TIRANË-Humbja e kontakteve të ish-zyrtarit të lartë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Daniel Shima për mbi 10 orë me familjen ka ngritur pikëpyetje se çfarë ndodhi me të mesditën e 20 gushtit. Policia dhe Prokuroria do të verifikojnë mesazhet dhe deklarimet e bëra nga ish zv drejtori i AKSH-it, Daniel Shima, pas zhdukjes së tij nga banesa. E në fakt ky mesazh është edhe thelbi i alertit për humbjen e kontaktit të tij.
Pas rikthimit, Shima ka pretenduar se u largua në jug të vendit pas një sherri që ka pasur me të dashurën e tij. Por, ish-zv.drejtori i AKSH-it nuk ka shpjeguar pse u dërgoi mesazh familjarëve që po e arrestonin. Edhe policia, në një reagim zyrtar, tha se Shima është paraqitur vetë në komisariatin nr.1, dhe ka dëshmuar se është larguar me dëshirën e tij. Gjatë marrjes në pyetje Shimës i është sekuestruar edhe telefoni.
Por çfarë ndodhi
Ish-zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Daniel Shima, u denoncua i humbur nga familjarët e tij mbrëmjen e djeshme (20 gusht). E gjithë ngjarja ndodhi në mes të kryeqytetit, ku mësohet se Shima ishte nisur për të marrë partneren tij, e cila jeton te Liqeni i Thatë. Në këtë moment, Shima i ka thënë se është ndaluar nga policia dhe është arrestuar. Pas këtij momenti, nuk dihej më asnjë informacion për fatin e tij, derisa u rikthye vetë.
“ZËRI” e ka ndjekur që prej momentit të parë denoncimin për humbjen e kontakteve të Shimës me familjen. Partnerja bashkë me të ëmën e tij kanë nisur të pyesin nëpër komisariate se ku ndodhej Daniel Shima. Atje kanë mësuar se ai nuk është arrestuar e as ndaluar nga Policia. Në këtë moment është bërë denoncimi, rreth orës 17:00 dhe nisja e verifikimit nga strukturat e hetimit pranë Komisariatit nr.1 të Policisë. Gjatë verifikimit janë parë kamerat e sigurisë ku është verifikuar se Shima ka kaluar në Qytet Studenti e më pas është ndjekur deri në dalje të tunelit të rrugës Tiranë-Elbasan.
Burime për ZËRI bëjnë me dije se që pas largimit nga AKSHI, Daniel Shima ka nisur të investojë shuma shumë të mëdha me para në disa biznese. Po të njëjtat burime bëjnë me dije se ai ka kërkuar para me fajde në disa pika të njohura në Shqipëri. Pikëpyetjet e ngritua pritet të marrin përgjigje nga kontrolli i telefonit të tij./ZËRI



