TIRANË- Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi pak kohë më parë se deri më 30 maj të gjitha bizneset që kryejnë shitje me para në dorë duhet të pajisen me sistemin POS/POI, e cila është pajisje elektronike për të paguar me kartë.
Ky njoftim ngriti shqetësimet e operatorëve të transportit publik urban, të cilët paralajmëruan se zbatimi i këtij detyrimi mund të rriste ndjeshëm kostot e shërbimit.
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas argumentoi se sektori funksionon në një numër të lartë transaksionesh me vlerë të ulët, ndërsa tarifat bankare për çdo pagesë me kartë do të rrisnin çmimin e biletës.
Sipas shoqatës, vetëm tarifa fikse bankare për një transaksion arrin 30 lekë, pa përfshirë përqindjet e komisioneve apo kostot e tjera operative. Nëse kjo kosto do të përballohej nga operatorët ose do t'ju transferohej qytetarëve, çmimi aktual i biletës prej 40 lekësh mund të rritej ndjeshëm.
Për këtë arsye, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas iu drejtua me një letër zyrtare Ministrisë së Financave, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Infrastrukturës, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Bashkisë Tiranë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, duke kërkuar sqarime mbi mënyrën e zbatimit të sistemit dhe mbi atë se kush do mbulonte kostot shtesë.
ZËRI kontaktoi me kreun e shoqatës, Kostandin Foni, i cili bëri të ditur se deri më tani përgjigje ka kthyer vetëm Ministria e Financave. Në përgjigjen e saj, Ministria sqaroi se operatorët e transportit publik urban brenda qyteteve janë të përjashtuar nga detyrimi ligjor për t'u pajisur me terminale POS/POI në çdo autobus.
"Operatorët e transportit publik urban brenda qytetit (autobusët), duke qenë të përjashtuar nga detyrimi për të lëshuar dhe fiskalizuar fatura për furnizimet që kryejnë, nëse bileta ose aboneja u jepet pasagjerëve drejtpërdrejt nga drejtuesi i mjetit ose nga një person i autorizuar, rrjedhimisht janë të përjashtuar edhe nga detyrimi ligjor për t'u pajisur me terminal POS/POI në çdo pikë shitjeje, në rastin konkret në çdo autobus urban individual që operon brenda qytetit", thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.
A ka lidhje kjo nismë e re me krijimin e shoqërisë shtetërore për transportin publik, MobAl?
Në muajin shkurt, ZËRI raportoi se qeveria ka miratuar një vendim për krijimin e shoqërisë aksionare MobAl, me kapital 100% shtetëror, e cila është nën administrimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Sipas vendimit, nga shtatori shoqëria pritet të marrë përgjegjësinë për organizimin dhe operimin e transportit publik rrugor, si dhe për zhvillimin e sistemit të biletimit elektronik. Aktiviteti i saj do të financohet ndër të tjera nga shitja e biletave elektronike dhe nga tarifat që do të paguajnë operatorët.
A është futja në përdorim i terminaleve POS/ POI një nismë që vjen nga ambicia për një Shqipëri pa para fizike?
Në korrik të vitit që lamë pas, kryeministri i vendit, Edi Rama, shpalli ambicien për ta transformuar Shqipërinë në një shoqëri pa para fizike deri në vitin 2030, ose e thënë ndryshe, duke e orientuar vendin drejt ekonomisë cashless. Sipas tij, qeveria shqiptare synon që të gjitha transaksionet financiare të kalojnë në formë dixhitale, duke e çliruar vendin nga përdorimi i parasë kesh, gjë që ka hasur kundërshtime nga ekspertët e ekonomisë.
Aktualisht, në autobusët urbanë të Tiranës nuk aplikohet pagesa me kartë. Mbetet për t'u parë nëse me nisjen e funksionimit të MobAl do të ketë ndryshime në mënyrën e pagesave të biletave në transportin publik. Transporti publik vijon të mbetet një nga shërbimet më të diskutuara në vend për shkak të mungesës së linjave urbane, kushteve të transportit dhe cilësisë së shërbimeve. Njëkohësisht, mungesa e pagesave elektronike vijon të mbetet një nga shqetësimet kryesore për turistët e huaj, jo vetëm në transportin publik, por edhe në fusha të tjera në vend. /ZËRI

