndërsa prokurues është Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Kryebashkiaku i Kolonjës dyshohet për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera. Pas hetimeve të kryera mbi tenderat e shpallur nga Bashkia Kolonjë, është rezultuar se shumica e tyre janë të parapara, me një ndarje tenderash që duket të jetë e paracaktuar. Po ashtu, raportohet se punimet e realizuara për këto tendera nuk janë përfunduar as me cilësinë e duhur, as sipas projekteve të miratuara nga Autoriteti Kontraktor.
Kryebashkiaku i Kolonjës është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme mëngjesin 15 Janarit 2025, ku refuzoi të zbulonte për mediat arsyen e paraqitjes. Isai është thërritur dhe më parë në SPAK. Më 30 maj të vitit 2023, ai u pyet në Prokurorinë e Posaçme për një tender rruge, çështje për të cilën është kallëzuar nga Esmerald Xhafa, për dyshimin se ka kryer disa vepra penale "Shpërdorimi i detyrës", "Korrupsion pasiv dhe aktiv", "fshehje e pasurisë" dhe për "shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike"./ZËRI

