LIVE UPDATES

PD rikthehet në Kuvend: Spiropali jep dorëheqjen! Bardhi akuza ministrave dhe presidentit Begaj: Ka marrë 2 leje ndërtimi!

➤ Opozita është rikthyer në Kuvend! ➤ Nuk kanë munguar debatet në sallë. ➤ Në nisje të seancës plenare, kërkuan dorëheqjen e kryeparlamentares Elisa Spiropali për përjashtimin e 24 deputetëve të PD-së. ➤ Deputetët e opozitës u rikthyen sot në Kuvend me vendim të Gjykatës Administrative që shfuqizoi vendimin e Komisionit të Etikës. ➤ Po ashtu, sot SPAK pushoi kallëzimin e Policisë së Shtetit për djegien e karrigeve. ➤ Teksa morën me radhë fjalën për procedurë, si pozita edhe opozita nuk i kursyen akuzat ndaj njëri-tjetrit. ➤ Kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi tha se kryeparlamentarja Spiropali sipas tij është përfaqësuese e krimit të organizuar. ➤ Më pas tha se Begaj ka marrë 2 leje ndërtimi. ➤ Debat pati edhe deklaratat për incidentet me Policinë. ➤ Bardhi e quajti ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha "ushtar të bandave të Durrësit", ndërsa i përmendi edhe të vëllanë duke shtuar se vjedh paratë e shqiptarëve në OSHEE. për të njëjtën gjë akuzoi edhe ministren Belinda Balluku. ➤ Përgjigjen e mori nga kjo e fundit, e cila nuk e kurseu ironinë. ➤ Tashmë diskutimi vazhdon për projektligjin për buxhetin e vitit 2025.

13 artikuj për këtë temë.
7 MUAJ ME PARE

DEBATI/ Bardhi: Do e pësosh bashkë me vëllanë e ministrit Hoxha. Balluku: Të ngeli emri im në gojë, ika se kam event në Fier

PD rikthehet në Kuvend: Spiropali jep dorëheqjen! Bardhi akuza
Gazment Bardhi dhe Belinda Balluku

TIRANË- Seanca plenare e mbajtur sot me rikthimin e Opozitës në Kuvend u shoqërua me debate mjaft të forta. Deputeti dhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi hodhi akuza kundrejt Ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha dhe vëllait të këtij të fundit. Sipas Bardhit, vëllai i Hoxhës do ta pësojë bashkë me zëvendëskryeministren Belinda Balluku për shit-blerjen e energjisë elektrike, por nuk dha më shumë detaje. Pas këtyre akuzave, Balluku e ftoi Bardhin në Fier, ku tha se e pret një event në të cilin ai mund ta shpqëronte meqë kishte dëshirë të fliste për të. Demokrati replikoi, por në atë moment Balluku la Kuvendin, pavarësisht thirrjeve të Bardhit për t’ia dëgjuar përgjigjen deri në fund.

Pjesë nga debati:

Deputeti Gazment Bardhi-Ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha: Së pari njëherë turmë je ti dhe çeta e hajdutëve që të rrethon ty duke përfshirë dhe tët vëlla që do të marrë në qafë veten dhe Belinda Ballukun, do ta mësosh shumë shpejt pse po e them këtë. Që është një hajdut, atje në OSHEE, që vjedh paratë e qytetarëve dhe të energjisë elektrike të qytetarëve. E para, ju jeni tufë, jo ne deputetët e Opozitës, së dyti, nuk e di, e lexove SMS-në që të kishte dërguar Edi Rama apo që të kishin dërguar banda e Troplinëve të Durrësit, ushtar i të cilit je ti zotrote. Je një njeri ushtar i bandave të Durrësit që me marrëveshje me njëri-tjetrin të kanë zgjedhur ty si ministër. E di mirë zotrote se shkon dhe i falesh atyre në Durrës. Mos guxo më kurrë as të më drejtohesh mua dhe as tu drejtohesh deputetëve të Opozitës me epitete se ne mund të të vëmë ty 20 epiteteve të merituara.

Zv/Kryeministrja Belinda Balluku: Hajde, hajde, hajde se kemi event në Fier, se ke gjithë ditën. E hape dhe e mbylle me emrin Belinda në gojë. Të jam kthyer në një fiksim. Belinda dhe Fieri, ky është fiksimi i të së vërtetës.

