SHKODËR- Një ditë pas shpërthimit me tritol në mjetin e tij, inspektori i hetimit tatimor në Shkodër, Enea Busukja, ka dhënë dëshminë e tij për grupin hetimor. I riu ka deklaruar se nuk ka konflikte me njeri, dhe nuk ka një indicie për autorët e vendosjes së lëndës plasëse në makinën e tij, i cili shpërtheu me telekomandë.
“Nuk kam konflikte me njeri, nuk e di se kush mund ta ketë vendosur tritolin”, është shprehur Busukja, ndërsa policia ka shoqëruar dhe pyetur disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Punonjësi i Drejtorisë së Tatimeve në Shkodër u transportua në spital menjëherë pas ngjarjes, ku fatmirësisht nuk ka dëmtime serioze për jetën.
Grupi hetimor ka sekuestruar provat e gjetura në vendin e ngjarjes, ndërsa po analizohen pamjet filmike të kamerave të sigurisë në zonë dhe në akset hyrëse të qytetit.
Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë itinerarin e autorëve, të cilët dyshohet se janë larguar drejt fshatit Dragoç, ku u gjet e djegur makina e përdorur në atentat.
Mjeti po ekzaminohet me imtësi në laboratorin e Policisë së Shtetit, me shpresën se mund të gjenden gjurmë apo prova materiale që do ndihmojnë në identifikimin e autorëve të atentatit ndaj Enea Busukjas.
Shpërthimi me tritol ndodhi në lagjen “Ndoc Mazi”, në qytetin e Shkodrës. Sasia e tritolit ishte vendosur në mjetin e punonjësit të Tatimeve, i cili shpërtheu sapo 38-vjeçari ndezi makinën. Ende nuk dihet shkaku, ndërsa Policia po heton për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. /ZËRI


