TIRANË- Erzen (Hamza) Uka, i cili së bashku me Julian Cumrakun u ngujuan pak ditë më parë në Orosh të Pukës, dhe u përball me RENEA-n, rezulton që të ketë pasur gjurmë baruti në duar dhe rroba. Ky ka qenë rezultati i dalë nga ekspertiza e bërë për ngjarjen në Orosh, ku vetë Uka mbeti i plagosur, në rrethana që nuk janë sqaruar ende nga policia. Mësohet se një plumb që është qëlluar nga brenda banesës, është kqyrur dhe sekuestruar në vendin e ngjarjes, pas vetëdorëzimit të Ukës dhe Cumrakut.
Ndërkohë vetë Policia ende nuk ka sqaruar zyrtarisht rrethanat në të cilat mbeti i plagosur Uka, i cili pas dorëzimit u shoqërua për mjekim në spitalin rajonal të Shkodrës me një plagë plumbi në këmbën e djathtë.
Pas sekuestrimit të kamerave të sigurisë në bashkinë e Fushë-Arrëzit, janë vërejtur Uka, Cumraku dhe një person i tretë, i cili mendohet ti ketë ndihmuar, por që mbetet i paidentifikuar. Po ashtu është marrë në pyetje edhe vajza me të cilën ishte takuar Cumraku, por ende nuk dihen detaje se çfarë ajo ka rrëfyer.
Ndaj Erzen Ukës dhe Julian Cumrakut, të dyshuar për akte ekstremiste, prokuroria ka zyrtarizuar vetëm akuzën e armëmbajtjes pa leje, ndërsa ende nuk ka siguri lidhur me qëllimin dhe praninë e tyre në banesën ku u gjetën armë e municione, si dhe një flamur i ISIS-it, varur në murin e banesës ku ata qëndronin prej së paku disa javësh.
Gjatë seancës së masës së sigurisë, avokati mbrojtës i Erzen Ukës u shpreh se ndalimi është i paligjshëm pasi ai ndodhej rastësisht në atë shtëpi dhe nuk dinte asgjë për armët. Sipas avokatit, Uka dhe Cumraku nuk u dorëzuan sepse do t'i vrisnin, madje sipas tij, policia ka qëlluar drejt tyre. Avokati shtoi se ka ngritur pretendimin në gjykatë se Uka është plagosur nga polica dhe për këtë ka kërkuar që arrestimi të cilësohet i paligjshëm.
Gjatë aksionit brenda shtëpisë ku qëndronin të ngujuar u gjetën 4 automatikë, 1 pistoletë, 7 karikatorë me fishekë, 18 granata dhe rreth 2000 fishekë. Banesa ku ata ishin ngujur raportohet se ishte e gjyshit të 34-vjeçarit Julian Cumraku. Prokuroria e Shkodrës po heton Erzen (Hamza) Uka dhe Julian Cumraku për veprat penale: Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave terroriste, Prodhimi i armëve luftarake, Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik, mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit.
Të dy personat janë të njohur për autoritetet, pasi më parë ishin skeduar nga Anti-terrori për veprime radikale dhe për rrezik të lartë shoqëror. Julian Cumraku me origjinë nga fshati Orosh, dyshohet të ketë lidhje me grupe ekstremiste. Ai është nipi i Mëhill Cumraku (Jaku), pronari i banesës ku qëndronte prej orësh se bashku me Ukën. Erzen Uka, i njohur si Hamza Uka, ka qenë edhe Komando në Ushtrinë në Irak./ZËRI