Deputeti Gazment Bardhi: Zonja kryetare, në bazë të nenit 4, ne deputetët kemi bërë betimin që do të punojmë me gjithë….mos ik o Belinda, pse po ikën

Zv/Kryeministrja Belinda Balluku: Jam në Fier, ta thashë

Deputeti Gazment Bardhi: Po ti rri pesë minuta, dëgjo përgjigjen se na the shifra dhe ike. Na the dhe që do të mbajmë mend buxhetin e vitit 2023, patjetër që do ta mbajmë mend sepse vetëm në një projekt zotrote fute në xhep 50 milion euro. Dhe tani ikën dhe fshihesh. Do ta mbajnë mend shqiptarët buxhetin e 2023-shit, sepse vetëm nga shit-blerja e energjisë elektrike zotrote fute në xhep 180 milion euro. Prandaj kur vini këtu dhe flisni për mirëqenien e qytetarëve, mos e ngatërroni me mirëqenien tuaj. Se shqiptarët mjafton të shohin si ka qenë Belinda e veshur para pesë vitesh dhe si…

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali: Zoti Bardhi kjo nuk është për procedurë

Deputeti Gazment Bardhi: Ta mbaroj, jo zonjë, do dal në procedurë

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali: Dil

Deputeti Gazment Bardhi: Mos më ndërhy se do bëj…a kam tre minuta kohë unë? Do ta shtroj siskutimin tim siç dua unë dhe do dal në procedurë. Përmenda nenin 4 të rregullores, do dal te procedura, mjafton të shohim si vishej zonja që foli përpara 5 vitesh dhe si vishet sot, sa kushtonte veshja e saj përpara pesë vitesh dhe sa kushton sot. Prandaj zonja kryetare, kur jemi betuar, jemi betuar për mirëqenien e qytetarëve, jo për mirëqenien e Belinda Ballukut edhe të ndonjë tjetri. Prandaj dhe ju do të duhet të ndërhyni, sipas rregullores së Kuvendit, sa herë vijnë këtu dhe gënjejnë, në 2007 thotë kishte shtatë orë drita. Po patjetër, se na e kishit lënë peshqesh gjatë qeverisjes tuaj 1997-2005. U desh të vinte PD-ja në pushtet që të zgjidhte hallin e furnizimit me energji elektrike dhe e bëmë këtë pa e rritur çmimin e energjisë, siç e keni bërë ju. Që e keni rritur me 70% në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Prandaj zonja flet me veten dhe ikën e fshihet sepse gënjeshtrat nuk e mbulojnë dot të vërtetën./ZËRI/

7 MUAJ ME PARE

“Langaraq politik”, Bardhi-Shalsit: Përgatitu t’i bashkohesh Çyrbes si banor në qeli

PD rikthehet në Kuvend: Spiropali jep dorëheqjen! Bardhi akuza
Gazment Bardhi dhe Eduard Shalsi

TIRANË- Deputeti socialist Eduard Shalsi dhe kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi janë përplasur sot së bashku në seancën parlamentare. Shalsi quajti opozitën “langarqa politikë”, e më pas i "këshilloi" që mbi të gjitha të kenë karakter. Për dhunën e ndodhur në seancat e mëparshme në Kuvend, ai tha se opozita ka krijuar një shfaqje teatri.

"Unë nuk kam respekt për çdo deputet të opozitës, por për disa prej tyre. E dini pse, është shumë thjesht sepse dëgjova një mori njerëzish sot që thonin sot Çyrbja, Çyrbja, Çyrbja dhe e di nga e dëgjova? Nga ata që bënin selfie, që frekuentonin ditëlindje, nga ata që ishin… bëhuni içik më njerëzor, drejtësia do të japi verdiktin e saj. Por mos i lakoni, mos i shisni njerëzit në këtë mënyrë. Së dyti nuk jemi ne nga ata deputetët që bëjnë sikur zihen me gardën, që i kërkojmë ndjes në darkë në shtëpi ose mbasdite. Nëse do të kishit ardhur ose do të kishit bërë një filmim për të parë sallën e Parlamentit para orës 10 dhe pas orës 10 do të kishit kuptuar se ç’teatër jeni katandisur një pjesë e juaja. Ka pastaj edhe tipa këtu brenda që guxojnë dhe vejnë dorë mbi gratë parlamentare. Kuptoni se ç’burra. Politika do dhe karakter, përveçse do bagazh, do njohuri do pasion. U humbën dy orë të rëndësishme për të folur për probleme personale. Inflacioni sot është më i ulët. Kemi konsoliduar ekonominë. Depozitat janë rritur, kreditë janë rritur, bankat janë likuide, sistemi banker është i qëndrueshëm, papunësia është 10.7 përqind, në nivelet më të ulëta në histori. Konsumi privat është i lartë, investimet e huaja janë shtuar. Ne si qeveri vetëm rritemi. Shqipëria është shumë më mirë se ç’ka qenë. Patjetër që ka gjëra që duhen ndryshuar, por ekonomia është e konsoliduar. Indikatorët ekonomikë janë të mirë. Unë nuk jam langaraq politik. Ju shani këtu dhe në darkë kërkoni falje te oligarkët dhe thoni se na e do politika. Shkoni sa në një prehër politik tek tjetri”, tha Shalsi.

Por nga ana tjetër, Gazment Bardhi tha se ai duhet të përgatitet t’i bashkohet ish-deputetit Jurgis Çyrbja në burg si banor. Ai akuzoi Shalsin se ka rritur pasurinë e tij deri në 1.8 milionë euro në mënyrë të paligjshme dhe e ka fshehur atë në emër të personave të tretë. Në lidhje me këtë, Bardhi i kërkoi Shalsit të jap sqarime, por socialisti u largua. 

