RROGOZHINË- Një aksion i gjerë kontrollesh ka nisur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në të gjitha institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në vend, me qëllim zbulimin dhe sekuestrimin e sendeve të paligjshme në qeli apo ambiente të tjera.
Aksioni ka nisur fillimisht në IEVP Durrës, ku pak ditë më parë u ushtruan kontrolle edhe në qelitë e kryebashkiakut të Durrësit, Erion Veliaj, ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, si dhe ish-kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka. Sipas burimeve, në qelitë e tyre nuk u gjet asnjë send i paligjshëm. Megjithatë, në një tjetër bllok të institucionit u zbulua një telefon celular i fshehur në një tualet, i cili u sekuestrua si provë materiale, por ende nuk është bërë i ditur se kujt i përkiste.
Burime bëjnë me dije se aksioni ka vijuar edhe këtë të shtunë. Kontrolle të imtësishme janë zhvilluar sot në IEVP Rrogozhinë, ku janë gjetur mjete prerëse të improvizuara, karikues, pajisje elektronike dhe aksesorë komunikimi.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se aksioni do të vijojë në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit, për të goditur çdo fenomen të paligjshëm pa asnjë kompromis. Ky operacion vjen menjëherë pas emërimit të Adriatik Kupit në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pas largimit të Klevis Qoses./ZËRI
