
MAQEDONIA E VERIUT- Sot në pikën kufitare Bllacë është vendosur tabela me mbishkrimin edhe në gjuhën shqipe. Para disa ditëve në këtë vendkalim ishte hequr tabela me mbishkrimin në gjuhën shqipe dhe ishte vendosur vetëm ajo në gjuhën maqedonase. Veprimi solli shumë regaime, ku kryeministri Kristjan Mickoski e cilësoi ngjarjen si përpjekje për destabilizim të vendit.
Gjykata Kushtetuse e Maqedonisë së Veriut ende nuk ka vendosur nëse gjuha shqipe do të jetë ende gjuhë zyrtare. Ky vendim i saj ka shkaktuar debate të ashpra në Kuvend. Reagime të ashpra kanë ardhur nga koalicioni VLEN dhe partitë shqiptare në bashkëqeverisje me VMRO, të cilët e kanë cilësuar këtë iniciativë si tentativë për grusht shteti. Opozita shqiptare, përfshirë BDI dhe Aleancën për Shqiptarët, ka bërë thirrje të mos preket statusi i shqipes.
Agjencia për Zbatimin e Ligjit për Gjuhët e Pakicave e ka cilësuar iniciativën si një veprim me karakter politik dhe nacionalist që rrezikon tensione dhe konflikte të reja. Ligji për dygjuhësinë, i miratuar në vitin 2018, parashikon përdorimin e gjuhës shqipe në nivel kombëtar, përfshirë institucionet shtetërore dhe komunat me të paktën 20% të popullsisë shqiptare./ZËRI