
TIRANË- Arben Meskuti ka tentuar që t’i shmanget arrestimit të tij që u krye një natë më parë nga Policia e Shtetit. Prapaskena shkruan se efektivët janë paraqitur në derën e shtëpisë së Meskutit një natë më parë me mandatin për arrestimin e tij, por ai i ka lexuar policisë nenin 206 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit policia nuk mund të hynte në banesën e tij pas orës 19:00 të mbrëmjes deri në orën 8:00 të mëngjesit.
Gjithashtu, Meskuti ka pretenduar se është edhe nënshtetas amerikanë, duke nxjerrë një pasaportë false dhe me të dhëna të rreme, një tjetër histori kjo që është kthyer në dosje penale. Por, efektivët i kanë vënë prangat.
Meskuti akuzohet se ka konsumuar veprën penale të vjedhjes parashikuar në nenin 134/2 të Kodit Penal, “Vjedhja e pasurisë dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet“.
Ai është një nga nëntë personat e skandalit të mikrokredive, për të cilët Prokuroria kakopsitur dosjen. Prokuroria e Tiranës ka lëshuar 9 masa sigurie arrest me burg dhe arrest në shtëpi, për përfaqësues të kompanive të mikrokredive, si dhe përmbarues privat. Tetë të tjerët janë: Aldo Daka, Albert Gega, Edmond Mato, Kejda Seferi, Alban Kote, Alketa Tanushi, Jorsida Dervishi dhe Elda Ibro.
Në këtë mënyrë është faktuar skema e vjedhjes dhe shantazhimit të qytetarëve përmes mikrokredive, të cilët u janë bllokuar pronat apo llogaritë bankare. Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, morën nga banka ‘ProCredit’ 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.