
DURRËS- Gjykata e Durrësit ka lënë këtë dielë në burg ish-kandidatin për kryetar të Partisë Socialiste në Durrës, Ardit Kërtusha, i arrestuar në lidhje me aksionin e Policisë në Kadastrën e Durrësit pas akuzave për falsifikim pronash në Spitallë. Po ashtu në burg janë lënë dhe ish-zv.drejtori i Kadastrës, Leonard Kadrimi, Lirim Xhameta, Dashnor Taulla dhe Gjovalin Ndoci.
Arrest me burg:
-Lirim Xhameta, 58 vjeç dhe Dashnor Taulla., 61 vjeç, të dy banues në Durrës, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”;
-Ardit Kërtusha, 33 vjeç dhe Gjovalin Ndoci, 44 vjeç, të dy banues në Durrës, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”;
-Leonard Kadrimi, ish-zv/drejtori i Hipotekës së Durrësit ( 2018-2020).
Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tjetërsuar 448 mijë m2 tokë në disa zona të Durrësit. Njëra madje, pranë Universitetit "Aleksandër Moisiu". Ndërkohë, po vijon puna për kapjen e 2 personave të tjerë, ish-juristi i kadastrës Mikel Zaho dhe Krenar Kara.
Ardit Kërtusha nuk është një emër i panjohur për Policinë dhe politikën. 33-vjeçari, ish-kryetar i FRESSH, ka qenë mjaft aktiv disa vite më parë, kur edhe kandidoi për kryetar të Partisë Socialiste në Durrës në 2020, por më pas u tërhoq nga gara. Një vit më vonë, 31-vjeçari në zgjedhjet e 25 prillit iu bashkua publikisht Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës. Por pavarësisht përpjekjeve nuk ia doli dot që të fitonte mandat.
Në vitin 2022, Kërtusha plagoset me armë zjarri në ambientet e jashtme të lokalit të reperit Rigels Rajku, i njohur si Noizy, në zonën e Currilave. Për ngjarjen, doli dhe foli vetë Kërtusha, i cili mohoi që ngjarja të ketë ndodhur për motive banale apo konflikt të çastit duke deklaruar se ishte atentat i mirëfilltë që do kryhej nga vrasës me pagesë. Sipas tij, personi ishte me kapuç dhe me dy pistoleta duke qëlluar katër herë, por për fat të mirë pistoleta u bllokua, por nuk e zbuloi se përse ishte kthyer në një shënjestër për t'u ekzekutuar./ZËRI