“Shals mos ik, se të dhashë të dhëna konkrete dhe dole e na fole për Flamurin. Ska nevojë sepse po të hetojnë vetë, ska nevojë për kallëzimin tim. Ne nuk jemi aq burra saqë fshehim pasurinë pas grave. Zotrote, dhe familja jote jeni e vetmja që i keni rritur rrogën vetes, me pagë 1 mijë euro në muaj, 700 euro bashkëshortja e ke 7 fishuar me milionma euro. Dhe për këtë duhet të japësh llogari. Kur thua është rritur mirëqenia e ke fjalën për veten tënde. Kur thua është rritur buxheti i shtetit e ke fjalën që është rritur buxheti i familjes tënde me para të marra nga buxheti i shtetit për projekte që ishe ministër dhe i shkruaje në zyrën e ministrit pastaj ja çoje Belindës dhe ministrisë së Financave që t’i merrte gruaja jote. Për këto duhet të japësh llogari dhe duhet tja shpjegosh shqiptarëve që kur thua është rritur buxheti është për familjën tënde. Dhe duhet t’i japësh shpjegim shqiptarëve i referohesh zyrtarisht shtatëfishimit të pasurisë tënde nga 90 milionë lekë të vjetra në 680 milionë lekë të vjetra. Ndërkohë po ta përsëris t’i kanë gjetur emër dhe mbiemër edhe 1.8 milionë euro pasuri të fshehta. Fshihi pas gruas, kunatit, dhëndrit, baxhanakut a ku të duash. Të jesh i sigurt se pasuritë e paligjshme do të duhet t’ia kthesh qytetarëve që të ttitet mirëqenia e tyre dhe jo e një grushti të vogël. Bëre shumë gabim që ike se fole për shumëçka, por qytetarët presin përgjigje se si mirëqenia e familjes Shalsit shtatëfishohet. Hajde këtu dhe sqaro mirëqenien e familjes. Në emër të tretëve dhe mos u shqetëso për selfiet me Çyrben, por bëhu gati t’i bësh një vizitë në qeli si banor”, tha Bardhi. /ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Dash Sula i “dhuron” uniformë burgu ministrit Manja

PD rikthehet në Kuvend: Spiropali jep dorëheqjen! Bardhi akuza
Pamje nga Kuvendi

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka vendosur që t’i dhurojë veshjen e tij si i "burgosur" ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja. Kostumin gri, Sula e kishte veshur duke ngjitur mbi vete edhe një pankartë, ku shkruhej: Stop dënimit politik! "Dhurata" e Sulës ka shkaktuar të qeshura në sallë.

MOMENTI ME VIDEO: 

 

7 MUAJ ME PARE

Mbetjet toksike/ Shehaj i kërkon shpjegime, ministri i Brendshëm: Shumë shpejt do spostohen!

PD rikthehet në Kuvend: Spiropali jep dorëheqjen! Bardhi akuza
Ervin Hoxha dhe Agron Shehaj

TIRANË- Çështja e mbetjeve toksike është diskutuar sërish në Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë seancës së sotme, deputeti i pavarur, Agron Shehaj ka kërkuar nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha informacione lidhur me konteinerët që kanë mbetje toksike dhe që tashmë janë vendosur në portin e Durrësit. Në fjalën e tij, Shehaj kërkoi shpjegime zyrtare nga institucionet përgjegjëse lidhur me hapat e tjerë që do të ndërmerren.

“Një anije me kontejnerë të trafikuar me mbetje toksike ndodhet në portin e Durrësit dhe ministri i Brendshëm duhet të japi përgjigje se çfarë po bëhet. Nuk u dha asnjë shpjegim. Opinioni publik do ta dije çfarë po bëhet me mbetjet, të shpjegohet, ta dinë edhe qytetarët që po na ndjekin. uhet të zbatoni urdhrin e Prokurorisë, çfarë po ndodh me mbetjet? Ju i keni thënë që po mundoheni, s’është e lehtë të lëvizësh 102 kontejnerë? Kur të ketë çështje tjetër do ju informojmë! Po ju nuk mendoni se duhen informuar qytetarët? Nuk ju shqetëson kjo zoti ministër? Mund të na tregoni dreqin çfarë po bëni?,”- tha Shehaj.

Përgjigjen e mori pasi mbaroi fjalën. Ministri Hoxha tha se shumë shpejt konteinerët do të zbarkohen në një hapësirë publike që do të përcaktohet nga organet përkatëse. 

"Prokuroria e Durrësit ka bërë një informim publik po ekzekuton urdhërin dhe vendimin e marrë nga kjo prokurori. Shumë shpejt konteinerët do të zbarkohen në një hapësirë publike, sipas kushteve dhe çështjeve të sigurisë, në ambientet e Durrësit, siç është kërkuar nga Prokuroria e Durrësit,"-tha Hoxha në përgjigjen e tij.

