PARIS-Mbrëmjen e sotme bota e futbollit do të njohë “mbretin” e ri. Ceremonia për dhënien e çmimit “Topi i Artë” mbahet në Paris. Yjet më të mëdhenj të futbollit botëror synojnë lavdinë individuale. Ousmane Dembele shihet si favorit për të fituar Topin e Artë në kategorinë e meshkujve, ndërsa konkurrentë të fortë për çmimin janë edhe Lamine Yamal, Raphinha dhe Mohamed Salah.
Përveç çmimeve kryesore, gjatë mbrëmjes do të ndahen edhe disa çmime të tjera të rëndësishme, përfshirë: portieri më i mirë, lojtari i ri më i mirë, trajneri më i mirë, si dhe klubi i vitit.
Lamine Yamal ka fituar trofeun “Kopa”, i cili shkon për talentin më të mirë nën moshën 21 vjeç.
Luis Enrique është shpallur Trajneri i Vitit për Meshkuj në ceremoninë e Topit të Artë 2025. Nën drejtimin e Enriques, Paris Saint-Germain arriti një tripletë historike, duke fituar Ligue 1, Kupën e Francës dhe UEFA Champions League.
Mësohet se në rast se dy futbollistë do të kenë numër votash të njëjtë, atëherë çmimi i shkon lojtarit, i cili ka marrë më shumë vende të para nga votimet. Nëse edhe në këtë aspekt ka barazim, atëherë diferencën e bëjnë vendet e dyta. Nëse edhe pas këtij listimi do të ketë përsëri barazi atëherë, do të jenë vendimtare vendet e treta.
Trofeu më i rëndësishëm në aspektin individual jepet prej vitit 1956-të dhe edicioni i këtij viti është i 70-ti, teksa vetëm në vitin 2020 për shkak të Covid-19 ky trofe nuk u akordua. Lionel Messi me tetë trofe mban rekordin, ndjekur nga Cristiano Ronaldo me pesë trofe./ZËRI