
TIRANË- Nëse dëshiron të blesh një apartament tek pallatet që po ndërton firma “Kontakt”, në pronësi të Fatmir Bektashit, në zonën e Drilonit në Pogradec, mundesh ta bësh, edhe pse firma nuk ka ende një leje të zbardhur.
Firma “Kontakt” ka nisur të reklamojë në faqen e saj zyrtare projektin për ndërtimin në Drilon dhe pret rezervime nga klientët për apartamente që jo vetëm nuk ekzistojnë, por nuk është hapur as gropa për ndërtimin e tyre. Shoqëria “Kontakt” ka aplikuar për leje ndërtimi, por edhe pse kanë kaluar katër muaj nuk i është aprovuar ende, por kjo gjë nuk i ndalon që tu marrin njerëzve paratë për rezervime apartamentesh. Ku e gjen sigurinë kjo kompani që do t’i miratohet leja? Qytetarët duhet ta dinë se përsa kohë një ndërtues nuk ka një leje të zbardhur, rreziku për humbjen e parave është mjaft i lartë dhe për këtë gjë, dikush duhet t’i informojë.