Anija “Moliva” me mbi 200 kontenierë që dyshohet se përmbajnë lëndë të toksike ka mbërritur në portin e Durrësit. Menjëherë pas mbërritjes së saj Prokuroria e Durrësit kërkoi sekuestrimin e 102 kontenierëve që dyshohen se përmbajnë mbetje toksike./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Hetimet për DOSJEN "21 janari"/ Basha: S'më kanë thirrur ende! Frikë duhet të kenë ata që shkelën ligjin

PD rikthehet në Kuvend: Spiropali jep dorëheqjen! Bardhi akuza
Lulzim Basha

TIRANË- Ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha ende nuk ka marrë asnjë fletëthirrje nga SPAK! Kështu ka pretenduar vetë ish-kryedemokrati, Lulzim Basha teksa u pyet nga gazetarët për çështjen e "21 janarit". Para se të hynte në Kuvendin e Shqipërisë sot, Basha tha se deri më tani nuk është thirrur nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por shtoi se edhe nëse thirret,  do të vendoset në dispozicion të drejtësisë.

Lulzim Basha: Ende nuk kam asnjë thirrje. Por unë në çdo rast dhe çështje jam në dispozicion të SPAK-ut. Duhet të marrë fund epoka e imunitetit parlamentar. Për këtë kemi vendosur propozimin për të hequr imunitetin e deputetëve. Heqja e imunitetit do të thotë që të hiqet mundësia që njerëz që akuzohen për vepra penale që të largohen, si Arben Ahmetaj.

Keni frikë se do të prekeni dhe ju nga hetimet?

Lulzim Basha: Frikë duhet që të kenë ata që kanë shkelur ligjin. Në gjithë angazhimin tim politik, ligji dhe zbatimi i ligjit kanë qenë për mua prioriteti kryesor, ky është edhe konflikti kryesor që kam me gardën e vjetër dhe trekëndëshin e Bermudës që e mendojnë veten sipër ligjit.

SPAK ka nisur hetimet për vrasjen e Aleks Nikës, si dhe plagosjen e shtetasve Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa në protestën e 11 Janarit të vitit 2011, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Procedimi penal është regjistruar për veprat penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave; “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.

Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili do të hetojë çështjen e 21 janarit. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Bardhi sulmon presidentin Begaj: Mos shitet për dy leje ndërtimi!

PD rikthehet në Kuvend: Spiropali jep dorëheqjen! Bardhi akuza
Gazment Bardhi

TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi hodhi akuza në drejtim të Presidentit Bajram Begaj, duke e akuzuar se ka përfituar leje ndërtimi. Pasi një debati mes Saimir Korreshit dhe kryeparlamentares Elisa Spiropalit për presidentin e Republikës Bajram Begajt, ndërhyri Bardhi. Kyi fundit tha se opozita nuk ka asnjë respekt për kreun e shtetit duke i kërkuar edhe njëherë presidentit që të ndërhyjë për të ndaluar angazhimin e ambasadorëve në fushatën elektorale të Partisë Socialiste. 

“Presidenti i Republikës nuk gëzon asnjë respekt nga opozita sa kohë që sillet si ushtar i rëndomte i Ramës. Kam edhe një thirrje ndaj tij, duhet të ndalë përfshirjen e ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë që të mos përfshihen më në fushatën e PS. Edhe në Selanik ambasadorja ishte në një aktivitet ku kryeministri fyente opozitën dhe kërkonte vota. Presidenti ka qenë në Skrapar dhe kishte në krah drejtuesin e qarkut të PS. Presidenti të mos shitet për dy leje ndërtimi për të ndërtuar për dy djemtë e tij. Ky është paralajmërimi im për Begajn,"-tha në fjalën e tij Bardhi./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Bardhi akuzon ministrin e Brendshëm: Je ushtar i bandave! Hoxha: Ti je gënjeshtar!

PD rikthehet në Kuvend: Spiropali jep dorëheqjen! Bardhi akuza
Ervin Hoxha dhe Gazment Bardhi

TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka hedhur akuza të forta ndaj ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha. Në fjalën e tij në sallë, pasi ministri foli për ndërhyrjen e Policisë së Shtetit në Kuvend gjatë aksionit të opozitës, përgjigjen e mori nga Bardhi. Ky i fundit, fjalën e tij e nisi me faktin se ministri ka një vëlla që i punon në OSHEE, duke e akuzuar për vjedhje. Më pas, iu drejtua vetë ministrit duke u shprehur se është i përzgjedhur nga "bandat" për të marrë postin që ushtron aktualisht. 

