Bota

Shpërthimi në Zubin Potok, Vuçiç: Ngjarja u shfrytëzua për të sulmuar Serbinë, e dimë kush qëndron pas sulmit

Vuçiç tha se nuk ka asnjë fakt se Beogradi qëndron pas shpërthimit në Zubin Potok.

I.F
Shpërthimi në Zubin Potok, Vuçiç: Ngjarja u
Aleksandër Vuçiç

BEOGRAD- Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, iu drejtua qytetarëve serb këtë të dielë lidhur me shpërthimin në kanalin e ujit në Zubin Potok më 29 nëntor 2024. Vuçiç u shpreh se Prishtina ka sulmuar ashpër Serbinë, pasi ata nuk kanë asnjë lidhje me këtë sulm. Vuçiç tha se nuk ka asnjë fakt se Beogradi qëndron pas shpërthimit në Zubin Potok.

"Nuk ka sesi mund të dëshmojnë diçka që nuk ekziston, kështu që njerëzit të jenë të qetë. Beogradi nuk është i përfshirë dhe do të shohim se kush është i përfshirë më vonë. Dje ka pasur një tentativë për një sulm të madh dhe të ashpër hibrid ndaj vendit tonë. Meqenëse ne ndoqëm me kujdes gjithçka që u njoftua nga zyrtarët e Prishtinës dhe sponsorët e tyre ndërkombëtarë, si dhe mediat e tyre, nuk mundëm të dëgjonim shumë fakte", tha Vuçiç.

Vuçiç tha gjithashtu se autoritetet serbe kanë mbledhur informacione se kush mund të jetë autori i sulmit, por nuk dha detaje.

“Kemi disa dyshime të caktuara, por hetimi do të tregojë se kush e ka urdhëruar. Mendoj se kemi disa njohuri për atë se kush mund të jetë kryerësi,” tha ai.

Presidenti serb shprehu gatishmërinë e autoriteteve të Beogradit për të bashkëpunuar jo vetëm me EULEX dhe KFOR, por edhe me Prishtinën. Ai tha gjithashtu se ka ftuar partnerët amerikanë të kontrollojnë pamjet satelitore, teksa informoi se 7 nga 8 të arrestuarit nga policia e Kosovës, janë liruar.

Vuçiç gjithashtu kërcënoi se do të arrestojë çdo serb të Kosovës, nëse kanë marrë pjesë apo kanë kryer sulmin terrorist.

“Ndoshta serbët janë fajtorë që u besuan shqiptarëve dhe Kurtit. Ne nuk nxjerrim konkluzione pa përfunduar hetimi, por cilido serb që është i përfshirë do të arrestohet menjëherë”, deklaroi Vuçiç.

Më 29 nëntor, rreth orës 19:00, një shpërthim i fuqishëm në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë disa qytete të vendit. Një nga objektet që furnizohet me ujë është edhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj. Por fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz, por banorët e zonës kanë mbetur pa ujë dhe pa energji elektrike. Për këtë sulm, Kosova ka akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë, derisa kjo e fundit ka mohuar të gjitha akuzat. Reagime ka pasur edhe nga Shqipëria, edhe nga ndërkombëtarët./ZËRI

Poll

MOS HUMB