
SELANIK- Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me Shqiptarët në Greqi lajmëroi se është përgatitur një kërkesë për qeverinë greke që të shohi një vendim të marrë 12 vite më parë, ku i ndaluan hyrjen gazetarit Marin Mema në shtetin fqinj. Rama gjatë fjalimit të tij tha se Marin Mema ka bërë punën e tij si gazetar dhe masat e marra ndaj tij janë ekstreme dhe antidemokratike që bien ndesh me parimet e komunitetit europian.
“Meqë po flasim për gazetarët dhe lëvizjen e lirë të gazetarëve dua të besoj se ministri i jashtëm i Greqisë, vetë qeveria greke, do t’i përgjigjen me logjikën e shëndetshme europiane kërkesës që do t’ia drejtojmë zyrtarisht që nesër për rishikimin e një vendim absurd të autoriteteve greke 12 vjet më parë për të ndaluar gazetarin Marin Mema të futet në Greqi. Marin Mema nuk ka kryer asnjë krim, ai nuk ka bërë asgjë më shumë dhe asgjë me pak se sa punën e tij si gazetar i apasionuar pas gjurmëve të historisë së shqiptarëve. Nëse këndvështrimi i tij i historisë është i ndryshëm ndaj kujtoftë në Athinë që ka nxitur apo ka marrë vendim absurd për ti ndaluar hyrjen në një vend të BE si Greqia, ky s’mund të jetë shkak për ti hequr një gazetari lirinë europiane të lëvizjes. Është masë ekstreme antidemokratike, që bie ndesh me çdo vlerë dhe parim të komunitetit europian”, deklaroi Rama.
Në vitin 2012, gazetarit Marin Mema, iu dalua hyrja në Greqi dhe u shpall një person i rrezikshëm për sigurinë kombëtare greke. Ndalimi i gazetarit erdhi pas disa temave të realizuara në emisionin “Shqipëria Tjetër”, të kushtuar çështjeve kombëtare shqiptare. Në emision ai i kushtoi disa tema trashëgimive të çamëve në Greqi në fshatrat, Margëlliç, në Gumenicë dhe në Filat. /ZËRI