DEBATI NË KUVEND: 

Bardhi-Ervin Hoxhës: Së pari njëherë turp je ti dhe çeta e hajdutëve që të rrethon ty duke përfshirë edhe tët vëlla që do të marrë më qafë veten dhe Belinda Ballukun se është një hajdut që vjedh paratë e qytetarëve. Së dyti, nuk e di a lexove mesazhin që të solli Edi Rama apo banda e Troplinëve të Durrësit. Je ushtar i bandave të Durrësit që me marrëveshje të kanë zgjedhur ty si ministër të Brendshëm. Kjo nuk është gënjeshtër por një e vërtetë që e dinë mirë të gjithë. E di mirë dhe ti se shkon edhe falesh atyre bandave kur mblidhen të gjithë bashkë. Çfarë quhet kur mblidhen të gjithë bashkë? Kartel quhet? Mos guxo të më drejtohesh më me epitete se zotërote mund të të vëmë nja 20 të merituara. Ti o i shërben ligjit, o krimit. Ti e ke bërë zgjedhjen. Ti i shërben krimit nuk ke lidhje me ligjin. Nuk ka punë Policia e Shtetit këtu. Detyrohet Garda e Republikës që të marrë në mbrojtje deputetët nga dhuna e Policisë të atij drejtorit që ti nuk e doje se doje atë tjetrin të bandës së Troplinëve me shokë, po ta detyruan një bandë tjetër që ta vendosje drejtor të Përgjithshëm.

*Bardhi flet pa mikrofon: Shkarkoje tët vëlla, atë që ke tek OSHEE. Nuk i vihen gjoba qytetarëve në shtëpi.

I menjëhershëm ishte reagimi i ministrit të Brendshëm, i cili e quajti Bardhin si gënjeshtar.

"Zoti Bardhi e kam me ju. I nderuar deputet, në pikëpamjen e analizës psikokriminale që kam për shkak të detyrës, ti hyn te njerëzit recidivistë, përsëritës dhe gënjeshtarë. E dyta që ti gënjen dhe akuzon dhe pastaj i beson atyre që akuzon kjo është e vërtetë. Policia ka bërë detyrën. Nuk ka hyrë në kuvend, turma që drejtohej nga ty po sillej drejt institucioneve kushtetuese. Policia ishte në detyrë dhe mbrojti Kuvendin,"-iu përgjigj ministri./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

"Merr frymë" opozita! Dogjën karriget në Kuvend, SPAK nuk nis hetimet: S'ka vepër penale!

PD rikthehet në Kuvend: Spiropali jep dorëheqjen! Bardhi akuza
SPAK

TIRANË- Opozita mund të vazhdojë e qetë punimet në Kuvendin e Shqipërisë! Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur që të mos nisë hetimet për kallëzimin e dorëzuar nga Policia e Shtetit dhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha. Pasi ka marrë në shqyrtim kallëzimin e bërë, SPAK ka vendosur që të mos nisë hetimet për shkak se ka arsyetuar se nuk ka asnjë vepër penale. 

Më 1 tetor, një ditë pas akteve të dhunës në Kuvend, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha tha se Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës kishn mbledhur pamjet filmike dhe prova. Ai lajmëroi se do të bënin kallëzim në SPAK duke pretenduar se deputetët e opozitës rrezikuan jetën e kolegëve.

Pas arrestimit të deputetit Ervin Salianji, opozita nisi aksionin kundër maxhorancës, duke paralajmëruar protestadhe mosbindje civile. Aksioni nisi nga Kuvendi me opozitën që shkaktoi kaos e tensione, duke bllokuar fillimisht Foltoren. Pas kësaj, deputetët e opozitës dolën jashtë sallës së Kuvendit, duke nxjerrë në oborr edhe të gjitha karriget e tyre, të cilave iu vendosën flakën. Kështu deputetët e opozitës u përjashtuan me 60 dhe 40 ditë nga punimet e Kuvendit. Përveç kësaj mase, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha bëri dhe kallëzimin në SPAK, i cili u rrëzua sot.

Lidhur me përjashtimin e deptetëve të opozitës, dje, Gjykata Administrative ka shfuqizuar vendimin e Sekretariatit të Etikës për përjashtimin e deputetëve të Partisë Demokratike. Ndaj edhe sot, deputetë janë kthyer në sallë dhe po debatojnë me maxhorancës për vendimin e marrë për përjashtimin e tyre nga seanca plenare./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Letra/ Flutura Açka kërkon të ndryshojë Komision në Kuvend: Bardhi dhe shpura e tij më kanë bërë presion

PD rikthehet në Kuvend: Spiropali jep dorëheqjen! Bardhi akuza
Flutura Açka në Kuvend

TIRANË- Deputetja e opozitës, Flutura Açka i ka bërë një kërkesë Kuvendit të Shqipërisë që të ndërrojë Komisionin ku bën pjesë. Shkak është bërë shantazhi dhe intimidimi që sipas saj i është bërë nga kolegët. Në kërkesën drejtuar kryeparlamentares Elisa Spiropali, deputetja Açka kërkon që të largohet nga Komisioni i Edukimit dhe Medias, për të kaluar tek "Ligjet".

