
TIRANË- Një megaoperacion në Durrës, i ka dhënë fund arratisë së Xhevdet Plakut. I ashtuquajturi "Akili" është vendosur në pranga pasi që nga janari i këtij viti, ishte arratisur nga burgu i Barcagliones në Itali. 45-vjeçari ia kishte dalë që të rikthehej në Shqipëri dhe mbrëmjen e djeshme, po darkonte në një restorant në Gjirin e Lalëzit.
Sipas të dhënave që bëri me dije Policia e Durrësit, Plaku ishte i armatosur me një pistoletë, me fishekun në fole dhe gati për qitje. Në momentin që u arrestua ndodhej në shoqërinë e disa personave të tjerë, disa prej tyre ishin po ashtu të shpallur në kërkim për ngjarje të ndryshme kriminale, të cilët ishin shpallur në kërkim gjithashtu. Bëhet fjalë për Flobens Mecia alias Flobens Gega alias Flobens Drini, 43 vjeç, banues në Shkodër, i shpallur në kërkim nga SPAK, Voltan Xhani, 39 vjeç, lindur në Përmet, rezident në Holandë. Xhani akuzohet për vrasjen e Elis Rroshkodolit. Po ashtu, në të njëjtën tavolinë ishte dhe 35-vjeçari Jugert Xhani, i shpallur në kërkim për disa vepra penale.