TIRANË – Java që lamë pas ishte vendimtare për Bashkinë e Tiranës. Këshilli Bashkiak votoi pro shkarkimit të Erion Veliajt nga posti i kryetarit. PD, PS dhe partitë e vogla bashkuan votat për rrëzimin e Veliajt nga ky post, ndërkohë që pati diskutime për arsyen e shkarkimit.
Pas vendimit të Këshillit Bashkiak, Rama mblodhi strukturat e Partisë Socialiste. Takimi i parë u zhvillua me nënkryetarët e bashkive dhe kandidaten Ogerta Manastirliu. E pranishme ishte edhe kryetarja e komanduar, Anuela Ristani, e cila e la takimin një orë më herët se të tjerët.
Rama gjithashtu zhvilloi një takim edhe me ministrat dhe deputetët e PS-së. Në mbledhje u fol rreth vendimit për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe fushatës në Bashkinë e Tiranës. Rama vendosi që Belinda Balluku do të jetë drejtuesja politike e zgjedhjeve të parakohshme në Bashkinë e Tiranës.
Ndërkohë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi të mërkurën përbërjen e anëtarëve të komisioneve parlamentare të legjislaturës së XI-të, ku u prezantuan emrat dhe anëtarët e secilit komision. Më në fund, PD-ja dorëzoi edhe emrat për kryetarët e katër komisioneve që do të udhëhiqen nga demokratët.
View this post on Instagram
Komisionet që do të drejtojë PD-ja janë këto:
Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportin, që do ta drejtojë Luçiano Boçi
Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, që do ta drejtojë Ina Zhupa
Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, që do ta drejtojë Bardh Spahia
Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, që do ta drejtojë Jorida Tabaku
Pas vendimit të Këshillit Bashkiak, Këshilli i Ministrave u mblodh dhe shkarkoi kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Pas kësaj lëvizjeje politike, është publikuar në Fletoren Zyrtare vendimi i Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Erion Veliajt. Ky vendim do të hyjë në fuqi 15 ditë pas publikimit të tij, duke hapur kështu rrugën për zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Tiranës.
Nën klimën e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, PD-ja duket se e ka gati skenarin e saj. Berisha, në një konferencë për shtyp, ka zbuluar se tashmë opozita ka caktuar një grup që do të nisë negociatat për t’u bashkuar me të gjitha partitë opozitare. Ai zbuloi se punën për negociatat do ta zhvillojnë Flamur Noka, Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti. Deri më tani, opozita nuk ka një emër përballë rivales Ogerta Manastirliu. Por pas këtij vendimi, PD-ja menjëherë ka nisur punën për të negociuar me partitë politike për gjetjen e një kandidati të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Tiranës./Zëri