
TIRANË- Kryeministri Edi Rama është shprehur se ligji për Zonat e Mbrojtura që u miratua në Kuvend më 22 shkurt, synon rritjen e numrit të turistëve dhe rrjedhimisht një rritje ekonomike për vendin. Në konferencën me gazetarët, pas mbledhjes së zhvilluar me kryebashkiakët, Rama iu përgjigj dhe akuzave të ngritura nga Opozita dhe tha se ajo që ka bërë Partia Socialiste në 10 vite për rikthimin në jetë të monumenteve të trashëgimisë kulturore nuk ka nevojë për koment nga askush, Sipas Kreut të Qeverisë, PS-ja i ka hequr ‘llumin’ Shqipërisë përsa i përket këtij aspekti.
“Kjo është një temë që e kam shumë për zemër dhe që më bën të dua të qesh shumë sepse çfarë është bërë në Shqipëri në këto 10 vite për të mbrojtur natyrën, për të rikthyer në jetë monumentet e trashëgimisë kulturore, për t’i pastruar Shqipërisë fytyrën e mbuluar nga balta dhe nga llumi, bën që unë të them se askush nuk ka gojë të na japë ne leksione për çështjen e qasjes ndaj mjedisit apo trashëgimisë kulturore. Jemi para një sfide që është sfida e shekullit. Që është çfarë presim ne nga turizmi dhe çfarë duam të bëjmë ne. Numri i madh i turistëve dhe kjo rritje marramendëse është shumë e mirë por shumë e rrezikshme dhe këtë e tregon historia e shumë vendeve që kanë kaluar nëpër këto faza. Vendet që kanë kuptuar që nuk duhet synuar vetëm rritja e numrave por edhe rritja e të ardhurave nga ajo që sjell çdo turist,”- tha Rama ndër të tjera.
Kuvendi miratoi ndryshimet në Ligjin për Zonat Mbrojtura në një seancë që nuk zgjati më shumë se 7 minuta, me 74 vota pro të mazhorancës. Ndryshime përfshijnë që në disa prej territoreve të klasifikuara si zona të Mbrojtura, do të mund të ndërtohen struktura akomoduese me qëllim zhvillimin e turizmit apo agroturizmit, por me kushtin që të mbahet një ekuilibër mes natyrës dhe aktiviteteve të zhvilluara. Miratimi i ligjit u kundërshtua nga deputetët e opozitës dhe nga disa protestues të shoqërisë civile, të cilët thanë se është një ligj me porosi dhe që u shërben interesave të oligarkëve. Deputetja Ina Zhupa tha se me ndryshimet e reja të bëra nga mazhoranca, do t’i hapet rrugë investimeve strategjike në Zonat e Mbrojtura.