Aktualitet

Kodi i ri Penal hidhet për konsultim publik- Nga lehësimet për të burgosurit e përjetshëm tek masat shtrënguese

Drafti i ri pritet të kalojë për miratim në Kuvend në sesionin e ri parlamentar që nis në shtator, teksa deri më tani ka pasur kundërshtime nga opozita, juristë dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë

F.I

Kodi i ri Penal hidhet për konsultim publik- Nga lehësimet për

TIRANË-Projektligji për Kodin e ri Penal është hedhur për konsultim publik, ku do të analizohen në mënyrë me të detajuar nevoja për ndryshime dhe përmirësime për rreth gati një muaj, deri më 25 shtator.

Drafti u hodh për konsultim nga Ministria e Drejtësisë ku njoftohet se Kodi Penal aktual është miratuar në vitin 1995 dhe që prej asaj periudhe ka pësuar deri më tani 32 ndërhyrje, nga të cilat 23 ndërhyrje legjislative dhe 9 ndërhyrje me vendime të Gjykatës Kushtetuese.

Drafti i ri pritet të kalojë për miratim në Kuvend në sesionin e ri parlamentar që nis në shtator, teksa deri më tani ka pasur kundërshtime nga opozita, juristë dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë. Juristë të shumtë kanë reaguar duke kundërshtar Kodin e ri me pretendimin se formulimi i ri i ligjit nuk arrin të bëjë dallimin mes shkeljeve të rënda dhe të lehta. Kundër tij ka dalë Dhoma e Avokatëve, kryepokurori Olsian Çela, shoqatat e gazetarëve, ndërsa kreu i SPAK Altin Dumani tha para pak kohësh se nuk ka një draft zyrtar në duar.

Çfarë përfshin Kodi i ri Penal

Në draft vihen re disa risi ku përfshihen vepra të reja penale që kanë të bëjnë me sigurinë ushqimore, pornografinë, por edhe me krimet kibernetike. Po ashtu Kodi i ri përfshin ashpërsim masash për krimet ndaj të miturve. Janë rikonceptuar edhe masat edukative për të miturit duke u bazuar në zhvillimin e plotë të tyre fizik, mendor, moral dhe social. Një tjetër pikë është edhe shkaktimi i vetëvrasjes nëpërmjet bullizimit. 

Përdhunimin dhe aktet seksuale me të mitur do të dënohen me burgim të përjetshëm në rast vdekjeje apo vetëvrasjeje të viktimës. Gjithashtu, Kodi ja sjellë në vëmendje një temë të nxhetë sociale dhe shëndetësore, mbrojtjen e autonomisë riprodhuese të grave.

Në Kodin e ri Penal propozohet edhe lirimi me kusht për të dënuarit e përjetshëm, atëherë kur përmbushen kushtet. Po ashtu gjymtimi i organit gjenital femëror do të trajtohet si vepër penale me dënim nga 4 deri në 12 vite burg. Po ashtu në nenin758 të Kodit Penal do të trajtoht si vepër penale ndërprerja e shtatzënisë pa pëlqimin e gruas, e cila do të dënohet me gjobë ose burgim nga 1 deri në 5 vite, për personat që kryejnë këtë vepër penale.

Drafti i Kodit të Ri Penal ka një seksion edhe për krimet zgjedhore. Sipas Kodit të ri, nëse një votues pranon para në këmbim të votës së tij, dënohet më shumë sesa politikani që ia blen votën. Kush e shet votën dënohet me burg nga 2-7 vite.

Projektligji përfshin për herë të parë një kapitull të veçantë për mbrojtjen e kafshëve dhe ashpërson ndëshkimet për çdo formë abuzimi, keqtrajtimi apo braktisjeje. Sipas nenit 944, braktisja e një kafshe, nëse rrezikon jetën apo shëndetin e saj, konsiderohet vepër penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vite. 

Masa të rënda burgimi parashikohen gjithashtu për këdo që nuk çon makinën në kolaudim brenda afatit përkatës, apo që siguron një ertifikatë teknike që nuk është në përputhje me normat ligjore. 

Gjithashtu në draft thuhet se kush bën ose publikon komente ku synohet të ndikohet Gjykata në marrjen e vendimit do të dënohet me gjobë dhe burg. Në nenin për ndikimin e pavarësisë së Gjykatës konkretisht, thuhet se publikimi i komenteve me qëllim shtrembërimin e cilësisë së provava apo për të krijuar pabesueshmëri në publik, për të ndikuar apo favorizuar persona të veçantë para se të jetë dhënë një vendim gjyqësor, do të dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet./ZËRI

Poll

MOS HUMB