PD rikthehet në Kuvend: Spiropali jep dorëheqjen! Bardhi akuza
Letra

"Në seancën e datës 27.07.2024, në shkelje të Rregullores se Parlamentit, është votuar një kërkesë personale e drejtuesit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokatike, për të më emëruar forcërisht anëtare e Komisionit për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik, pas shantazheve të vazhdueshme të hapura dhe të fshehta të tij dhe të një shpure të vogël rreth tij, intimidime politike dhe personale, kundër rolit tim si Kryetare e Komisionit për Edukim dhe Mjetet Publik, gjë që më shtynë të jap dorëheqjen, e votuar kjo më datë 16.07.2024 nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Pra, prej datës 26.07.2024 unë kam qenë deputete jashtë grupeve parlamentare, dhe në përputhje me Rregulloren e Parlamentit të Shqipërisë. Është në zgjedhjen time personale se në cilin komision parlamentar dëshiroj të kontribuoj. Në këto kushte, do të dëshiroja të merrja pjesë si anëtare e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Si një komision që përfshin dhe përpunon çështje të interesit tim politik, publik dhe personal. Duke ju falënderuar për mirëkuptimin,"-shkruan Flutura Açka në letrën e saj. 

Gjatë përplasjes mes grupimeve në Partinë Demokratike, Flutura Açka ka pasur përplasje në Komisionin e Etikës dhe Medias me Ina Zhupën. Në rrjetet e saj sociale shkruante se kolegen e kishte parë në krah të Lulzim Bashës dhe tashmë pranë Sali Berishës. Në korrik, dha dorëheqjen nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Më pas, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi kërkoi që Açka të zëvendësohej në Komision, ku mban postin e drejtueses, me Ina Zhupën. Tashmë Açka e larguar si nga Berisha, edhe nga Basha, është bërë pjesë e “Djathtas 1912”, subjektit më të ri politik me logon me të njëjtën ngjyrë me atë të Partisë Demokratike. Partia u prezantua nga Enkelejd Alibeaj. Pranë tij janë reshtuar: Arbi Agalliu, vetë Flutura Açka, Seladin Jakupllari, Edvin Kulluri, Agron Kapllanaj dhe Roland Bejko./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Përjashtimi i 24 deputetëve/ DEBAT në Kuvend, Balla "qetëson" opozitën, Zhupa: Ja zotëria i "SkyECC"

PD rikthehet në Kuvend: Spiropali jep dorëheqjen! Bardhi akuza
Taulant Balla

TIRANË- Përjashtimi i deputetëve të opozitës është kthyer sot në "mollë sherri" në Kuvendin e Shqipërisë. Përgjigjen opozitës ia dha ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i cili u shpreh se maxhoranca nuk diskutonte vendimet e Gjykatave duke iu referuar vendimit të "Administratives".

Balla tha se Kuvendi duhet që të hyjë në një rrjedhë normale të punimeve. Përgjigjen për komentin e tij, e mori nga deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cila i tha Ballës se del në mesazhet e "SkyECC". Pas saj, në Foltoren e Parlamentit foli edhe kreu i grupit të PS, Niko Peleshi, i cili nuk u shpreh dakord me vendimin e Administratives për rrëzimin e masave të Etikës së Kuvendit. Ai shpjegoi se vendimi i organeve të Parlamentit nuk është rrëzuar, por thjesht ka zhvendosur datën. 

DEBATI NË SALLË:

Balla: Keni të drejtën tuaj që të vazhdoni dhe të ndiqni çështjen që keni ngritur. Tani do hyjmë në rrjedhën normale të punimeve të Kuvendit? Sa i përket vendimeve të Gjykatës e kemi thënë që nuk i komentojmë kurrë. Edhe pse për rastin në fjalë kam komentet e mia sepse ajo që thoni ju rrëzon këtë vendim Gjykate. Gjykata Kushtetuese thotë që vendimet e brendshme të Kuvendit nuk diskutohen në Gjykatë. Shkoni dhe diskutoni në mbledhjen e Legjislacionit. Miqësisht e them, një prej detyrave imediate të Kuvendit është transpozimi i vendimeve të gjykatës.

Dogjani: Vazhdoni dhe shkelni rregulloren se ministrit i mbaroi koha dhe nuk e ndërpretë. Përjashtimi i 24 deputetëve provoi atë që dyshuan se zonja Nikolla nuk ishte e sëmurë por Edi Rama donte një ushtare aty. Ju na përjashtuat sepse morët urdhër nga Edi Rama. Juve ju intereson që të ktheni në diktaturë. Zbatoni rregulloren! Kjo sallë duhet të kthehet në një sallë debati.

Zhupa: Nga sot nuk do t'ju drejtohemi më zonja kryetare por zonja Spiropali. Keni kërkuar që këtë parlament ta ktheni në një seksion të PS. Doni që të bëni teatër dhe të kaloni ligjet fap e fap. Këtu ju mbani fjalim duke thënë se duam të flasim me opozitën. Sa falso jeni?! Ndërsa zotëria atje i "SkyECC" thotë pse e çuat në Gjykatë ju se kështu po shkelni Kushtetutën. Po kush i thotë këto? Diktatura mund të jetë ëndrra juaj, por ne jemi këtu që ajo ëndërr mos të realizohet kurrë. Ju zonja Spiropali duhet të jepni dorëheqjen se përjashtuat 24 deputetë të opozitës se ju donte qejfi. Keni shkelur Kushtetutën.

