
TIRANË- Apeli i GJykatës së Posaçme ka lënë në fuqi masat e sigurisë ndaj kryetarit të Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe deputetes së PL-së Monika Kryemadhit. Seanca e tyre zgjati rreth 7 orë, por Apeli hodhi poshtë ankimimin e Metës dhe Kryemadhit për masat e sigurisë.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi, sot më datë 19.11.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 60 akti, datë 11.11.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim I.M. dhe M.K., me objekt:
Ankim ndaj vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 dhe vendimit nr. 130, datë 23.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 130, datë 23.10.2024 të së njëjtës gjykatë, për pjesën e ankimuar nga personat nën hetim I.M. dhe J.K”, thuhet në vendimin e Apelit.
Avokati Genc Gjokutaj tha pas seancës se vendimi i Apelit është i paarsyetuar, pasi gjykata iu vendosi në dispozicion vetëm dispozivin dhe jo argumentet. Ai tha se Meta ndodhej në Kosovë atë dite dhe nuk ishte në dijeni dhe për këtë arsye nuk ka shkelur asnjë vendim.
“Vendimet e shkallës së parë dhe Apelit janë të paarsyeturara. Ne kërkuam revokimin e masës dhe Gjykata na vuri në dispozicion vetëm dispozitivin dhe jo argumentet. Edhe Kodi i Procedurës Penale e ka të rreshtuar dispozitën nga arresti në burg, te detyrimi paraqitjeje. Meta ka qenë Kosovë atë ditë dhe e ka ditur procesin, s’ka as intimidim dhe as prishje provash. Janë justifikime të këtyre për të justifikuar arrestin. Ai ishte jashtë shtetit dhe nuk ka shkelur asnjë vendim. S’i kemi humbur shpresat, këta gjyqtarë do dëgjojnë, gjithë opozita është në burg dhe kjo s’është normale”, tha Gjokutaj.
Ndërsa Kryemadhi tha pas përfundimit të seancës tha se do të përballet me të gjitha sistemet e drejtësisë. Më tej, ajo shtoi se mesazhet që janë pjesë e dosjes së Prokurorisë së Posaçme janë nxjerrë jashtë kontekstit.
"Beteja është ballë për ballë dhe do të përballemi me të gjithë sistemet e drejtësisë. Falsifikimet që janë përdorur nga kjo dosje. Zotit Meta i bie çështja e deklarimit të pasurisë. Sigurisht që Ilir Meta u njoh pasi e bëri fjalën e tij kur thashë këto deklarata në sallën e gjyqit. Në letërporosinë që ka ardhur nga Çekia, njoftohet se Meta nuk ka fjetur në një hotel me Kastriot Ismailajn. S'ka lidhje Ilir Meta me Adrian Shatkun, ai është kushëriri im. Të gjitha mesazhet janë nxjerrë nga konteksti”, tha ndër të tjera Kryemadhi.
Ata dolën sot para togave të zëza, ku si Kryemadhi, ashtu edhe Meta, apeluan vendimin e caktuar për masën e sigurisë. Deputetja e Partisë së Lirisë ka ankimuar masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”, ndërsa ish-bashkëshorti i saj është lënë në masën e sigurisë "arrest me burg".
Të dy, kanë të njëjtat akuza: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA, por edhe shpenzime për blerje banesash dhe jo vetëm. Për Kryemadhin, SPAK ka zgjedhur masë më të butë sigurie, duke argumentuar gjendjen e saj shëndetësore. Ndërsa Meta, prej thuajse një muaji qëndron në ambientet e paraburgimit të burgut "313" në Tiranë. /ZËRI