
TIRANË- Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë pushimin e hetimit ndaj kreut të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani. Kjo pasi, sipas hetimeve të kryera nga hetuesi i çështjes, nga ana e Sulejmanit nuk ka asnjë vepër penale. Sipas dokumentit të Prokurorisë, në përfundim të hetimit të procedimit penal nr.2823, të filluar në datën 25 prill në ngarkim të kreut të AMP-së, hetuesi ka dalë në përfundimin se Florian Sulemani ka ndjekur një praktikë të konsoliduar administrative dhe se "mungon dashja si element i anës subjektive të veprës penale”. Lidhur me veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, mungon kundërligjshmëria e veprimit të kryer, pasoja (dëmtimi i interesave të personave privat apo shtetit) si dhe dashja për kryerjen e veprimit të kundraligjshëm.
“Për të gjitha sa më sipër arrihet në konkluzionin që fakti nuk përmban elemente të veprës penale apo të ndonjë vepre tjetër penale të kryer nga drejtuesi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani. Sa më sipër çështja penale në ngarkim të tij për veprën penale të parashikuar dhe duhet të pushohet pasi jemi përpara rastit të parashikuar nga neni 328, fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale. Për këto arsye, kërkoj pushimin e procedimin penal,”-shkruan prokurori i çështjes, Valentin Preçi.
DREJTUAR GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM TIRANË:
Në përfundim të hetimit të procedimit penal nr.2823, të filluar në datën 25.04.2025, në ngarkim të shtetasit Florian Sulejmani, i dyshuar për veprën penale të "Shpërdorimi i detyrës", parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ka rezultuar se Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të juridiksionit të Përgjithshëm Berat me Urdhërin për Regjistrimin e Procedimit Penal datë 12.10.2024, ka urdhëruar kryerjen e regjistrimit të procedimit penal nr. 613/2024 për veprën penale të Shpërdorimi i detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, mbi bazën e të dhënave të marra me iniciativë bazuar në nenin 280 pika 1, të Kodit të Procedurës Penale. Me vendimin për ndarjen e çështjes të datës 09.04.2025, është ndarë procedimi penal në ngarkim të shtetasit Florian Sulejmani, duke e numërtuar atë 613/1 të vitit 2025. Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat në kuadër të procedimit penal nr.613/2014 ka hetuar transferimin e oficerëve të shërbimeve të policisë gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat duke vlerësuar kjo Prokurori se transferimi i tyre është bërë në kundërshtim me ligjin nr.25/2019 "Per Organizimin dhe Funksionimin e Policise Gjyqësore duke dëmtuar interesat e ligjshëm".
Në kushtet kur personi nën hetim ka ndjekur një praktikë të konsoliduar administrative konkludohet se mungon dashja si element i anës subjektive të veprës penale. Në rastin objekt hetimi mungojnë elementët objektiv dhe subjektiv të veprës penale "Shpërdorimi i detyrës parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, pasi mungon kundërligjshmëria e veprimit të kryer, pasoja (dëmtimi i interesave të personave privat apo shtetit), si dhe dashja për kryerjen e veprimit të kundërligjshëm. Për të gjitha sa më sipër arrihet në konkluzionin që fakti nuk përmban elemente të veprës penale të "Shpërdorimit të detyrës, vepër kjo e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal apo të ndonjë vepre tjetër penale të kryer nga drejtuesi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Florian Sulejmani. Sa më sipër çështja penale në ngarkim të tij për veprën penale të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal duhet të pushohet pasi jemi përpara rastit të parashikuar nga neni 328, prg. 1. gërma b) fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale. Për këto arsye, në mbështetje të nenit 328/1, shkronja b) dhe 329/a të Kodit të Procedurës Penale, KËRKOJ: Pushimin e procedimit penal nr.2823, të filluar në datën 25.04.2025, në ngarkim të të personit nën hetim Florian Sulejmani, për veprën penale të "Shpërdorimi i detyrës parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Edhe në një shkrim të publikuar më herët, ZËRI duke parashtruar anën ligjore, analizoi se pse vendimi i Prokurorisë për pezullimin e Sulejmanit u pa si një manovër e nxituar. Sipas burimeve të ZËRI-t, transferimi i punonjësve të AMP-së është kompetencë e drejtpërdrejtë e titullarit të institucionit, në këtë rast vetë Drejtorit të Përgjithshëm të AMP-së. Ai përgjigjet vetëm përpara Ministrit të Brendshëm dhe, në raste të veçanta që lidhen me nevojat e institucionit, mund të kryejë transferime edhe pa miratimin e Komisionit të OPGJ-ve. Aktualisht, me vendim të Gjykatës së Tiranës, Sulejmanit i është hequr masa e pezullimit nga detyra./ZËRI