TIRANË- Katër ngjarje të rënda janë shënuar ditën e sotme në Shqipëri brenda një periudhe të shkurtër kohore. Bëhet fjalë për 3 vrasje dhe një shpërthim me tritol, që e shndërruan këtë të martë, nga një ditë e zakonshme në një ditë terrori, që edhe një herë më shumë ngre shqetësimin te qytetarët për sigurinë e jetës. Ajo që bie në sy dhe e bën akoma më alarmante, është shtimi i konflikteve sociale të krijuara për motive të dobëta mes palëve.
Çfarë ndodhi sot...?
1- Atentat me tritol në Shkodër!
Dita nisi me një shpërthim me tritol që u regjistrua në mesditë në Shkodër. Lënda plasëse ishte vendosur në një automjet të parkuar në lagjen “Ndoc Mazi” të qytetit. Si pasojë e shpërthimit i plagosur ka mbetur Enea Busukja, punonjës i Tatimeve. Shpërthimi ka ndodhur sapo 38-vjeçari ka ndezur mjetin. Punonjës i Drejtorisë së Tatimeve në Shkodër është transportuar për në spital dhe sipas raportimeve ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Forcat e policisë ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e plotë të saj.
2- Krim brenda familjes në Durrës, djali vret babain më thikë
Një krim brenda familjes ndodhi po në mesditë, rreth orës 13:00, në zonën e Shkallnurit, në Durrës. Djali 25-vjeçar qëlloi për vdekje me thikë babain 69-vjeçar, Pjetër Kodheli. Burime bënë me dije se i riu fillimisht e ka goditur të atin në kokë me një dru dhe më pas ka marrë thikën e bukës, me të cilën e ka qëlluar në zemër. Pas krimit të rëndë djali është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa u kap pas dy orësh në kërkim. Sipas njoftimti të policisë, dyshohet se Marjan Kodheli vuan nga probleme të shëndetit mendor.
3- Vrasje me thikë në Berat, vritet turisti për një kalë
Gati 2 orë pas ngjarjes në Durrës, një tjetër ngjarje u regjistrua në Berat.
Rreth orës 15:10 u raportua një vrasje me thikë në kalanë e Beratit,, ku një 42-vjeçar humbi jetën pasi u godit me thikë. Burime bëjnë me dije se shkak dyshohet se është bërë një kalë që mbante autori, Kristo Mema alias Kastriot Hoxha, 63-vjeç. Ky i fundit, ofronte xhiro me kalë për turistët në zonën e kalasë. Bëhet me dije se autori është me precedent penal në Greqi, ndërsa viktima Keli Hoxha ishte turist. Policia është vënë menjëherë në ndjekje të autorit 63-vjeçar dhe po kontrollojnë zonën për kapjen e tij.
4- Sherri që përfundoi në vrasje në 'Komunën e Parisit', 34-vjeçari u vra me thikë nga kolegu
Por...vetëm 20 minuta më vonë, një tjetër vrasje tronditi vendin...këtë herë kryeqytetin.
Një sherr mes kolegësh në një lokal në Tiranë, në zonën e Komunës së Parisit rreth orës 15:30, ka përfunduar në tragjedi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lokalin 'City Lounge', ku një konflikt mes stafit ka degraduar në përdorimin e thikës. 34-vjeçari Indrit Ismaillari, picier në lokalin ku ndodhi ngjarja, ka mbetur viktimë pasi është goditur me thikë nga kolegu i tij, Filip Shehu 41-vjeç, i cili punonte si kuzhinier në këtë biznes. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta, ndërsa burime raportojnë se mes tyre ka pasur konflikte prej kohësh. 34-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në spital, ndërsa 41-vjeçari është arrestuar menjëherë pas ngjarjes./ZËRI






