Politikë

Procesi i Berlinit, mblidhen në Tiranë ministrat e jashtëm. Baerbock tenton takim Kosovë-Serbi

Për ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, kjo është vizita e parë në Shqipëri, ndërsa takimin pritet ta shfrytëzojë edhe për bisedime me homologun shqiptar si dhe me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.

E.K
Procesi i Berlinit, mblidhen në Tiranë ministrat e jashtëm.
Mblidhen ministrat e jashtem

TIRANË- Gjatë ditës së sotme në Tiranë do të mblidhen ministrat e jashtëm të vendeve të Procesit të Berlinit, ku do të jenë të pranishëm rreth 24 delegacione. Pjesë e ceremonisë do të jetë edhe komisioneri për zgjerimin i BE-së, Oliver Varhelyi si dhe kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, e cila viziton Tiranën për herë të parë.

Në qendër të takimit është forcimi i bashkëpunimit rajonal, përforcimi i angazhimit për tregun e përbashkët rajonal, 4 liritë themelore agjenda e gjelbër dhe ajo digjitale. Gjithashtu do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme si dhe përshpejtimin e integrimit evropian.

Takimi do të ketë dy sesione diskutimi që do të jenë të mbyllura ndërsa në fund ministrja gjermane Baerbock dhe komisioneri Varhelyi do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp. Mediat e huaja kanë raportuar se ministrja e jashtme gjermane do të ketë takime të veçanta me ministrat e jashtëm të Kosovës dhe Serbisë, Donika Gërvalla dhe Ivica Daçiç, ndërsa theksojnë se do të ketë përpjekje edhe për një takim të përbashkët mes tyre.

Për ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, kjo është vizita e parë në Shqipëri, ndërsa takimin pritet ta shfrytëzojë edhe për bisedime me homologun shqiptar Igli Hasani si dhe me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.

Nisma e Procesit të Berlinit e ndërmarrë më 2014 nga kancelarja Angela Merkel synon arritjen në këto vende të standardeve, normave dhe praktikave të BE-së. Me Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Shqipërinë ndërkohë po zhvillohen bisedimet e antarësimit. Bosnje-Hercegovina konisderohet si kandidate për antarësim ndërsa Kosova si kandidate e mundshme për antarësim. 

Ministrja e Jashtme gjermane Baerbock (nga partia Të Gjelbërit) para nisjes për në Shqipëri bëri thirrje që të gjitha palët duhet të intensifikojnë angazhimin për afrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. "BE-ja duhet ta mbajë fjalën e dhënë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të çojnë përpara reformat e nevojshme", deklaroi Baerbock.

Sipas saj, shumë vende kanë bërë përparime, "megjithatë vazhdimisht përjetojmë edhe hapa pas, krijohen hendeqe të reja, që duhen kapërcyer në rrugën drejt BE-së." Si shembull ajo përmendi ndër të tjera sulmin ndaj një patrulle policie më 24 shtator në Kosovë, ku mbeti i vrarë një polic kosovar. 

Njerëzit në Ballkanin Perëndimor kanë vendosur për rrugën për në BE. Shtetet "presin janë duke pritur ndërkohë gjatë që të zenë vendin e tyre në tryezën" e BE-së, deklaroi më tej Baerbock. Pikërisht për të rinjtë është "mëse e qartë, që e ardhmja e tyre është në BE".

Takimi i radhës i Procesit të Berlinit (16 Tetor) zhvillohet për herë të parë në një vend të Ballkanit Perëndimor, siç është Shqipëria./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB