
SHKODËR- Katër ditë pas atentatit në Shkodër ka ndërruar jetë Bashkim Basha, 67-vjeçari që u përplas nga makina me të cilën po udhëtonte Hamza Lici dhe Arlind Bushati, të cilët po ashtu mbetën viktima të atentatit. 67-vjeçari prej 30 tetorit ishte në gjendje të rëndë në spital, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra, ndërsa bashkëshortja e tij, Flutura Basha, ndërroi jetë në vendngjarje.
“Në vijim të informacionit të dhënë më 30.10.2024, për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, ju informojmë se ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër edhe shtetasi B.B., 67 vjeç, drejtuesi i motomjetit që u përplas nga automjeti i shtetasve H. L dhe A. B, të cilët humbën jetën si pasojë e plagëve nga të shtënat me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon intensivisht hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njofton policia.
Me vdekjen e 67-vjeçarit ka shkuar në 4 numri i viktimave nga atentati në Dobraç të Shkodrës. Pasditen e 30 tetorit, 4 persona kanë komplotuar dhe realizuar vrasjen e Hamza Licit, vëllait të Ibrahim Licit. I riu, vetëm 23 vjeç ndërroi vend menjëherë nga plumbat e marrë, ndërsa shoku i tij, Arlind Bushati ndërroi jetë disa orë më vonë në spital. Djali i ish-kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës kishte marrë një plumb në kokë. Kjo masakër i kushtoi jetën edhe dy kalimtarëve të rastit, Flutura dhe Bashkim Basha. Ata po shkonin në shtëpi, kur motoçikleta e tyre u përplas nga "Benzi" i Licit që kishte humbur jetën në timon. Flutura ndërroi jetë në vend, ndërsa Bashkim Basha ndërroi jetë sot në spital.
Ndërsa dy persona po kërkohen nga Policia e Shkodrës, Izmir Sakicaj, 23 vjeç, dhe Samuel Troshani, 24 vjeç, pasi dyshohet se kanë lidhje me masakrën e Dobraçit. Ende nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tyre por dyshohet se mund të jenë larguar drejt Malit të Zi. Kjo pasi, ditën e ngjarjes u raportua se për atentatin ishin "pajtuar" vrasës me pagesë nga Mali i Zi. Se cili ka qenë roli konkret i Sakicajt dhe Troshanit në ngjarje, kjo është ende e paqartë. Po ashtu, nuk dihet se kush janë porositësit, organizatorët dhe ezekutorët e ngjarjes që i mori jetën 4 personave.
Hetuesit gjithashtu vijojnë kërkimet për të zbuluar se cili është personi i tretë në mjetin e viktimave, Hamza Lici e Arlind Bushati. Nuk përjashtohet mundësia që personi në fjalë të jetë i shumëkërkuari Ibrahim Lici, vëllai i Hamzait. Por ka një detaj që e hedh poshtë këtë teori. Në një foto tjetër të siguruar nga Abc Neës në vendin e ngjarjes shihet se pranë këtij personi ndodhen efektivë të forcave “Shqiponja”. Kështu që nëse ka qenë vërtetë Ibrahim Lici, nuk dihet sesi ka mundur që të largohet pa u vënë re nga vendi i ngjarjes. Për më tepër që ndaj tij ka një urdhër arresti pasi është shpallur në kërkim për vrasjen e Endri Mustafës.
Një tjetër detaj që duhet zbuluar nga grupi hetimor është arsyeja se përse djali i familjes Lici ishte futur në një zonë që konsiderohet “bastion” i fisit të Bajrave, pra në Dobraç. Për këtë çështje disa dyshime i ka ngritur gazetari i kronikës, Igli Çelmeta. Ai theksoi se Licajt janë tradhtuar nga njerëz afër tyre ose nga efektivë të inkrimuar të Policisë së Shtetit, duke iu dhënë informacione rivalëve.
Forcat elitë RENEA vijojnë të jenë në Shkodër duke kryer disa operacione për kontrolle për kapjen e autorëve, por deri tani pa rezultate. /ZËRI