DURRËS- 8 persona janë vënë në pranga pas ngjarjes së rëndë të ndodhur dje në spitalin Infektiv të Durrësit, ku pas një kontrolli mjekësor, arriti që të arratisej një prej personazheve të njohur të botës së krimit, Altin Ndoci, i vënë në pranga rreth 6 vite më parë me urdhër të SPAK. Në mesin e 8 personave të arrestuar është dhe shefi i komanduar i policisë së burgjeve, si dhe kryeinfermieri i i burgut, i cili ka firmosur raportin se Ndoci kishte nevojë për vizitë spitalore. Po ashtu në pranga janë vënë dhe 5 punonjësit e policisë së burgjeve, që shoqëronin Ndocin në momentin e dërgimit për në spital.
PERSONAT E ARRESTUAR
- Kryeinfermieri: Aulon Çuko
- Zëvendës shefi i policisë: Desdemon Pazaj
- Pesë policët e shoqërimit: Dorjan Saraçi, Sal Ferollari, Preng Marvataj, Fatjon Baçi, Aranit Çela
-Violeta Uka
Të 8 personat e mësipërm, dyshohen për akuzat e shpërdorimit të detyrës. Policia e Shtetit nuk ka pasur rol në ngjarjen e djeshme, pasi nuk i ishte kërkuar ndihmë nga Policia e Burgjeve, për tranferimin e Ndocit në ambientet e spitalit Infektiv të Durrësit.
Në pamjet e publikuara mbrëmjen e djeshme nga ZËRI, shihej qartë arratisja e Ndocit, i cili u shoqëura në ambientet e spitalit pa pranga. Ai arriti që të largohej me vrap nga kati i tretë i spitalit, në zonën e parkimit, ku e priste një mjet tip AUDI, që bëri të mundur zhdukjen e tij pa gjurmë, ndërkohë që një prej efektivëve të policisë që e shoqëronte qëlloi me armë në ajër. Dyshohet se Altin Ndoci ka pasur bashkëpunëtorë edhe brenda burgut të Durrësit, përveç personave që e kanë pritur dhe kanë ndihmuar në arratisjen e tij nga ambientet e spitalit Infektiv.
PËR ÇFARË AKUZOHET ALTIN NDOCI
Që nga periudha e arrestimit në vitin 2020 nga prokuroria e Durrësit dhe më pas në 2022 nga prokuroria e Posaçme SPAK dhe sërish arresti në korrik 2024, Altin Ndoci, u “ngjesh” me akuza të rënda duke u bazuar në dëshmitë e një të riu si Klevis Alla, Nuredin Dumani dhe më tej bisedat në aplikacionin “Sky”.
Në total në 3 dosje të ndryshme, Altin Ndocit i futën 13 akuza për vrasje, dy tentativa vrasje të Ardi Uruçit dhe Sandër Bahos si dhe disa akuza të tjera për “Grup Strukturuar kriminal” dhe “Organizatë Kriminale”, “Mbajtje pa lejë të armëve” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit kriminal dhe “Organizatës Kriminale”.
Ndërkohë i riu nga fshati Troshan i Lezhës, që në momentin e arrestimit në 2020 e deri më sot, ka pretenduar se nuk ka asnjë lidhje me vrasjet, por ishte përfshirë në to, falë intrigave të dy bashkëpuntorëve të SPAK, Klevis Alla dhe Nuredin Dumani.
Por nëse do futen dhe 4 vrasjet e tjera të ndodhura në Shkurt dhe Prill 2020 në Durrës, ajo e Anxhelo Avdisë, Dorian Shkozës dhe vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj, që SPAK ia faturoi dhe pas dy viteve ia hoqi, atëherë Altin Ndoci, mund të konsiderohej si vrasësi me pagesë më i pamëshirshëm që ka qarkulluar në territorin Shqiptar.
Akuzat për këto 4 vrasje u ngritën nga prokurori Altin Dumani. Por ishte sërish Dumani, që do të hiqte dorë nga mbajtja e këtyre 4 akuzave, pasi kuptoi se kishte rënë në kurthin e dëshmisë së bashkëpunëtorit të prokurorisë, Klevis Alla, i cili gënjeu se 4 vrasjet e mësipërme, i kishte kryer së bashku me Altin Ndocin dhe Talo Çelën.
Ky mashtrim solli heqjen e statusit të bashkëpunëtorit të SPAK për Klevis Alla dhe dënimin e tij me 25 vite burgim. Katër vrasjet e mësipërme u provua se i kishte kryer kundrejt pagesës Nuredin Dumani, Klevis Alla, Henrik Hoxha, Elio Bitri, Erjon Alibej dhe Arjan Spahiu.
Pavarësisht pushimit të akuzave, Altin Ndoci, sërish nuk mundi të lirohej nga burgu, pasi përmes një bashkëpunëtori tjetër Drejtësie si Nuredin Dumani, Ndocit ju shtua një vrasje tjetër si ajo e Andi Zylyfit në Peqin dhe vrasjen e mbetur në tentativë të Ardi Uruçit.
Ndërkohë aktualisht Altin Ndoci është në fazën e gjykimit pranë gjykatës së Posaçme në dy procese gjyqësore, duke u akuzuar zyrtarisht për dhjetë akuza të rënda.
Ndoci, momentalisht akuzohet dhe po gjykohet në procesin e njohur në publik si “Plumbi i artë”, ku akuzohet për “Vrasje në rrethana cilësuese ndaj Andi Zylyfit” dhe Vrasjes së mbetur në tentativë ndaj Ardi Uruçit.
Gjithashtu në një proces tjetër Altin Ndoci, akuzohet si pjesëmarrës në 5 vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave”, në dëm të tre viktimave Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe shtetasit turk Erdal Duranay, kryer më 29 dhjetor 2018 në Bradashesh, Elbasan.
“Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave”, me pasojë vdekjen e Klevin Bahos dhe plagosjen e vëllai të tij Aldo alias Aleksandër Baho, ngjarje e kryer në datë 1 korrik 2019, në fshatin Broshkë, Elbasan.
“Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë, e kryer për interes dhe hakmarrje, në bashkëpunimin e posaçëm në formën e organizatës kriminale”, në dëm të viktimës Kei Piku, kryer në datën 16 janar 2020 në Elbasan.
“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të Erion Alibej, ngjarje e planifikuar të kryhej në periudhën nëntor 2019 – janar 2020, kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e organizatës kriminale, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të Ardit (Arjan) Spahiu, ngjarje e planifikuar të kryhej në periudhën dhjetor 2019 – janar 2020, kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e organizatës kriminale, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”,“Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”
“Vjedhje me armë” e vlerave monetare që do transportoheshin me linjën e avionit Tiranë-Vjenë, kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, kryer më datë 9 prill 2019, në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, Rinas, Tiranë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”,“Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
“Vjedhje me armë” kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, mbetur në tentativë, kryer në datë 23 Mars 2018, në Fier në banesën e Minella Muça, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”,“Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
“Përkrahja e autorit të krimit” Talo Çela në vitin 2020, kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën në formën e organizatës kriminale “Organizatë kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”. /ZËRI



