
TIRANË-Isuf Hasa, autori i vrasjes së Xhemal Metës, 81 vjeç, ka dëshmuar në polici motivet dhe pse vrau fqinjin e tij. Ai ka treguar se kishte shkuar në shtëpinë e Xhemal Metës dhe kishin pirë kafe dhe aty kishin debatuar. Hasa ka deklaruar se ai ka pirë kafe në banesës së viktimës dhe më pas e ka vrarë. Sipas tij 81-vjeçari e bullizonte dhe e ofendonte. Ndër të tjera 64-vjeçar shprehet se viktima i ngacmonte gruan dhe e kishte kuptuar këtë. Sipas tij viktima e merrte në telefon dhe i thoshte se nuk i ka dhënë kurrë nga rakia e gruas.
Isuf Hasa: Në mëngjes shkova në shtëpinë e Xhemalit dhe pimë kafe. Pasi mbaruam aty vendosëm të shkonim në lokalin e fshatit. Në oborrin e shtëpisë së tij pashë ku ishte çekiçi. E mora dhe e qëllova nga mbrapa. Kishte shumë kohë që më bullizonte dhe më ofendonte. Kisha kuptuar që më ngacmonte gruan. Unë punoj roje nate në Dajt dhe kishte raste nuk shkoja tre netë në shtëpi. Xhemali më merte në telefon dhe më thoshte: "Si nuk na dhe një herë nga rakia e gruas". Kisha kohë që nuk po e duroja dot. Pasi e vrava i mora lekët. E dija që kishte sepse mi kishte treguar ai vetë. Më pas kam shkuar te stacioni elektrik dhe deri në Tiranë kam zbritur me një makinë të tyre. Më pas shkova tek shtëpia e vajzës në Vorë.
Ndërkohë djali i Xhemal Metës ka rrëfyer bisedën me Isuf Hasën, autorin e dyshuar të vrasjes së 81-vjeçarit ditën kur ndodhi krimi (13 Janar). Djali i viktimës deklaroi per 'News 24" se kishte telefonuar 64-vjeçarin për ta pyetur nëse ishte takuar me babain e tij, por ai i kishte thënë që “Jo”. Ai shtoi se i ati i mbante paratë në një qese lidhur në qafë, ndërsa autori i dyshuar ishte në dijeni të këtij fakti.
“Autorin e morëm atë ditë në telefon. E pyetëm a e kishte takuar babanë më tha jo. Familja e autorit nuk ka tentuar të më kontaktojë, i ka fëmijët e martuar. E dinim që babai kishte paratë dhe i mbante të lidhur në qafë me një qese. Edhe autori e dinte që ai kishte para, takoheshin çdo ditë. Ai kishte zgjedhur të jetonte vetë në fshat, ishin së bashku me nënën por ajo ndërroi jetë më pas”, tha djali.
81-vjeçari Xhemal Meta u gjet pa shenja jete në oborrin e banesës së tij në Zall-Bastar më 13 janar. Ngjarja fillimisht u raportua si aksidentale. Fqinji 64-vjeçar, Isuf Hasa e ka goditur Metën me çekiç në pjesën e prapme të kokës, duke i shkaktuar vdekjen. Ai dyshohet se pasi e ka goditur viktimën, i ka marrë edhe paratë që Meta kishte në xhep dhe është larguar. Gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia sekuestroi shumën e lekëve prej 200 mijë lekësh të reja, ndërsa në banesën e vajzës së autorit u gjet mjeti çekiç më të cilin Isuf Hasa ka kryer vrasjen./ZËRI