
TIRANË- Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, ka zbardhur takimin me kryeministrin Edi Rama, ku mes të tjerave është folur dhe për mundësinë e prodhimit të armëve të përbashkëta. Në komunikimin nga zyra e Zelenskyyt, thuhet se Ukraina nuk do ta harrojë kurrë mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë në këto dy vite të vështira.
“Që në ditët e para të pushtimit të plotë, Shqipëria ka mbështetur Ukrainën në luftën tonë për liri dhe integritet territorial.
Gjatë takimit me kryeministrin shqiptar Edi Rama ne nënshkruam Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë. Ky dokument do të ndihmojë në forcimin e bashkëpunimit tonë me Shqipërinë dhe pozicionin e Ukrainës në Ballkan.
Sot diskutuam gjithashtu nevojat e mbrojtjes së Ukrainës dhe prodhimin e mundshëm të armëve të përbashkëta. I jemi mirënjohës qeverisë dhe popullit shqiptar. Nuk do ta harrojmë kurrë qëndrimin e ngrohtë të shoqërisë shqiptare ndaj ukrainasve”- shprehet Zelenskyy.
Pas takimit dypalësh që patën në kryeministri, Rama dhe Zelenskyy janë drejtuar për në Pallatin e Kongreseve ku po bëjnë dhe pritjen e përbashkët të kryetarëve të 13 shteteve nga rajoni i Europës Juglindore./ZËRI