
TIRANË- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga dosja e prokurorisë, për mashtrimin e një tjetër biznesmeni, nga i shumëkërkuari Florian Gjergji. Bizesmeni nga Përrenjasi, Flamur Rrushi, pretendon se një person e ka telefonuar me aplikacionin viber dhe i ka thënë se jam Taulant Balla dhe më duhen 100-mijë euro urgjent. I njëjti biznesmen ka zbardhur dhe komunikimet me personin në anën tjetër të telefonit, që në fakt nuk ishte ministri Balla, por Florian Gjergji.
Biznesmeni thotë se personi që pretendonte se ishte Balla, i ka shkruar disa mesazhe, ku thuhej: “jam në një dreke”, “ma mbaron një porosi”, “do kalojë një miku im andej jepja 100 mijë Euro dhe rregullohemi”.
Rrushi nga ana tjetër i ka shprehur gadishmërinë për ti dhënë lekët, duke i shkruar: “Ok”, “të flasi me mua”. Kontakti “Taulant Balla”, i ka kthyer duke i thënë “ok po telefonon pas pak”. Takimi mes Rrushit dhe personit që pretendonte se do të dërgonte paratë te Balla, është organizuar në të njëjtën ditë në periferi të kryeqytetit. Makina që Rrushi dorëzoi shumën e majme të parave rezultoi që të ishte një taksi. Në denoncim biznesmeni thonë se brenda taksisë ishte vetëm shoferi, të cilit i dorëzoi paratë që i kishte futur në një kuti kartoni.
Biznesmeni ka pranuar në polici se me ministrin Taulant Balla janë miq familjar, dhe se të regjistruar në telefon i kishte shënuar një tjetër numër telefoni. Përmes një personi të afërt, ai ka kuptuar që shumë e parave në fakt ia kishte dërguar një personi tjetër dhe jo Ballës. Nga verifikimet rezultoi se numri me të cilin ishte kontaktuar biznesmeni Rrushi, ishte në përdorim nga një vajzë dhe një djalë.
Grupi hetimor, që i tregoi biznesmenit dy fotografitë e personave, evidentoi Kristjano Përndojin si shtetasin që ishte brenda makinës kur mori 100 mijë Eurot. Ky i fundit u arrestua më datë 3 Maj në orën 14:00 në Lezhë. Gjithashtu nga kontrolli në banesën e të atit të tij, u gjetën 6 fishekë dhe 1 thikë.
Sipas Weblajm, Prokuroria e Elbasanit që heton cështjen, thotë se proces-verbali i OPGJ-së për kontrollin në banesën e të arrestuarit paraqet të dhëna pjesërisht jo të sakta. Sipas Prokurorisë, Kristjan Përndoji nuk është pyetur në praninë e avokatit si person ndaj të cilit po zhvillohen hetime, si dhe nuk i është bërë me dije nga policia që ka të drejtë të mos flasë apo të mos japë detaje inkriminuese për veten. Për këtë arsye, thotë Prokuroria, ky akt është i pavlefshëm. Po kështu, edhe arrestimi në flagrancë i të dyshuarit është bërë në kundërshtim me ligjin. Kjo pasi Kristjan Përndoji nuk është kapur në flagrancë në kryerje e sipër të veprës penale, por është arrestuar më vonë. Për këtë arsye, Prokuroria e Elbasanit urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij.
Emri i Florian Gjergjit është një prej më të lakuarve për skemat e mashtrimit me biznesmenët në dy vitet e fundit, por pavarësisht arrestimeve të disa anëtarëve të grupit të tij, ai vetë nuk është arrestuar ende nga policia. Duke pasur mundësinë që të planifikojë skemën e radhës së mashtrimit. /ZËRI