
TIRANË- Është publikuar fotoja e personit që ka ekzekutuar Renato Hoxhajn në Vlorë. Ai është pikasur nga kamerat e sigurisë, megjithëse është totalisht i paidentifikueshëm pasi për të konfuzuar autoritetet ka përdorur maskë silikoni për fytyrën dhe një bark artificial.
Gjithashtu ka vënë maskë kirurgjikale dhe një kapele, për të shmangur në çdo lloj mënyre identifikimin. Pas ngjarjes, ai dyshohet se është arratisur drejt Greqisë, por sot Policia e Shtetit ka vënë në pranga personin që dyshohet se e ka ndihmuar. Bëhet fjalë për Eris Mehmetajn, 37 vjeç nga Tropoja, i cili dyshohet se i ka dhënë makinën autorit përpara kryerjes së krimit, të cilës i ka ndërruar edhe targat. Mehmetajt i është sekuestruar edhe celulari, përmes të cilit pritet të zbulohen të dhëna të tjera në lidhje me personat që kanë marrë pjesë në këtë krim. Për momentin dyshohet se autori është arratisur drejt Greqisë pas kryerjes së krimit, ndërsa urdhri për vrasjen e Hoxhajt ka ardhur nga Dubai. Shkak dyshohet se është bërë fakti që Renato Hoxhaj nuk ka pranuar të japë tokën e tij për ndërtim.