TIRANË- Në një nga pikat më të njohura të tregtisë informale në kryeqytet, zonën pranë Ish-Tregut Elektrik, zërat e pakënaqësisë janë shtuar pas aksionit të fundit të ndërmarrë nga qeveria për lëshimin e faturave tatimore dhe rritjen e sigurisë ushqimore.
Ndërsa autoritetet e konsiderojnë këtë nismë si një hap të rëndësishëm drejt formalizimit të ekonomisë dhe garantimit të të drejtave të konsumatorit, tregtarët dhe fermerët që shesin produktet e tyre në këtë zonë shprehen të papërgatitur dhe të pambështetur.
“Nuk jemi kundër rregullave, por duhet të na ndihmojnë. Nuk kemi as pajisje, as dijeni për këto sisteme. Na kërkojnë fatura, kur ne mezi sigurojmë bukën,” - thotë një shitëse me produkte fshati, që vjen çdo mëngjes nga zona e Baldushkut.
Shumë tregtarë na treguan pas kamerave theksojnë kostot për t’u përshtatur me sistemin e ri janë të papërballueshme, veçanërisht për bizneset e vogla dhe fermerët që operojnë pa asnjë ndihmë teknike apo financiare.
“Për të lëshuar faturë na kërkojnë pajisje, internet, aplikacione. Unë nuk di t’i përdor. A do më paguajë shteti mua që të marr dikë me rrogë për këtë punë?” – pyet një tjetër tregtar.
Kujtojmë se Drejtoria e Tatimeve kanë paralajmëruar vijimin e kontrolleve dhe gjobave për subjektet që nuk përmbushin detyrimet tatimore. Por mbetet për t’u parë nëse ky aksion do të prodhojë një ekonomi më të formalizuar, apo do të thellojë hendekun mes bizneseve të mëdha dhe tregtarëve të vegjël./ZËRI