VLORË-Kadastra e Vlorës do të zhvendoset në Tiranë, sipas urdhrit të firmosur më datë 23 janar. Ndërkohë, punonjësit e Kadastrës kanë vijuar kundërshtimin e tyre ndaj këtij vendimi, duke firmosur dhe një peticion, pjesë e të cilit është bërë dhe nëndrejtori Sokol Shehaj. Ata kanë qëndruar në ambientet e Kadastrës së Vlorës, në shenjë proteste, duke kërkuar rishikimin e këtij vendimi që, sipas tyre, cënon të drejtat e punonjësve dhe shërbimin ndaj qytetarëve të qarkut të Vlorës. Sipas njoftimeve zyrtare, më datë 31 janar pritet të largohet baza materiale e institucionit, ndërsa 55 punonjës do të transferohen në Tiranë. Punonjësit shprehen se ky proces po zhvillohet pa transparencë dhe pa një dialog të mirëfilltë me stafin. Në këtë situatë, punonjësit u bëjnë thirrje përfaqësuesve ligjorë, deputetëve të qarkut të Vlorës, si dhe drejtuesit politik, që të ndërhyjnë dhe të ofrojnë mbështetje për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ata kërkojnë dialog, transparencë dhe rishikim të vendimit, me qëllim që Kadastra e Vlorës të vijojë funksionimin e saj në shërbim të qytetarëve të zonës.
/ZËRI