Peleshi: E kuptojmë aksionin e opozitës dhe është në të drejtën e saj por e çmoj të nevojshme që të bëj 2-3 sqarime. Këtu po shohim dy standarte për vendimet e Gjykatave. E pranojmë apo jo? Për një vendim gjykate dogjët karriget e Kuvendit. Për një vendim gjykate jeni sot këtu. Ne duhet të vendosim një standard normaliteti. Të mos djegim karrigen, por të ndjekim procedurën. Ne nuk jemi dakord, por s’do të thotë të bllokojmë Foltoren. Nëse jeni për normalitet, të lëmë procedurën të rrjedhë. Kuvendi ka vendin e vetë të pa zëvendësueshëm. Jemi në sezonin më të rëndësishëm. Nuk ka një fushëbetejë për opozitën për të bërë opozitë. Kështu që ju bëj një kërkesë qytetare. Të lëmë diskutimin e masave disiplinore. Ju sot shkundi një vendim gjykatë. Pra ka bërë një gjykim në vlerësimin tim të gabuar pasi ka hyrë në nën territor që s’i takon.

Noka: Nuk pranoj asnjë këshillë nga hajdutët. Teksa dëgjojmë çfarë flasin rilindësit këtu, bindesh që ka vetëm një rrugë për t’u marrë vesh me ju, vetëm mosbindja civile për t’u kërryer si sekti më i ndyrë i njerëzimit që ka shkelur në trojet shqiptare, sekti i rilibdjes. Dëgjojmë se flasin me gjuhë bolshevike dhe shfryjnë mllef kundër opozitës edhe sot këtu. Nuk po flas për atë zonjën atje, që ka marrë rolin e Nafijes te filmi ‘Gjuetia e fundit’. Silloja përcaktonte politikat, kurse Nafija zbatonte urdhrat, nuk kishte as të drejtë të mendonte. Kjo është katandisja ku e keni çuar Kuvendin. Sot nuk kemi ardhur për ju, se nuk mund të ndodhë ne të ulemi me hajdutët, me përfaqësuesit e krimit të organizuar, me ata që kanë shpopulluar Shqipërinë. Jo, ne sot kemi ardhur të përfaqësojmë vullnetin e popullit opozitar për t’u shprehur për atë buxhet që e keni vjedhur. Ne kemi ardhur sot t’u çjerrim maskën, t’u themi se herë pas here kujtoheni se opozita duhet parë, por e keni trajtuar opozitën si armike. Çfarë po bën kjo Nafija këtu? Sa u ul në atë karrige, akti i parë që bëri është shpallja e luftës ndaj opozitës. Se ju ëndërroni të keni një parlament monist dhe po bëni gjithçka për këtë.  Ju ëndërroni të keni një vend që të jetë monizëm i plotë se sulltani juaj nuk duron dot të ketë kundërshtarë. Sulltani do skllevër, do raja, ja kështu i do, do një tufë me pengje këtu me të cilët ndan pasuritë e Shqipërisë dhe i vjedh. A mund ta pranojmë këtë ne? Jo, jo. Ne jemi këtu për betejë, për këtë të jeni të sigurt. Mosbindja civile do të vazhdojë gjersa t’ju kërrejë. Buxheti nuk është i juaji, sepse buxhetin e keni trajtuar si plaçkë tregu, tufë hajdutësh që jeni vërsulur mbi të. Ne do u themi shqiptarëve se çfarë ishte buxheti i vitit 2023, ku shkuan taksat e tyre, kush i vodhi dhe çfarë duhet të bëjmë. Sot mllefin që keni treguar ndaj opozitës, e rrëzoi edhe ai Skapi i partisë. Sapo ka rrëzuar padinë edhe ndaj zonjës Hotit, edhe për karriget e famshme tuajat. Sepse zotëria aty është ministri i Brendshëm, duhet të japë përgjigje para ligjit pse ka futur policinë këtu. Ti zonja Nafije duhet të japësh përgjigje pse ke futur këtu policinë në kundërshtim me ligjin. Kjo tregon mllef ndaj opozitës. Harrojeni, ju na dukeni si miza, prandaj do ju kërrejmë./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Nis me debate Kuvendi, Bardhi-Spiropalit: Jep dorëheqjen! Je e emëruar nga krimi

PD rikthehet në Kuvend: Spiropali jep dorëheqjen! Bardhi akuza
Gazment Bardhi

TIRANË- Opozita është kthyer në Kuvendin e Shqipërisë por me debate. Në nisje të seancës plenare, kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi iu drejtua kryeparlamentares Elsia Spiropalit e socialistes Klotilda Bushkës, duke iu kërkuar dorëheqjen. Duke marrë shkasë nga vendimi i Gjykatës Administrative lidhur me përjashtimin e deputetëve nga seancat dhe punimet e Kuvendit, Bardhi tha se është shkelur në mënyrë flagrante Kushtetuta e vendit. Ndaj disa herë në fjalën e tij kërkoi "dorëheqje".

DEBATI NË SALLË:

Spiropali: Cili është problemi? Garda të lëvizë nga aty, nuk ka nevojë. Në rregull?

Bardhi: Duhet të dorëhiqeni nga funskionet që mbani se keni penguar opozitën që të mos marrë pjesë në seancat plenare. I keni vënë opozitës kangjella hekuri, forca sigurie, keni futur edhe forcat speciale për të ndaluar deputetët e opozitës. Ti zonjë je përfaqësuese e krimit të organizuar duhet që të dorëhiqesh nga pozicioni yt. Nxirr Gardën jashtë njëherë, bashkë me këtë zonjën e vezëve që është ulur në rresht të dytë duhet të ndjeni turp për atë që i keni bërë kësaj salle. Ti nuk mund të vazhdosh më të jesh e ulur në atë karrike. Jep dorëheqjen!/ZËRI

7 MUAJ ME PARE

"Stop dënimit politik"/ Dashnor Sula shkon me pranga në Kuvend

PD rikthehet në Kuvend: Spiropali jep dorëheqjen! Bardhi akuza
Dashnor Sula

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, u rikthye këtë të enjten në seancën plenare të Parlamentit. Por me një mesazh! I veshur si i burgosur dhe me pranga në duar, Sula kishte ngjitur dhe një letër në kostumin e tij.

Pankarta e ngjitur në trup shkruante: Stop dënimit politik!

Teksa seanca nisi, ai u përfshi në debat me kryetaren e Parlamentit Elisa Spiropali, duke mos e lejuar të lexonte rendin e ditës.

"Ju lutem zoti Sula uluni, të vijojmë seancën,"-i tha Spiropali.

PD rikthehet në Kuvend: Spiropali jep dorëheqjen! Bardhi akuza
Dashnor Sula

Po ashtu, teksa ishte në sallë, Sula u ndau deputetëve të maxhorancës edhe disa letra, por nuk dihet se çfarë shkruhet në to./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Sot merr fund KAOSI në Kuvend? Opozita rikthehet në sallë, disktohet për buxhetin e 2025

PD rikthehet në Kuvend: Spiropali jep dorëheqjen! Bardhi akuza
Foto nga seancat e mëparshme të Kuvendit

TIRANË- Partia Demokratike rikthehet sot në punimet e Kuvendit të Shqipërisë. Vendimi është marrë pak ditë më parë në selinë blu, ku kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi lajmëroi se opozita do të rikthehet për të diskutuar lidhur me buxhetin e vitit 2025. Në deklaratën që dha për mediat, Bardhi u shpreh se demokratët nuk ishin larguar nga Kuvendi, por ishin përjashtuar dhe nuk ishin lejuar që të ishin pjesë e punimeve plenare. Kështu që sot do të rikthehen për të marrë pjesë në seancë. Në rendin e ditës për sot, është pikërisht projektligji për buxhetin faktik dhe ndryshime në komisionet e Kuvendit.

RENDI I DITËS:

Projektligji “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2023”.

-(Në mbështetje të neneve 78, dhe 83, pika 1, e 158, të Kushtetutës, dhe neneve 55, dhe 73-77 të Rregullores, shumicë e thjeshtë votash për miratim)
Pyetje

Shprehet nismëtari Shprehet Komisioni përgjegjës për Ekonominë dhe Financat. Diskutime (Shprehen grupet parlamentare.)

Projekvendimi “Për disa ndryshime në vendimin nr. 69/2021 “Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar.

Projekvendimi “Për një ndryshim në vendimin nr. 70/2021 “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues së Komisioneve të Përhershme të Kuvendit” i ndryshuar. (Në mbështetje të nenit 78 të Kushtetutës, të neneve 21 dhe 55 të Rregullores së Kuvendit)

Pasi të diskutohen këto pika, priten edhe debate për çështje jashtë rendit të ditës. 

Pas arrestimit të deputetit Ervin Salianji, opozita nisi aksionin kundër maxhorancës, duke paralajmëruar protestadhe mosbindje civile. Aksioni nisi nga Kuvendi me opozitën që shkaktoi kaos e tensione, duke bllokuar fillimisht Foltoren. Pas kësaj, deputetët e opozitës dolën jashtë sallës së Kuvendit, duke nxjerrë në oborr edhe të gjitha karriget e tyre, të cilave iu vendosën flakën. Kështu deputetët e opozitës u përjashtuan me 60 dhe 40 ditë nga punimet e Kuvendit. Përveç kësaj mase, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka dërguar emrat e deputetëve në SPAK, ku i akuzojnë për disa vepra penale. 

Por dje, Gjykata Administrative ka shfuqizuar vendimin e Sekretariatit të Etikës për përjashtimin e deputetëve të Partisë Demokratike. Sipas Gjykatës, ata duhet të kthehen sërish në punë pa hasur pengesa nga Garda, me të cilën janë përplasur për çdo trazirë që kanë shkaktuar në ambientet brenda dhe jashtë sallës së Kuvendit. Mbetet për t'u parë nëse edhe sot do të ketë përplasje, apo në sallë do të mbizotërojë debati për buxhetin./ZËRI

Poll

MOS HUMB